14/12/2004
Akordi i paqes i Dejtonit që i dha fund konfliktit më të keq të Europës që nga lufta e dytë botërore, po hyn në vitin e dhjetë. Duke shënuar përvjetorin e nënshkrimit të tij, Përfaqësuesi i Lartë, Pedi Eshdaun tha se marrëveshja hodhi themelet për zgjidhjen e problemeve politike e sociale.
Nga Svetla Dimitrova për Southeast European Times në Sofje - 14/12/04
![]() Marrëveshja u nënshkrua në një ceremoni zyrtare në Paris në 14 dhjetor 1995. [Dosje] |
Marrëveshja e paqes e Dejtonit, që i dha fund konfliktit të viteve 1992-1995 në Bosnje dhe Herzegovinë (BiH) po hyn në vitin e dhjetë. Nënshkruar në një ceremoni zyrtare në Pallatin Elize në Paris në 14 dhjetor 1995, dy javë pasi presidentët e atëhershëm të BiH, Kroacisë dhe Jugosllavisë filluan marrëveshjen në bazën ajrore Rajt-Paterson, në Dejton, Ohajo, akordi krijoi BiH si shtet sovran përbërë nga dy njësi: Federata e Bosnjës dhe Herzegovinës dhe Republika Serbe (RS).
Si një marrëveshje kornizë, Dejton nuk dha të gjitha zgjidhjet, tha Përfaqësuesi i Lartë Pedi Eshdaun në përvjetorin e nëntë të nënshkrimit. "Ai hodhi bazat brenda të cilave populli i BiH mund të gjejë zgjidhje të përhershme ndaj problemeve politike e sociale me të cilat përballet ai," tha ai.
"Dejtoni, me gjithë të metat e tij, përfundoi luftën," tha ai në një letër të hapur për popullin e BiH teksa vendi festoi ditën e krijimit të shtetit në 26 dhjetor. "Kjo ka qenë arritja e tij që do të mbetet."
Gjatë tre viteve e gjysmë gjakderdhjesh që paraprinë Dejtonin, rreth 200,000 vetë u vranë dhe dy milion të tjerë u zhvendosën në konfiktin më të keq të Europës që nga lufta e dytë botërore.
Që atëhere, një seri zgjedhjesh të mbikqyrura ndërkombëtarisht janë mbajtur në vend, duke shpënë në pluralizmin e rritur demokratik dhe krijimin e institucioneve demokratike në të gjitha nivelet. Që nga shtatori 2004, mbi një milion njerëz të shpërngulur nga konflikti janë kthyer në shtëpitë e tyre. Mbështetja nga donatorët, e vlefshme miliarda euro është derdhur në vend për rindërtimin.
"Deri në vitin 2000, shumica e shtëpive, shkollave, sistemeve të shpërndarjes së ujit, rrugëve, telekomunikacioneve dhe furnizimit me energji elektrike, u rindërtuan pranë standardeve të paraluftës," tha Banka Botërore në raportin e gushtit.
Në letrën e tij të hapur, Eshdaun përmendi disa arritje këtë vit, duke përfshirë ngritjen e Këshillit të lartë Gjyqësor dhe të Prokurorisë, i cili do të lejojë vendin të fillojë gjykimin e vet të rasteve të krimeve të luftës. Ai ju referua gjithashtu qytetit të Mostarit, duke vënë në dukje se procesi i unifikimit të komuniteteve të tij kroate e muslimane ka "lëvizur përpara vendosmërisht".
"Hapja e urës së Mostarit në korrik simbolizoi përparimin e jashtëzakonshëm të bërë në sjelljen së bashku të komuniteteve të ndarë nga lufta," tha Eshdaun.
Objektivat afat-gjatë të BiH përfshijnë integrimin në BE dhe NATO. Këto aspirata, megjithatë varen nga përmbushja e parakushteve kyçe, ku përfshihet bashkëpunimi i plotë me gjykatën e OKB-së për krimet e luftës, një kërkesë bazë e marrëveshjes së Dejtonit.
Si rezultat i dështimit të autoriteteve të RS për të arrestuar e dorëzuar një të paditur të vetëm, Aleanca ka prapsuar aplikimin e BiH për pranimin në programin për Partneritetin për Paqe, dy herë këtë vit.
"Institucionet dhe individët e BiH dhe veçanërisht ato të RS, nuk mund të vazhdojnë të bllokojnë udhën e BiH për në BE dhe NATO," tha Eshdaun. "Bosnja dhe Herzegovina nuk duhet të humbë shansin për një të ardhme më të ndritur. Populli e meriton atë. Dhe ajo mund të arrihet."
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes