03/10/2008
Shumë turq thonë se janë ngopur me ndalimet në qindra sajte të internetit, duke përfshirë YouTube, WordPress.com, Google Groups dhe më së fundmi uebsajtin e një autori të shqquar britanik, Richard Dawkins.
Nga Ajhan Shimshek për Southeast European Times -- 03/10/08
![]() Autori britanik Richard Dawkins. [Getty images] |
Ndalimet e internetit janë bërë një ndodhi e shpeshtë në Turqi, falë rrugëdaljeve nga rregullat dhe një kuadër i zbehtë ligjor. Vetëm këtë vit, autoritetet bllokuan aksesin në të paktën 1,112 sajte pas ankesave në drejtorinë e telekomunikacineve apo gjykatat. Rasti më i fundit përfshiu uebsajtin e Richard Dawkins, një teoricien i shquar evolucionist.
Një gjykatë e Stambollit urdhëroi mbylljen e www.richarddawkins.net muajin e shkuar pasi Adnan Oktar, autori i një teksti anti-evolucionist të quajtur Atllasi i krijimit, pretendoi se sajti shpifi ndaj karakterit të tij. Libri i Oktar përmbante fotografi që me nënkuptim tregojnë gjallesa të paprekura nga ndryshimi evolucionist.
"Këto gjëra të gjalla kanë mbijetuar për milion vjet pa ndryshimin më të vogël në strukturat e tyre. Fakti që këto insekte nuk ndryshuan kurrë është një shenjë se ato nuk kanë evoluar kurrë," shkruante Oktar.
Sipas Dawkins, disa nga "kafshët" e treguara qenë në fakt karrema peshqish ndërkohë që Oktar thjesht i ngatërroi me të tjerë.
Blogerët janë të zemëruar me ndalimin. "Mirsevini në Mesjetë," shkruan Tinca në sansuresansur.org, duke bërtitur për atë që e quan si një "praktikë të re të djegies së librave". Baroni, një student që jeton në Ankara, u bën thirrje lexuesve të "pretendoni të drejtën tuaj në internet". Imazhi ndërkombëtar i Turqisë po merr një goditje për shkak të ndalimeve, shton Baroni, duke thënë se vendi rrezikon të bashkohet me vende të tilla si Pakistani dhe Arabia Saudite.
Ndoshta në të ardhmen, shkruan ai, turqit nuk do të lejohen të përdorin Facebook; i vetmi opsion i tyre në rrjet social do të jetë habibmol.com, një sajt për beqarët islamikë.
Turqve që dëshërojnë të mësojnë për shkencën u është ndaluar aksesi tek Richard Dawkins po fatmirësisht ne kemi Adnan Oktarin për t'i ndihmuar ata, bën shaka eksisozluk. Që kur është shpërndarë pa para libri i "Harun Jahja" (emri i shkrimeve i Oktar), shton ai, interneti as që është bile i nevojshëm!
Emre Kizilkaja është një gazetar i ri turk. Në blogun e tij, istanbullian, ai kritikon ndalimin e Dawkins dhe paralajmëron për një problem më të gjerë në shoqërinë turke.
"Ndoshta ne kemi kulturën e të ndaluarit të gjërave. Edhe fjala 'ndalim' (yasak) i bën disa njerëz të çlirohen në Turqi," shkruan Kizilkaja. Si provë ai poston 20 fotografi të shenjave publike. Ato deklarojnë të ndaluar, për të përmendur disa: përshtytjen, mbajtjen përdore, shkrimin në bimësi, luajtjen futboll në fushta e tenisit, përdorimin e një çakmaku apo shkrepse për të parë për rrjedhjet e benzinës, uljen jo të përshtatëshme në nevojtore apo kryerjen e vetëvrasjes për shkak të një të dashuri jo besnik.
Një blog i ri, yasaklisiteler, ka për qëllim të vëzhgojë ndalimet e internetit. Sipas sajtit, ndalimi i Dawkins pason ato të mëparshmet në uebsajtet evolucioniste, duke përfshirë ateizm.org. Turqia kufizon jo vetëm uebsajtet që ofrojnë porno apo nxisin dhunën por gjithashtu ato që janë kundër sistemit mbizotërues politik dhe besimeve fetare, sugjeron blogu.