09/08/2010
Pas një ndërprerjeje shtatë vjeçare nga politika, ish kreu i Social Demokracisë Zharko Rakçeviç kthehet me një kërkim për një Mal të Zi të ndryshëm.
Nga Nedjeljko Rudoviç për Southeast European Times në Podgoricë – 09/08/10
![]() Zharko Rakçeviç. [AFP] |
Zharko Rakçeviç, një ish udhëheqës i Social Demokratëve qeverisës, ndihmoi drejtimin e lëvizjes për pavarësinë e Malit të Zi. Lufta, i tha ai SETimes, nuk ishte vetëm për sovranitet, por gjithashtu për demokraci, prosperitet dhe respekt.
"Ne duhet të jemi të kënaqur me arritjen e ëndrrës sonë, rivendosjes së pavarësisë së Malit të Zi dhe orientimit evro-atllantik. Megjithatë, stanjacioni ekonomik, rritja e tensioneve sociale dhe varfëria, krimi i organizuar e korrupsioni po kërcënojnë seriozisht themelet e vendit tonë dhe reputacionin e tij," tha Rakçeviç.
Një ish aleat i kryeministrit Milo Gjukanoviç, Rakçeviç nuk do që të jetë një shikues i heshtur. Së bashku me një grup intelektualësh, sipërmarrësish dhe ish zyrtarësh qeveritarë, ai ka formuar Forumi 2010 me qëllimin e ndryshimit të mjedisit politik e social të Malit të Zi nëpërmjet përfshirjes së publikut.
Ish ministri Branko Lukovac dhe këshilltari i kryetarit të asamblesë së përgjithëshme Blagoje Grahovac janë midis figurave të shquara që kanë nënshkruar.
"Në Malin e Zi, një numër i rëndësishëm njerëzish të shquar e me ndikim do të donin të tregonin dhe t'u hiqnin maskën disa prej çështjeve dhe të ndihmonin për të siguruar që gjërat shkojnë në tjetër udhë," tha Rakçeviç. "Forumi nuk ka detyrim dhe mision të merret politikisht me çështjet e përditëshme. Ne po këmbëngulim në dialogun midis strukturave; ne propozojmë zgjidhje për krizën."
Rakçeviç tha se ai "nuk mendon se Mali i Zi ka një qeveri të përgjegjëshme, por Malit të Zi i duhet një program i qartë dhe një opozitë e përgjegjëshme".
Me një opozitë të përgjegjëshme, ai kupton një të tillë që punon për t'ju drejtuar çështjeve që ndesh vendi, jo një që do të kthejë orën prapa në pavarësinë. "Forumi do të bashkëpunojë strategjikisht me këto forca sociale që duan një ndryshim në Malin e Zi dhe jo ndryshimin e shtetit dhe statusit ligjor të Malit të Zi," tha ai.
Kriza ekonomike
![]() Forum 2010 ka për qëllim të ndryshojë mjedisin politik e social të Malit të Zi nëpërmjet përfshirjes publike. [Getty Images] |
Forum 2010 organizoi kohët e fundit një diskutim në tryezë të rrumbullakët se si të dilet me krizën ekonomike.
"Qeverisë, në dekadën e shkuar, veçanërisht në periudhën e zgjerimit ekonomik pas pavarësisë, i ka munguar mundësia për të përshpejtuar reformat strukturore në ekonomi," tha ai, duke cituar si probleme burokracinë, një klimë të papërshtatëshme biznesi, tepër shumë spekullime financiare dhe konsumimin e pamatur.
Ai propozon që politika e zhvillimit të ardhshëm të përqëndrohet në masat që mund të bëjnë të ndodhë përmirësim i gjerë ekonomik.
![]() Kryeministri Milo Gjukanoviç ka lënë padyshim vulën e tij në historinë e politikën e Malit të Zi gjatë dy dekadave të fundit, tha Rakçeviç. [Getty Images] |
"Shteti nuk duhet të harxhojë para nga FMN, që janë të kufizuara sepse janë shumë pak norma krediti, në një apo dy projekte infrastrukture, efektet e të cilave mund të ndihen vetëm pas shumë vitesh," tha ai duke përmendur si një shembull energjinë e hidrocentraleve."Interesi publik kërkon që përparësia në marrje borxh të vihet në programe të mira që do të mund të aktivizonin shpejt dhe me efektshmëri ekonominë malazeze, të rritnin punësimin dhe eksportin dhe të përmirësonin standardet e jetesës."
Për Gjukanoviç
Si një ish partner politik i Gjukanoviç, ushëheqësi i Malit të Zi që nga 1991, Rakçeviç punoi krah për krah me të gjatë kohës më të turbullt politike të vendit.
"Në dritën e ndryshimit të politikës së tij në fund të viteve 1990, nga një përkrahës i bashkimit me Serbinë në një shtytës për Malin e Zi të pavarur, dhe si partner i koalicionit të tij e si bashkëpunëtor, unë kam respekt për kontributin e tij vendimtar në ripërtëritjen e shtetit të Malit të Zi," tha Rakçeviç.
Aftësitë politike dhe karizmi i Gjukanoviç kanë lënë pa dyshim gjurmën e tyre në dy dekadat e fundit, tha ai. Por ai beson se është koha për Gjukanoviç të tërhiqet nga politika me qëllim të "lejojë ndryshimin e qeverisë dhe të sjellë dinamikat e nevojshme pozitive social-politike".
Një referendum mbi NATO-n
Forum 2010 mbështet integrimin e Malit të Zi në NATO. Rakçeviç e bëri të qartë se një vendim i tillë duhet të bëhej me një referendum.
"Në Forum 2010 ne jemi të ndërgjegjshëm për kompleksitetin e kësaj çështjeje sepse ne analizuam si avantazhet dhe rreziqet e padiskutueshme të hyrjes në NATO. Pozicioni ynë gjeografik dhe përmasa e Malit të Zi, përvoja e tij historike në Ballkan, marrëdhëniet me fqinjët dhe orientimi i pamohueshëm pozitiv drejt vlerave dhe arritjeve evro-atllantike përcaktojnë mbështetjen tonë për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO," tha Rakçeviç.
Megjithatë, ai mendon se Mali i Zi u nxitua të dërgonte trupa në Afganistan.
"Përmbajtja, karakteri i marrëdhënieve, mënyra dhe gjendja e pjesëmarrjes së Malit të Zi në sistemin kolektiv të sigurisë kërkon shumë njohuri e profesionalizëm si dhe një urtësi strategjike e përgjegjshmëri prej burri shteti. Urgjenca me të cilën ne ju bashkuam misionit në Afganistan, në pikpamjen tonë, nuk është një shembull i mirë i kësaj qasjeje," tha Rakçeviç.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes