Politika e grevave të urisë

08/12/2006

E shtynë burgimin e tij, pastaj e burgosën, pastaj e liruan pasi kërcënoi të vetëvritet nga mosngrënia. Blogerët kroatë vlerësojnë trajtimin gjyqësor të rastit të Branimir Gllavas.

Nga Balkanblogs për Southeast European Times – 08/12/06

photo

Branimir Gllavas (në mes) përshëndet përkrahësit pas një greve urie që zgjati më tepër se një muaj. Politikani 50-vjeçar, nën padinë për rolin e tij të dyshuar në krimet e luftës, u përjashtua nga partia qeverisëse HDZ e Kroacisë pas një grindjeje me Kryeministrin Ivo Sanader. [Getty Images]

Gjatë javës së shkuar, anëtari i paditur i parlamentit Branimir Gllavas u bë përsëri një çështje diskutimi midis blogerëve kroatë. Gllavas është nën padi për rolin e tij të dyshuar në krimet e luftës të kryera kundër civilëve serbë në Osijek, Kroaci në 1991. Ai u lirua së fundmi nga paraburgimi për arsye shëndetësore, pas një greve urie 37-ditore.

Gllavas qe në gjendje të bënte atë që shumë vetëm e ëndërrojnë: ai bashkoi të gjithë Kroacinë, shkruan Croatian Nauseous News.

"Nga e majta dhe nga e djathta, gjithkush është dakord me një gjë: gjyqësori kroat është katastrofik. I vetmi ndryshim është se ca mendojnë se vendimi i gjyqësorit për ta vënë Gllavas në paraburgim ishte shkatërrimtar ndërsa të tjerët thonë se gjyqësori veproi rrënueshëm për shkak se nuk e paraburgosi Gllavas në kohë apo pse e la të lirë përsëri."

Me besimin e shtetasve në kulmin e vet, Kryeministri Ivo Sanader duhet të rrokë çastin dhe të riparojë sistemin gjyqësor, sugjeron blogu, duke shprehur dyshim megjithatë se kjo ka gjasa të ndodhë.

Jajo në Hrvatske biljeske peshon ndikimin mbi rastet e ardhshme ligjore.

"Kur vjen puna te kjo histori, një gjë është e qartë: ka më shumë pyetje se përgjigje," shkruan ai. "Një nga pyetjet që më erdhi në mend është në se vendimi i gjykatësve hetues përbën një precedent të rrezikshëm që mund të përdorej nga të gjithë të paraburgosurit e ardhshëm që nuk janë të kënaqur. Dhe natyrisht është pyetja të jepesh nën këtë presion apo t'i mbash ata në paraburgim edhe në qoftë se ata mund të vdesin."

Duke shkruar në pollitika, Cika Velja krahason Glavas me politikanin ultranacionalist serb Vojislav Sheshelj që thuhet se është pranë vdekjes pas një greve urie në Hagë.

"Gllavas dhe Sheshelj qenë mbrojtës të sjelljes radikale ndaj atyre që i shihnin si armiqtë e tyre," shkruan ai. "Ata patën rastin të kryenin krimet për të cilat janë akuzuar. Në se ata vërtet i kryen këto krime (apo ndoshta qenë përgjegjës në ndonjë tjetër mënyrë) është një çështje dytësore për momentin, veçanërisht për mbështetësit e tyre (dhe për kundërshtarët e tyre gjithashtu)."

"Të dy ata po përdorin grevat e urisë dhe procesin gjyqësor, si edhe krimet e kryera, për të fituar ndikim politik. Të dy duan ta vënë veten në afat të gjatë si ikona politike të një farë grupi njerëzish të pakënaqur dhe në këtë mënyrë të sigurojnë rëndësinë e tyre. Nuk ka ndryshim thelbësor midis të dy atyre dhe këtë ata e demonstruan me këtë grevë. Vetëm se grupi i njerëzve të pakënaqur nuk mund ta shohë këtë. Ata janë njerëz që i klasifikojnë krimet në 'tonat' dhe 'të tyret', " përfundon Cika Velja.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading