11/02/2012
Blogerët përgëzojnë masat për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve, si dhe inkurajojmë transferimin e tyre nga ekonomia informale në atë reale.
Nga Кlaudiјa Lutovska për Southeast European Times në Manastir -- 11/02/12
![]() Sektori informal përbëhet nga më shumë se shitësit e rrugëve dhe ata të firmave të vogla, por përfshin kompanitë e mëdha të ndërtimit. [Klaudija Lutovska/SETimes] |
Maqedonia filloi zbatimin e masave për parandalimin e sektorit informal (ose të pa raportuar) të punësimit, por ky veprim shkaktoi një debat në lidhje me koston e masave dhe përfitimet.
Disa blogerë argumentojnë se gjetja e punës në kohën e krizës ekonomike është shumë e vështirë. Papunësia zyrtarisht është rreth 30%, por, ata thonë se shumica e të papunëve punon në sektorin informal, apo në sektorin "gri".
Puna në sektorin joformal fshihet nga qeveria. Punëdhënësit nuk i raportojnë pagat dhe punonjësit nuk paguajnë taksat për të ardhurat e tyre. Puna nuk është pjesë e PBB-së të një kombi.
Shumë argumentojnë se puna në sektorin informal shkel të drejtat e punëtorëve dhe mashtron ekonominë më shumë se sa përfitimet e çastit që ofron puna për njerëzit të cilët në të kundërt do të ishin të papunë.
"Sektori informal përfshin më shumë tregtinë, ku punëdhënësit nuk raportojnë punëtorët dhe nuk paguajnë taksat. Kjo krijon probleme serioze për implementimin e Ligjit mbi Tregtinë, i cili na detyron të forcojmë aktivitetet për të eliminuar ngadalë, por në mënyrë të sigurt, ekonominë informale," tha për SETimes ministri i ekonomisë Valjon Saraçini.
Inspektorët kanë kryer 24.000 inspektime vitin e kaluar dhe u kanë lëshuar rreth 1000 urdhra punëdhënësve për të nënshkruar kontrata me punëtorët e paregjistruar dhe për t'u dhënë atyre pagën e tre muajve, sipas ministrisë së punës dhe politikave sociale.
"Ndryshimet në ligjin e punësimit vendosën gjoba minimale ndërmjet 6000 dhe 7000 euro dhe sigurojnë bazën për një politikë të unifikuar", tha ministri i punës dhe politikave sociale, Spiro Ristovski, për SETimes.
Kjo është një lëvizje në drejtimin e duhur, argumenton Alexandra Filipovska dhe Valentina Angelovska.
"Rreth 2 miliard euro pastrohen çdo vit nëpërmjet biznesit të paligjshëm dhe të paregjistruar. Ata që duan të rrisin fitimet duke mos paguar taksa, duke fshehur statusin e punonjësve të tyre, dhe ata që shesin nëpër rrugë, po rrjedhin pothuajse një buxhet të tërë vjetor të shtetit," thanë ato.
Nikola Popovski tha se sektori informal është rezultat i dy faktorëve. "Së pari, për shkak të aktiviteteve të paregjistruara nga personeli mjekësor, bizneset e vogla si firmat e bojaxhinjve dhe shërbimeve si ai hidraulik të cilët mbijetojnë dhe përfitojnë nga që nuk janë regjistruar. Këto megjithatë, janë një pjesë e vogël e sektorit informal".
"Problemi më i madh", shtoi Popovski, "janë firmat e mëdha, veçanërisht në ndërtim, ku është i angazhuar numri më i madh i njerëzve që punojnë në mënyrë informale".
Komentuesi Aleksandar Peshev argumenton se sektori informal është një nga faktorët kryesorë që garantojnë paqen sociale. "Personat që punojnë jozyrtarisht janë renditur si të papunë dhe si të tillë ata marrin përfitime shëndetësore dhe kompensim nga shteti. Atyre i paguhen të holla në dorë, dhe çështja e pensionit përcaktohet në bazë të moshës së tyre," tha Peshev.
Por ekonomia gri do të thotë që nuk paguajnë taksat dhe që ka një efekt domino dhe pasoja për buxhetin e shtetit sa herë që përgatitet për çdo vit fiskal, sipas analistit ekonomik Visar Ademi.
"Kjo sjell normalisht më pak të ardhura për të financuar shpenzimet publike si investime në infrastrukturën rrugore, shëndetësi, arsim dhe për mallrat publike, që shteti duhet të japë me çdo buxhet", tha Ademi.
Blagoj Mitevski pajtohet duke thënë se politikat ekzistojnë për t'i shërbyer ekonomisë dhe për ta përmirësuar atë. "Ndërhyrjet e qeverisë janë të nevojshme për të lehtësuar procesin e transferimit të tyre nga ekonomia 'gri' për ekonominë 'e bardhë'," tha ai.
Duke pranuar se procesi do të ketë shpenzime, Mitevski u bën thirrje punëtorëve të sektorit informal. "Transferimi i të gjitha këtyre bizneseve do të prodhojë përmirësim për të gjithë shoqërinë, dhe ata që bëjnë pjesë në sektorin gri duhet ta kuptojnë atë," tha ai.
Qeveria duhet të vazhdojë të krijojë vende pune që masat të jenë efektive, tha Pelagija Mladenovska. Ajo u referohet fondeve nga buxheti i shtetit si ai ekzistues prej 4.5 milion eurosh i Agjencisë së Punësimit në Maqedoni.
"Agjencia organizon klube dhe kurse për të papunët, sepse një pjesë e tyre nuk kanë kualifikime. BE-ja po ndihmon me një grant prej 1.3 milion euro për të ndihmuar 8000 të papunë të përmirësojnë aftësitë e tyre konkurruese," tha ajo.
BE-ja njoftoi për një këst të ri prej 2.3 milion euro këtë vit të destinuar për projekte të veçanta për të ulur papunësinë.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes