18/04/2008
Dramaturgia dhe blogerja e B92 Biljana Srbljanoviç është në garën e 11 majit për kryebashkiake e kryeqytetit të Serbisë. Shokët e saj blogerë kanë shumë për të thënë për kandidaturën e saj.
Nga Zheljana Grubishiç për Southeast European Times – 18/04/08
![]() Biljana Srbljanoviç. [EXIT.org] |
Biljana Srbljanoviç, një dramaturge e shquar serbe e njohur për aktivizmin e saj politik, është e propozuara e Partisë Demokratike Liberale për kryebashkiake e Beogradit. Partia e përshkruan atë si një "qytetare të vërtetë të Evropës", duke thënë se ajo është "e përgatitur të vërë integritetin e saj në një projekt politik".
Për dy vitet e fundit, blogu i Srbljanoviç në B92 ka shërbyer si një mjet për kritikën prej saj të klasës politike. Tani, propozimi i saj nga LDP ka nxitur debat të gjatë midis shokëve të saj blogerë.
Ceda Urosevic mbështet kandidaturën e saj, duke dhënë 31 arsye se pse Srbljanoviç duhet të bëhet kryebashkiakja e ardhëshme. Midis gjërave të tjera, pretendon ajo, ajo do të "futë normat evropiane në jetën e qytetarëve të Beogradit" dhe "do të eleminojë bashkëpunimin midis autoriteteve të qytetit dhe biznesmenëve të fuqishëm".
Srbljanoviç ka tolerancë zero për krimin dhe vjedhjen dhe nuk është "një demagoge, gënjeshtare dhe hipokrite", shton ajo.
Jo gjithkush është i bindur. "Biljana nuk jeton në Beograd dhe ajo i sheh problemet e tij nga këndvështrimi i rrethanave të veta," argumenton Vracarac. "Asaj i mungojnë aftësitë e nevojshme për kryebashkiakun e një qyteti me 2 milion banorë, siç e ka thënë edhe vetë disa herë. Dashuria për Beogradin nuk e kualifikon askënd për t'u bërë kryebashkiak i tij."
Downgreeter, nga ana tjetër, është entusiast. "Natyrisht që do të votoj për Biljana Srbljanoviç. Do të votoj për të sepse ajo simbolizon aktivitetin qytetar . Ajo është zë i edukuar, i kulturuar, jopartizan i cili gjatë viteve ofron sens të përbashkët pavarësisht nga të zezat e hijet e hedhura mbi të nga media 'e duhur'. Ajo është një person që ngriti zërin e saj për diçka që beson, jashtë çdo konstruksioni partie dhe pa çfardo synimi ndaj përfitimit personal. Ajo është mishërimi i një idealisteje aktive, një shembull i ligjshëm për cilindo që do të donte që zëri i tyre të dëgjohej."
Colin bgd shikon si pro dhe kundra. "Nuk mendoj se Bil.S. është ai lloj kandidati që mund të sjellë energjinë e nevojshme, veçanërisht nga që identifikohet me një parti politike që nuk ndryshon nga partitë e tjera as edhe një thërrime...Së dyti, për të besuar se dikush ka energji e aftësi për të bërë një ndryshim, unë dua së pari të shoh rezultatet. Suksesi në letërsi nuk është një kriter për suksesin në drejtimin e qytetit." Nga ana tjetër, sugjeron ai, zgjedhja e Srbljanoviç mund të ndihmonte t'i jepej fund "maktheve" të Beogradit.
"Do të thotë kjo pesë ura të tjera më shumë, 500 kopështe të reja fëmijësh apo 50,000 vende të reja parkimi për qytetin? Do ta shohim. Por ne sigurisht duhet të nisemi nga diku," përfundon ai.
Të tjerë kandidatë përfshijnë kryesuesit Dragan Gjilas i Partisë Demokratike dhe Aleksandër Vuçiç i Partisë Radikale Serbe, si edhe Aleksandër Popoviç i koalicionit Partia Demokratike e Serbisë - Serbia e Re. Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, kryebashkiaku nuk do të zgjidhet drejtpërdsëdrejti nga populli i Beogradit por nga anëtarët e asambleve lokale të zgjedhura nga votuesit.