08/02/2010
Më shumë se 100 atletë nga 11 vende të Europës Juglindore do të marrin pjesë në Lojrat e 21-ta Olimpike Dimërore në Vankuver. Sa prej tyre do të ngjten në podiumin e medaljeve? Cinikët thonë, asnjë, për të tjerët shpresa lulëzon këtë dimër.
Nga Svetla Dimitrova për Southeast European Times në Sofje -- 08/02/10
![]() Vendet për garat e snoubording dhe haf-pajp janë caktuar në Malin Cypress, British Columbia, Kanada. [Getty Images] |
Lojrat Olimpike Dimërore fillojnë më 12 shkurt duke sjellë në Vankuver, British Columbia 2,500 atletë nga e gjithë bota. Ato mbyllen dy javë më pas. Në garën për të artat do të jenë 105 atletë nga 11 vende të Ballkanit.
Kosova është i vetmi vend i Europës Juglindore që nuk merr pjesë në Lojrat e 21-ta Dimërore. Bashkë me Slloveninë, Kroacia është i vetmi vend nga republikat ish-jugosllave që ka fituar medalje në Olimpiadën Dimërore, në paraqitjen e parë të saj më 1994, kur lojrat u zhvilluan në Lilehamer.
Skiatorët alpinë Erjon Tola, 23 vjeç nga Shqipëria dhe Bojan Kosiç, 19 vjeç nga Mali i Zi , do të jenë përfaqësuesit e vetëm të vendeve të tyre ne Vankuver.
Kur Tola konkurroi në sllallomin gjigand "Super-G" për meshkuj në Lojrat e Dimrit të 2006 në Torino, kjo shënoi debutin olimpik dimëror të Shqipërisë. Ai është renditur i 35-i në botë në këtë sport, paraqitja më e mirë e tij deri tani.
Qiproja ka dërguar gjithashtu skiatorë alpinë: Kristofer Papamikalopulos, i cili do të konkurojë në veprimtaritë për meshkuj dhe 19 vjeçarja Sofia Papamikalopulos, e cila do të marrë pjesë si në sllallomin e femrave, ashtu edhe në atë gjigand.
Torino 2006 ishte e vetmja Olimpiadë Dimërore në të cilët atletët nga Serbi-Mali i Zi morën pjesë në të njëjtin ekip. Lojrat e Vankuverit do të shënojnë debutin e tyre si vende konkurruese të pavarura.
Serbia po dërgon 11 atletë në Vankuver, duke përfshirë konkurrentët e bobsled Sllobodan Matijeviç, Vuk Radjenoviç, Igor Sarçeviç dhe Millosh Saviç. Ekipi serb përfshin gjithashtu skiatorët alpinë Jelena Loloviç, 28 vjeç dhe Nevena Ignjatoviç, 19 vjeç; së bashku me dy snouborder, një çift skiatorësh të garave të gjata dhe një konkurrent biathloni.
Konkurrimi do të jenë Lojrat e pesta Olimpike për Bosnjë dhe Herzegovinën (BiH) që debutoi më 1994 në Lillehamer. BiH po dërgon gjashtë atletë, duke përfshirë skiatorët alpinë Zana Novakoviç, Maja Klepiç dhe Marko Rudiç, ashtu si edhe Kosarac në biatlon dhe skiatori i garave të gjata Mladen Plakaloviç. Tanja Karisik do të marrë pjesë si në biathlonin e femrave dhe garat e gjata.
Lojrat e ardhshme në Kanada shënojnë pjesëmarrjen e katërt në Lojrat Olimpike të Maqedonisë si një vend i pavarur. Ekipi prej tre anëtarësh përfshin skiatorin Antonio Ristevski dhe skiatorët e garave të gjata Darko Damjanovski dhe Rosana Kiroska.
![]() Ivica Kosteliç i Kroacisë gjatë turit të parë të sllallomit gjigand në Kranjska Gora. [Getty Images] |
Gjashtë nga shtatë medalje olimpike fituar nga Kroacia i takojnë skiatores tani të tërhequr Janica Kosteliç, që fitoi tre medalje të arta dhe një argjëndi në Olimpiadën Dimërore të 2002 në Salt Lake City. Ajo i shtoi një tjetër të artë dhe një tjetër të argjendë koleksionit të saj në Torino.
Vëllai i Janicës, 30 vjeçari Ivica Kosteliç, doli në podium në Lojrat e 2006 në Itali, duke marrë të argjendën në garën "e super-kombinuar" të meshkujve. Ka shpresë se ai do të marrë të artën në Vankuver. Ndonëse është konsideruar një nga skiatorët më të mirë të botës, ndryshimet në rregullat këtë vit e bëjnë më të vështirë për Kosteliç që të paraqitet mirë.
Ekipi prej 18 vetësh i Kroacisë përfshin nëntë skiatorë të tjerë alpinë, mes tyre Natko Zrnçiç-Dim, i cili fitoi medaljen e bronxit në garën e super-kombinuar; Ana Jelushiç, e cila përfundoi e 15-a në sllallomin e femrave në Torino në moshën 19 vjeç.
Ekipi kroat përfshin gjithashtu katër konkurrentë të bobsledit, dy biathlonistë dhe dy skiatorë të garave të gjata.
Lojrat e Vankuverit do të jenë të 18-at Lojra Olimpike për Bullgarinë dhe të 17-at për Greqinë. Të dy vendet dërguan ekipet e tyre të para dimërore në Lojrat e 1936, të organizuara bashkërisht nga qytetet gjermane Garmish dhe Partenkirshen.
