01/06/2009
Hapa të reja për të çuar përpara realizimin e tubacioneve të gazit Rrjedha e Jugut dhe Nabucco u ndërmorën në maj, duke zgjuar një fazë të re në konkurrencën tashmë të ashpër midis dy projekteve.
(Burime të ndryshëm-- 30/04/09 - 26/05/09)
![]() Ndërprerja e furnizmit me gaz rus të Europës bëri që Europa të rrisë përpjekjet për të shtuar burimet dhe rrugët e importeve të gazit. [Getty Images] |
Konkurrenca midis projekteve të tubacioneve Rrjedha e Jugut dhe Nabucco, të parashikuara të dyja për të pompuar gazin natyror në Europë, u përshkallëzua mprehtë pasi marrëveshje të reja, të njoftuara të dyja në një javë të vetme, i dhanë secilës një shtytje.
Përshpejtimi i Nabucco
Zyrtarë të lartë të BE, presidentët e Azerbaixhanit, Gjeorgjisë dhe Turqisë dhe ministri i naftës i Egjiptit nënshkruan një deklaratë në mbështetje të nismës së energjisë të Korridorit Jugor të BE, që përfshin projektin Nabucco, gjatë një mini-takimi të nivelit të lartë më 8 maj në Pragë. Sipas marrëveshjes, ndërtimi i tubacionit do të përshpejtohet, duke ndihmuar zvogëlimin e varësisë së bllokut 27 vendesh nga gazi rus.
Sipas planeve, tubacioni prej 3,300 km i Nabucco do të kalojë përmes Turqisë, Bullgarisë, Rumanisë dhe Hungarisë deri në Austri, duke transportuar 30 miliardë metra kub të gazit natyror kaspik në Europë për çdo vit, sapo të bëhet plotësisht funksional. Projekti, i cili ndeshi në vonesa të shumta që nga fillimi i tij në 2002, pritet tani të përfundojë deri më 2014.
Konsorciumi që do të ndërtojë dhe përdorë tubacionin prej 9 miliardë euro përfshin gjashtë ndërmarrje: OMV e Austrisë, Bulgargaz e Bullgarisë, MOL e Hungarisë, Transgaz e Rumanisë, Botas e Turqisë dhe RWE e Gjermanisë.
Pengesa të ndryshme, duke përfshirë grindje midis partnerëve dhe pasiguri nëse projekti mund të mobilizojë furnizmet e nevojshme për ta bërë atë financiarisht të besueshëm, janë fajësuar për vonesën e gjatë në realizimin e tubacionit. Një tjetër pengesë e madhe u hoq në takimin e Pragës pasi Turqia ra dakord të heqë kërkesën e saj për 15% të gazit të Nabucco për nevojat e veta. Ajo ka këmbëngulur gjithashtu në mbledhjen e një "takse" në gazin që hyn në tubacion në kufirin lindor të vendit.
"Ne kemi rënë dakord mbi tranzitin me bazë koston. Ne jemi shumë pranë një përfundimi," i tha së përditshmes britanike Guardian Komisioneri i Energjisë i BE Andris Piebalgs.
Sipas deklaratës së Pragës, Turqia dhe BE ranë dakord të përfundojnë bisedimet mbi një marrëveshje ndër-qeveritare mbi Nabucco "sa më shpejt të jetë e mundur" dhe ta nënshkruajnë atë deri në fund të qershorit në Ankara.
Rrjedha e Jugut nën ndikimin e Rusisë
Kazakistani, Turkmenia dhe Uzbekistani refuzuan të nënshkruajnë deklaratën përfundimtare. BBC citoi burime diplomatike të thonë se masa e tyre ishte për shkak të presionit nga Rusia, e cila mbështet projektin e Rrjedhës së Jugut.
Europa aktualisht importon rreth 150 miliardë metra kub gaz çdo vit nga Rusia, e cila mbulon çerekun e nevojave të saj. 80% e kësaj sasie transportohet nëpërmjet tubacioneve të kohës sovjetike në Ukrainë.
![]() Presidenti i Komisionit Europian Hoze Manuel Barroso (majtas) i tregon dokumentacionet Presidentit turk Abdullah Gul (djathtas) dhe Presidentit të Azerbaixhanit Ilham Alijev, pas nënshkrimit të planit të marrëveshjes së tubacionit Nabucco më 8 maj. [Getty Images] |
Një mosmarrëveshje çmimi midis Kievit dhe Moskës në janar shpuri në ndërprerjen e furnizimeve të gazit që shkoi deri në ndalim të plotë në rreth 20 vende europiane të prekura nga kriza.
I zhgënjyer nga ndërprerja e furnizimeve, BE rriti përpjekjet e tij për të shtuar burimet dhe rrugët e importeve të gazit për të frenuar varësinë e tij nga Rusia. Nabucco dhe dy tubacione të tjerë të përfshirë në nismën e Korridorit Jugor, të dyja që anashkalojnë Rusinë dhe Ukrainën, u përfshinë në listën e projekteve përparësorë të bllokut.
Moska do që tubacioni i Rrjedhës Jugore mbështetur nga Kremlini, një rrugë e re për eksportet e gazit natyror rus në Europë, të përfshihet gjithashtu në strategjinë e shumimit të burimeve për BE.
Gjatë një takimi më 15 maj në vendpushimin e Soçit të Detit të Zi, gjigandi rus i gazit Gazprom nënshkroi marrëveshje me ndërmarrjet energjitike kryesore të katër vendeve partnerë me qëllim që të përshpejtojnë zbatimin e prokjektit. Sipas marrëveshjes së arritur me Eni të Italisë, një aksioner tjetër në një ndërmarrje të përbashkët për të ndërtuar tubacionin, kapaciteti i Rrjedhës së Jugut u rrit nga planifikimi fillestar prej 31 miliardë metra kub gaz në vit, në 63 miliardë metra kub.
Masa nxiti më shumë shqetësime rreth varësisë së BE nga furnizimet ruse.
Marrëveshjet e veçanta nënshkruar me krerët e Bulgarian Energy Holding, ndërmarrjen greke të gazit natyror DESFA dhe Srbijagaz të Serbisë parashikojnë krijimin e ndërmarrjeve të përbashkëta për të kryer studimet e realizueshmërisë mbi ndërtimin e seksioneve të tubacionit në territoret e vendeve të tyre.
Rrjedha e Jugut përfshin një seksion prej 900 km nën Detin e Zi për të dalë në Bullgari ku do të ndahet në dy degë, e jugut nëpërmjet Greqisë për në Itali dhe e veriut nëpërmjet Serbisë dhe Hungarisë, e cila do të ketë të ngjarë të përfundojë në Austri nëse ajo bie dakord të bashkohet me projektin.
Bisedimet mbi përfshirjen e Sllovenisë janë në fazën përfundimtare të tyre dhe një marrëveshje është parashikuar të nënshkruhet në qershor, sipas njoftimeve.
Lufta për gazin
Ditën që marrëveshjet u nënshkruan në Soçi, Zëvendësi i CEO të Gazprom, Aleksander Medvedev tha se ndërmarrja e tij ishte gati të blinte të gjithë vëllimin e gazit nga fusha Shah Deniz-2 në Azerbaixhan, e cila është bërë gati për Nabucco.
"Ne besojmë se Gazprom do ta blejë këtë gaz me qëllimin kryesor të ofrimit të gazit pa probleme ndaj Europës," citoi e përditshmja ruse Moscow News të thoshte Natalja Milçakova, analiste e vjetër e gazit në ndërmarrjen financiare Otkritie. "Megjithatë, ne nuk përjashtojmë se qeveria, si aksionere kontrolluese e Gazprom, mund ta detyrojë ndërmarrjen të marrë një vendim të tillë me qëllim që të ekuilibrojë projektin e mundshëm konkurrues Nabucco."
![]() Zëvendësi i CEO i Gazprom, Aleksander Medvedev tha se ndërmarrja e tij ishte gati të blinte të gjithë vëllimin e gazit nga fusha Dhah Deniz-2 në Azerbaixhan, e cila ishte në plan për Nabucco. [Getty Images] |
Më 17 maj, OMV dhe MOL njoftuan një projekt prej 5.9 miliardë euro me Dana Gaz dhe Crescenty Petroleum të Emirateve të Bashkuara Arabe (UAE) që do të lejojë që ato të pompojnë gaz natyror nga dy fusha në rajonin kurd të Irakut dhe të mbushnin tubacionin Nabuco.
Sipas OMV, prodhimi nga të dy vendet mund të arrijë në 3 miliardë metra kub gaz natyror në ditë brenda gjashtë viteve të ardhshëm.
"Këto vëllime do të kënaqin fillimisht kërkesat e industrisë vendase me sasi thelbësore në dispozicion për eksport në destinacionet, kryesisht Turqinë dhe Europën, nëpërmjet tubacionit të planifikuar Nabucco," u citua të thoshte në një deklaratë ndërmarrja austriake.
Por optimizmi u provua jetëshkurtër, pasi Bagdadi menjëherë e kundërshtoi skemën.
"Ne nuk do të lejojmë asnjë palë që të eksportojë gaz nga rajoni pa miratimin e qeverisë qendrore dhe ministrisë së naftës së Irakut," tha Ministri i Naftës i Irakut Husain al-Shahristani më 18 maj.
Si rezultat i marrëveshjes, dy ndërmarrje me qendër në UAE kanë secila tani një pjesë prej 3% në MOL, njoftoi media hungareze.
Por është një masë tjetër që ka ngjallur shqetësime më të mëdha rreth përpjekjeve të Rusisë për t'u futur në tregun e energjisë së Europës nga dera e pasme.
Njoftimet e fundit treguan se prodhuesi i naftës dhe gazit Surgutneftgas, ndërmarrja e pestë më e madhe e Rusisë, u bë aksioneria më i madhe e MOL në një veprim të shpejtë në fund të marsit. Ajo bleu të gjithë pjesën e OMV prej 21.2% në firmën hungareze, e dyta nga madhësia në tregun e energjisë së Europës Qendrore, për një shifër rekord prej 1.4 miliardë euro.
Një tjetër ndërmarrje hungareze ndërroi duar në një mënyrë njëlloj jo transparente. Biznesmeni ukrainas Dmytro Firtash, pronari i shpërndarësit të gazit Emfesz, që kontrollon së paku 20% të tregut hungarez të gazit, zbuloi më 28 prill se ndërmarrja e tij ishte transferuar tek RosGas AG.
RosGas do të kontrollohet nga shpërndarësi i gazit Overgas Inc., një ndërmarrje ndërmjetëse bullgare, shkroi në një njoftim në të përditëshmen ruse Vedomosti, ekspertja e energjisë Irina Reznik, më 7 maj. Gazprom zotëron vetëm 0.49% të aksioneve të tregtuesit bullgar të gazit, ndërsa dega e saj eskportuese, Gazprom Export zotëron 49.51% të ndërmarrjes. Zëvendësi i CEO i Gazprom dhe CEO i Gazprom Export, Aleksander Medvedev, kryeson bordin e Overgas Inc.
"Gjithshka është e turbullt në këtë pjesë të Europës ku Rusia vazhdon të zgjerojë shtrëngimin e saj mbi sektorin energjitik," citoi një njoftim i 13 majit në New York Times të thoshte Agata Loskot-Straçota e Qendrës për Studimet Lindore në Varshavë. "Eshtë e dyshimtë nëse BE mund të ketë ndonjëherë një politikë të efektshme sigurimi të energjisë për deri sa sektorit i mungon transparenca."
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes