21/01/2013
Kushtet e këqija ekonomike çuan në numra të mëdhenj të punëtorëve të padokumentuar.
Nga Katica Gjuroviç për Southeast European Times në Beograd -- 21/01/13
![]() Punët sezonale si ndërtimi tërheqin numrin më të madh të punëtorëve të padokumentuar. [Katica Gjuroviç/SETimes] |
Milijana Bozhiç ka punuar si banakiere për gati dhjetë vjet, por banorja 33 vjeçare e Beogradit nuk ka asnjë ditë të vetme të rregjistruar në të dhënat e saj të punësimit.
Ajo është mes qindra mijëra njerëzve në Serbi e vendet pranë që punojnë pa dokumente -- një pjesë e parregulluar e ekonomisë që çdo vit u kushton qeverive anembanë rajonit miliarda euro.
"Eshtë shumë e vështirë të gjesh një kontratë pune në këtë fushë," tha Bozhiçi për SETimes. "Eshtë më lirë për punëdhënësin tim të na paguajë pagën e përditshme me para në dorë në vend që të na rregjistrojë. U përpoqa të kem një kontratë, por kurdoherë thonë se ka njerëz të tjerë që janë gati të punojnë pa u rregjistruar kështu që nuk kam zgjedhje tjetër veçse të punoj kështu."
E ashtuquajtura ekonomi në hije është një çështje kritike në Ballkan, duke penguar ekonomitë nga zhvillimi siç duhet dhe konkurrimi në ekonominë globale. Një raport i Bankës Botërore dalë vitin e kaluar vionte në dukje se ekonomia në hije e vendeve të Evropës lindore shkon nga 17 përqind në 33 përqind të GDP-së.
Për shkak se punëtorët e padokumentuar nuk paguajnë taksa apo nuk kanë pagat e tyre të njohura nga qeveria, në shumë raste ata nuk mund të provojnë se kanë mjaft të ardhura për të blerë shtëpi, automobilë apo tokë. Dhe për shkak se as ata as punëdhënësit e tyre nuk paguajnë taksa mbi pagat, shteti privohet nga paratë e taksave të duhura për infrastrukturën, restaurimin e mjedisit apo programet për të ndihmuar veteranët apo ata në nevojë.
Rrjeti Ballkanik për Punën e Hijshme, një grup OJQ-sh nga rajoni, studion numrin e njerëzve të përfshirë në çdo lloj pune të parregulluar e lufton kundër saj. Punësimi i paligjshëm i kushton Serbisë 1 miliardë euro në vit, sipas grupit.
Në Serbi, fushat e tyre Crno na Belo (E Zeza në të Bardhë) nisi dhjetë muaj më parë. Grupi shkon te njerëzit e prekur nga kjo prirje, i ndihmon të njohin të drejtat e tyre e raporton punëdhënësit.
"Në këtë moment, ka mes 300,000 e 1 milionë punonjës në tregun e zi [në Serbi]. Ky është një rreth magjik sepse shtetasit dëshirojnë çdo lloj pune, punëdhënësit duan minimum [kosto për të bërë] biznes e shteti do paqe shoqërore. Ky është një traktat tre-palësh," tha për SETimesAndjelka Markoviç nga fushata Crno na Belo.
Ekonomia e fshehtë në rritje është më e përhapur në sektorë sezonalë si konstruksioni, transporti, tregtia, bujqësia e shërbime shtëpiake. Ajo ushqehet nga nivelet e larta të papunësisë e një rritje e numrit të njerëzve të varfër që nuk kanë zgjedhje përveçse të punojnë, pavarësisht nga rrethanat.
Draguljub Peuraca, drejtor i inspektoratit të punës të Ministrisë serbe të Punës, Punësimit e Politikave Shoqërore, tha se puna e tregut të zi është një problem i zakonshëm në Serbi e vendet e tjera në tranzicion.
"Shtetasit duhet të kenë një rol më aktiv në luftën kundër punës së parregulluar," tha Peuraca përSETimes. "Punonjësit duhet të njoftojnë punën e tregut të zi ndërsa janë ende në punë e të mos presin derisa të humbasin vendin e punës. Përndryshe, nuk kemi mundësi që të përcaktojmë akuzat e tyre pasi nuk ka prova se kanë punuar."
Në Malin e Zi, punët sezonale gjatë sezoneve kulmore turistike janë parajsë për punëtorët e parregjistruar. Shumica e punëtorëve janë nga vende të tjera nga rajoni e nuk kanë leje pune për në Malin e Zi.
Një sondazh i Sindikatës së Lirë Malazeze më 2008 për 178 ndërmarrje zbuloi se rreth 35,000 punonjës (22.6 përqind) ishin pa dokumente.
Gjendja nuk është më e mirë në Greqi, ku Sonja Maras, një greke 25-vjeçare me origjinë serbe punon si shoqëruese në një restorant në Selanik. Ajo merr një të tretën e pagës me para në dorë dhe pjesën tjetër të rregjistruar.
"Tani nuk mund të marr një kredi pasi paga ime me letra është kaq e ulët," tha Marasi përSETimes.
![]() Recesioni i Greqisë ka rritur papunësinë gjithandej, por ekonomia e fshehtë mbetet 24 përqind e PKB-së së vendit. [AFP] |
Sipas një raporti të Reutersit, puna e parregjistruar në Greqi po rritet pasi punë-kërkuesit bëhen të dëshpëruar e bizneset e mbetura pa para përpiqen të kursejnë nga kontributet për shtetin. Në gjysmën e parë të 2012-tës, punonjësit e parregjistruar llogariteshin në 35 përqind të rreth 30,000 punonjësve gjatë kontrolleve nga Inspektorati i Punës i Greqisë. Një raport i Komisionit Evropian tregonte se recesioni i Greqisë kontribuoi me një pakësim prej 4 përqind të ekonomisë së fshehtë mes 2003-tës e 2012-tës.
Institucioni i Sigurimeve Shoqërore të Turqisë ka disa nisma për të luftuar punësimin e parregjistruar. Që nga futja e reformës së sigurimeve shoqërore më 2008, pjesa e punëtorëve të parregjistruar ra nga 45.6 në 37 përqind.
"Turqia ka fituar rritje të fortë e të qëndrueshme dhe krijim të vendeve të punës e ka një kohë që lufton me punësimin e parregjistruar, por reformat e mëtejshme në tregun e punës do të rrisin këtë vrull duke bashkuar më shumë forcë punëtore në sektorin e rregjistruar," tha përSETimesTurkan Dagoglu, zëvendës/kryetar i Komisionit parlamentar të Punësimit.
Ekonomia e parregjistruar në Bullgari kapërcen 30 përqind, tha Kamen Kolev, zëvendës/kryetar i Shoqatës Industriale Bullgare. Ai shtoi se niveli i punësimit të padeklaruar ishte edhe më i lartë.
"Punëtorët preferojnë të mbajnë sa më shumë të jetë e mundur nga paratë e pakta që marrin, kështu që në përgjithësi nuk mendojnë rreth rreziqeve të mundshme shoqërore të së ardhmes, si papunësia ose sëmundja," tha për SETimesNadezhda Daskalova, zëvendës/drejtore e Institutit për Sindikatat e Studimin Shoqërore të Konfederatës së Sindikatave të Pavarura në Bullgari (CITUB).
Në dekadën e kaluar, Bullgaria ka nisur rregjistrimin e detyrueshëm të kontratave individuale të punës, pragjet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore e taksat fikse mbi të ardhurat e fitimet e korporatave. Një nga masat më të fundit që kishte për qëllim uljen e numrit të punëtorëve të parregulluar ishte futja e një detyrimi ligjor për të gjitha ndërmarrjet tregtare për të lidhur rregjistrat e tyre të parave në sistemin e Agjencisë së të Ardhurave Kombëtare.
Ilir Berisha, drejtor i departamentit të statistikave ekonomike të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, tha për SETimes se agjencia nuk ka ndonjë metodë për matjen e parregjistrimit në ekonominë e Kosovës. Një projekt për të mbledhur informacion është planifikuar për 2014-tës ose 2015-tën, në pritje të fondeve në dispozicion, tha Berisha.
Sipas një studimi të botuar në prill 2012 në Revistën e Njohurisë së Administrimit, Ekonomiksë e Teknologjisë së Informacionit, të shkruar nga Florentina Krasniqi e Rahmije Topxhiu nga Fakulteti i Ekonomisë i Universitetit të Prishtinës, "vlerësimet e OBP-së e Bankës Botërore tregojnë se mbi gjysma e punësimit gjithsej në Kosovë është në ekonominë e parregjistruar."
Nikolae Vakaroiu, kryetar i Gjykatës së Llogarive të Rumanisë, zbuloi vitin e kaluar se Rumania humbet rreth 7 miliardë euro në vit për shkak të TVSH-së të kthyer ndërmarrjeve fantazma ose në bazën e faturave të rreme.
Ekonomia e parregjistruar e Rumanisë është vlerësuar në rreth 41 miliardë euro, që është diçka më pak se 30 përqind e PKB-së së vendit, sipas statistikave më të fundit të Komisionit Evropian që mbulojnë 2011-tën. Rumania renditet e dyta midis 27 vendeve komunitare lidhur me shtrirjen e ekonomisë së parregjistruar, Bullgaria vjen e para me ekonominë e saj të paligjshme të vlerësuar në më shumë se 32 përqind të PKB-së, sipas të njëjtave shifra.
Korrespondetët e SETimes Paul Kiokoiu në Bukuresht, Svetlla Dimitrova në Sofje, Menekshe Tokjaj në Stamboll dhe Linda Karadaku në Prishtinë kontribuan në këtë raport.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes