11/02/2005
Me më pak se një vit mbetur nga përfundimi i misionit policor të BE në Bosnjë dhe Herzegovinë, shefi i politikës së jashtme të BE Havier Solana thotë se ai ka bërë përparim të rëndësishëm.
(UN News Centre, EU - 10/02/05; EUPM)
![]() "Ndërsa misioni [i BE] hyn në vitin e fundit të mandatit, ai ka një pozicion të mirë, në partneritet me autoritetet lokale, për të kompletuar direktivën e tij të parë, e cila është lënia në vend e rregullimeve të qëndrueshme e efektive policore në Bosnjë dhe Herzegovinë," thoshte raporti. [AFP] |
Misioni policor i BE (EUPM) në Bosnjë dhe Herzegovinë (BiH) ka bërë përparim të madh drejt ngritjes së një force cilësore ndërkombëtare në vend, thoshte shefi i politikës së jashtme, Havier Solana në një raport për Këshillin e Sigurimit të OKB-së, lëshuar të enjten (10 shkurt). Duke mbuluar gjashtë muajt e fundit të vitit 2004, ky është freskimi i katërt në veprimtaritë e operacionit të parë të Bashkimit të këtij tipi, që nga nisja e tij në 1 janar 2003.
EUPM u ngrit si operacion pasues ndaj forcës së veprimit policor ndërkombëtar të OKB-së, me selinë e saj kryesore në Sarajevë. Të gjitha vendet anëtare të BE, me përjashtim të Maltës dhe nëntë vende jo anëtare, marrin pjesë në forcën prej 862 trupash ku përfshihen 61 civilë ndërkombëtarë dhe 329 vetë të stafit të BiH. E ngarkuar me veprimtari mbikqyrëse, udhëzuese e inspektuese, objektivi i misionit është të ngrejë një forcë policore të aftë për operacione në përputhje me standardet ndërkombëtare. EUPM, mandati i të cilit mbaron në fund të vitit, vepron mbi bazën e një buxheti vjetor prej 38 milion euro.
Misioni ka katër përparësi strategjike: ndërtimin e institucioneve dhe aftësive, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndihmën ndaj policisë lokale për të arritur qëndrueshmëri dhe besueshmëri financiare dhe nxitjen e pavarësisë dhe përgjegjshmërisë policore.
"Përparim i matshëm e kuptimplotë është bërë veçanërisht në forcimin e agjensive zbatuese të ligjit në nivel shtetëror dhe në lidhje me përkrahjen e parimeve të qëndrueshmërisë dhe pronësisë lokale," thoshte Solana në raportin e tij.
EUPM përmbush mandatin e vet duke zbatuar programe të posaçme, të zhvilluara në partneritet me policinë lokale dhe të projektuara për të plotësuar nevojat e kësaj të fundit. Shtatë programet thelbësore në zhvillim fokusohen në fusha kyçe të ekspertizës dhe metodave të domosdoshme për ta sjellë policinë në vendin ballkanik në përputhje me standardet e BE, ndërsa kërkon të sigurojë që ajo të jetë e lirë nga ndërhyrja politike. Dy nga programet synojnë institucionet në nivel shtetëror dhe pesë të tjerët janë tematikë.
Për shembull, synimi i programit të punëve të brendshme është të vërë në vend një sistem kontrolli të brendshëm, transparent e të besueshëm brenda të gjitha agjensive të zbatimit të ligjit të BiH, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare. Synimi i një nisme tjetër që vazhdon është të zgjerojë pushtetin e agjensisë shtetërore të hetimit dhe mbrojtjes, duke e bërë të aftë atë të luftojë më efektivisht krimin e madh e të organizuar, spastrimin e parave, trafikimin e drogës e të armëve.
EUPM ka dhënë këshillim në procesin e futjes së ligjeve të reja mbi vëzhgimin e shërbimit shtetëror të kufirit. Punë e madhe është bërë gjithashtu për të përmirësuar efektivitetin e sistemit të inteligjencës së vendit dhe të garancive që ai operon në të gjithë njësitë dhe agjensitë policore.
Një tjetër kontribut i EUPM, vinte në dukje Solana në raportin e vet, ishte angazhimi i plotë në përpjekjet në vazhdim drejt krijimit të një strukture të vetme në nivel shtetëror në BiH, në përputhje me direktivën e Përfaqësuesit të Lartë Pedi Eshdaun, pas dështimit të Republikës Serbska për të arrestuar të dyshuarit e kërkuar nga gjykata e OKB-së për krimet e luftës.
"Ndërsa misioni hyn në vitin e fundit të mandatit, ai ka zenë pozicion të mirë, në partneritet me autoritetet lokale, për të kompletuar direktivën e tij të parë, e cila është lënia në vend e rregullimeve të qëndrueshme e efektive policore në BiH," përfundoi Solana.