Greqia, e cila nuk ishte në lojrat e 1960 në Squaw Valley, California nuk ka fituar medalje olimpike dimërore. Bullgaria ka gjashtë, një nga to, të artë.
"Nuk po shkojmë në Vankuver për të fituar medalje; do t'ua lëmë këto profesionistëve," tha Vasilis Katsoras, administrator i ekipit grek. "Po shkojmë për të bërë një shfaqje të respektueshme dhe të ngremë flamurin aq lart sa të jetë e mundur. Çdo vend në 30 të parët në gara ku marrin pjesë 100 deri 120 atletë, për ne është i barasvlefshëm me fitimin e një medaljeje."
Vasilis Tsakiris, 45 vjeç, një skiator i garave të gjata që do të bëjë daljen e tij të pestë në Olimpiadat Dimërore, u zgjodh të mbajë flamurin bardhë e blu grek në "paradën e vendeve" gjatë ceremonive të hapjes.
![]() Aleksandra Jekova e Bullgarisë (lart) konkurron ndërsa Simona Meiler e Zvicrës rrëzohet gjatë finaleve të Kupës Botërore të Snowbordkros të FIS 2010 më 19 dhjetor 2009 në Telluride, Colorado. [Getty Images] |
Vajza e tij, 19 vjeçarja Panajota Tsakiri, është një konkurrente biathloni, e trainuar nga i ati i saj. Ajo shkon në Vankuver me dy skiatorë të tjerë alpinë dhe tre skiatorë të garave të gjata.
"Suksesi për një atlet është të japë 100%; do të jetë një sukses për mua, personalisht, nëse kaloj vendin e 23-të që arrita në Torino," tha skiatori alpin grek Vasilis Dimitriadis.
Tsakiris dhe konkurruesi i Kroacisë, 48 vjeçari Ivan Sola, janë midis atletëve më të vjetër që marrin pjesë në Olimpiadat Dimërore.
Shpresat e Bullgarisë për medalje të reja në Vankuver janë mbërthyer në veteranen e vendit, skiatoren e pistave të shkurtra Evgenia Radanova. Kjo 32-vjeçare fitoi të argjendën në veprimtarinë 500 metra për femra në Torino më 2006 dhe fitoi një të artë dhe një të bronxit në Salt Lake City më 2002.
Skiatorja e snouboarder Aleksandra Jekova, 22 vjeç, është konsideruar një pikë e ndritshme për Bullgarinë. Ajo fitoi një medalje të argjendë në Kupën Botërore në Kahpelko, Argjentinë në shtator dhe përfundoi e shtata në veprimtarinë e dhjetorit në Telluride, Colorado.
Rumania është gati të bëjë daljen e 19-të në Olimpiadat Botërore. Ajo mban tre medalje bronxi nga Lojrat e 1968 në Grenoblë, Francë dhe ekipi i saj kombëtar është më i madhi në Ballkan, me 32 atletë.
Tre nga anëtarët e ekipit rumun, biathlonisti Reka Ferencz, 20 vjeç dhe skiatorët e garave të gjata Paul Konstantin Pepene, 21 vjeç dhe Petrica Hoagiu, 18 vjeç, kanë marrë secili medalje në garat e kohëve të fundit.
Ferencz mori të artën në garën individuale 12.5 km në Kupën Botërore të Biathlonit për të rinj në Suedi. Papene përfundoi i pari në garën 30 km në Kupën Botërore të Garave të Gjata për Ski për të rinjtë në Hinterzarten, Gjermani, ku Hoagiu fitoi të artën në garën e femrave 20 km.
![]() Tugba Karademir e Turqisë shket në Programin e Shkurtër të Femrave më 14 nentor 2009 në Grand Prix ISU 2009 për Serinë e Shkarjes me Figura në Lake Placid, NY. [Getty Images] |
Pjesëmarrja e parë e Turqisë në Olimpiadën Dimërore ishte në Garmish-Partenkirshen më 1936. Ata ende nuk kanë fituar ndonjë medalje. Turqia do të përfaqësohet nga tre skiatorë të garave të gjata, dy skiatorë alpinë dhe skiatorja e figurave Tugba Karademir, që zuri vendin e 21-të në Torino.
Vendosur në bregun jugore të Paqesorit në Kanada, Vankuveri është qyteti i tretë kanadez që organizon lojra olimpike. Montreali organizoi lojrat e verës më 1976 dhe Kalgari bëri po ashtu me lojrat e dimrit më 1988.
Mungesa e dëborës në Cypress Mountain, vendi i shkarjes së lirë dhe veprimtarive të snoubordit të Lojrave, është një sfidë kryesore për Komitetin Organizator të Vankuverit (VANOC). Pas janarit më të ngrohtë të rregjistruar ndonjëherë, organizatorët morën masa drastike duke përfshirë transportin e kamioneve me dëborë nga 150 km larg dhe hedhjen në malin që shkrin.
"Nuk mendoj se ka ndonjë këtu që mendoi për një sekondë se do të kishim një janar pa dëborë, por kjo ndodhi," tha shefi i VANOC Xhon Furlong.
Kërling, hokej në akull dhe garat e shkarjes do të zhvillohen në Vankuver, vendi i hapjes dhe mbylljes së ceremonive. Vendpushimi malor Whistler, 125 km në veri të qytetit, do të presë skitë alpine, skitë e garave të gjata, hedhjen me ski, skitë e kombinuara nordike, garat e biathlonit së bashku me bobsled, skeleton dhe garat e luge.
Në këtë raport ndihmuan kontribuesit e Southeast European Times Antonio Prlenda në Sarajevë dhe Harri Tzanis në Athinë.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes