27/12/2004
Kryeministri Kalin Popesku Tarikeanu ka tani mjaft vota në parlament për të formuar një qeveri të re. Së bashku me anëtarësimin në BE, lufta kundër korrupsionit dhe riparimi i ligjeve rumune të taksave, do të jenë përparësitë e tij.
Nga Gelu Trandafir për Southeast European Times në Bukuresht -- 27/12/04
![]() Presidenti Traian Bashesku përcjell paraardhësin e tij Ion Iliesku në pallatin Kotroceni në Bukuresht. Bashesku dhe kryerministri i caktuar Kalin Popesku Tarikeanu kanë thënë se do të marrin masa urgjente të reformojnë ligjet e taksave të vendit deri në fund të vitit. |
Duke fituar mbështetjen e Partisë së vogël Humaniste (PUR), kryesuar nga manjati i medias Dan Voikulesku, Aleanca e qendrës së djathtë Drejtësia dhe e Vërteta duket se ka mjaft mbështetje parlamentare për të formuar një qeveri të re. Kryeministri i caktuar Kalin Popesku Tarikeanu pritet të paraqesë kabinetin e tij për miratim nga parlamenti të mërkurën (29 dhjetor).
Partia Kombëtare Liberale (NLP) do të ketë dhjetë poste ministrore në kabinet, duke përfshirë kryeministrin, ndërsa Partia Demokratike (DP) do të ketë tetë. Bashkimi Demokratik i Hungarezëve do të ketë katër poste dhe PUR, tre. Në tërësi, qeveria e Tarikeanut do të ketë mbështetjen e 257 nga 469 deputetët e parlamentit.
Dy ekspertë të rinj janë caktuar në postet kyçe të ministrive të financës dhe punëve të jashtme. Portofoli i financës do të shkojë te ekonomisti 40 vjeçar Ionut Popesku. Mihai-Razavan Ungureanu, 36 vjeç, do të kryesojë ministrinë e jashtme. Ai ka shërbyer si zëvendësministër i jashtëm nga 1998 në 2001 dhe konsiderohet një ekspert i lartë i sigurimit dhe zhvillimit në Ballkan. Të tjerë emërime të rëndësishme përfshijnë Monika Makovei, një avokate e njohur që kryeson degën rumune të komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut, si ministre e drejtësisë, dhe Kodrut Seres si ministër i ekonomisë dhe tregtisë.
Vendimi i Partisë Humaniste për të mbështetur NLP-DP ishte një kthesë e papritur; vetëm tre ditë më parë partia kishte votuar për krerët socialistë Adrian Nastase dhe Nikolae Vakaroiu për t'u bërë respektivisht drejtues të Dhomës dhe Senatit. Analistët politikë rumunë vazhdojnë të shprehin dyshim rreth stabilitetit të qeverisë së re. Shumë thonë se presin që zgjedhjet e reja të thirren brenda muajsh, për të rritur mbështetjen në parlament për reformat e nevojshme për t'u bashkuar me BE në 2007.
Si Tarikeanu ashtu dhe presidenti i sapozgjedhur Traian Bashesku kanë thënë se kanë në plan të marrin masa urgjente për të reformuar ligjet e taksave të Rumanisë, duke vendosur një normë bazë 16 përqind për bizneset dhe individët. Në një intervistë me AP, Bashesku i përshkroi taksat e larta si "një nga motorët e korrupsionit". Taksa bazë është kundërshtuar ashpër nga Presidenti Ion Iliesku dhe partia socialiste.
Në fjalën e inagurimit, Bashesku e përshkroi luftën kundër korruspionit si përparësi të lartë të administratës së tij, duke e përmendur këtë çështje jo më pak se shtatë herë. Sa për politikën e jashtme, çështja më e rëndësishme në axhendë është anëtarësimi në BE, tha Bashesku. Megjithatë ai theksoi gjithashtu nevojën për të forcuar partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe" me qëllim që "të garantojmë sigurimin kombëtar të Rumanisë".
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes