04/05/2009
Një sondazh i Eurobarometer zbuloi një apati të konsiderueshme të votuesve lidhur me zgjedhjet e ardhshme të PE si dhe një mungesë të përhapur të njohurive lidhur me kontributin e deputetëve të PE në vendim-marrjen e bllokut.
(Sofia Echo - 17/04/09; SNA - 16/04/09; EurActiv - 15/04/09; AFP, Reuters, Euobserver, European Parliament - 14/04/03)
![]() Zgjedhjet e ardhshme të Parlamentit Europian do të jenë më të mëdhatë ndonjëherë. [PE] |
Këtë qershor, 375 milionë votues të mundshëm që jetojnë në 27 vende anëtare të BE do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre për Parlamentin Europian (PE), një nga tre organet vendim-marrës të Bashkimit. Deputetët e PE zgjidhen çdo pesë vjet. Votimi i ardhshëm do të jetë zgjedhja më e madhe trans-kombëtare ndonjëherë.
Ajo mund gjithashtu të prishet nga pjesëmarrja e ulët e rregjistruar. Vetëm 34% e të anketuarve në një sondazh të fundit të Eurobarometer ishin të sigurtë se do të hidhnin votat e tyre, ndërsa 15% thanë haptazi se nuk do të votonin.
Sondazhi, kryer nga mesi i janarit dhe mesi i shkurtit me 27,218 shtetas nga të gjithë vendet e BE zbuloi se 62% nuk e dinë datën e zgjedhjeve të BE në vendin e tyre dhe se 53% thjesht nuk ishin të interesuar për temën.
"Grup i moshës që ka më pak të ngjarë të votojë janë studentët (27% me siguri nuk do të votojnë) dhe në përgjithësi të anketuarit e moshave 15-24 (25%)," zbuloi Eurobarometer. "Mundësia e votimit është më e lartë për të anketuarit që ishin 20 vjeç e lart kur mbaronin shkollën (40% me siguri do të votojnë), administratorët (38%) dhe pensionistët (36%)."
Duke kërkuar të nxisin më shumë entusiazëm, veçanërisht midis të rinjve, PE e tanishme ka krijuar profile në faqet në internet të rrjeteve socialë me hyrje të lirë, të tilla si Facebook, MySpace dhe YouTube.
Pse ekziston kjo indiferencë? Sipas Eurobarometer, rezultatet ndoshta nuk tregojnë skepticizim në rritje rreth BE në përgjithësi, por më tepër një besim të përhapur se zgjedhjet nuk do të sjellin ndryshim konkret.
Shumë europianë, megjithatë, duket se dinë pak lidhur me atë që bën PE. Vetëm gjysma e atyre të anketuar ishin në dijeni se buxheti i BE përcaktohet bashkërisht nga vendet anëtarë dhe PE apo se parlamenti dhe vendet anëtarë kanë një rol të barabartë në marrjen e vendimeve legjislativë. I njëjti numër nuk ishte në dijeni se deputetët e PE zgjidhen drejtpësëdrejt nga shtetasit.
![]() Zgjedhjet do të zhvillohen nga 4 deri më 7 qershor. [Getty Images] |
Edhe më pak, megjithatë dinin se vendet e BE nuk kanë të njëjtin numër deputetësh të PE.
Informacioni i botuar në faqet sociale te medias në internet, përfshirë dhjetra video në YouTube, ka për qëllim të ndihmojë votuesit europianë që të mbushin boshllëqet e mundshëm në njohuritë e tyre lidhur me institucionet e BE, veçanërisht PE, dhe shërben si një vend takimi për diskutimet mbi çështje të ndryshme.
Vendet ku pjesëmarrja e votuesve kishte të ngjarë të ishte më e lartë ishin ato ku votimi është i detyruar. Belgjika dhe Luksemburgu, që e kanë të dyja të detyruar që shtetasit të shkojnë në votime, kryesonin listën me përkatësisht 70% dhe 62%.
Dy vende në Europën Juglindore, Greqia (62%) dhe Qipro (52%) tregojnë gjithashtu nivele të lartë interesi. Në të njëjtën kohë, vetëm 48% e të anketuarve nga të dy vendet i thanë Eurobarometer se me siguri do të shkonin në zgjedhje në qershor. Ndërsa mund ta tejkalojë mesataren e pritshme të BE, një pjesëmarrje e tillë do të ishte më e ulët se sa ajo e rregjistruar në zgjedhjet europiane të 2004 në Greqi (63%) dhe Qipro (71%).
Qiproja u bashkua me BE pesë vjet më parë dhe shtetasit e pjesës së qeverisur nga grekët në ishullin e ndarë kanë shumë dijeni në lidhje me ndikimin që u jep anëtarësimi në përpjekjet për të arritur ribashkimin. Ata përsëri do të dërgojnë gjashtë përfaqësues në PE të ardhshëm.
Greqia megjithatë, do të zgjedhë 22 deputetët e saj të PE nga 24 që ka tani, në zgjedhjet e shtata të BE që kur u bashkua me bllokun më 1981.
Gjetkë në rajon, rezultatet ishin më të përzjerë. Ndërsa Eurobarometer zbuloi se interesi i përgjithshëm në zgjedhjet e PE ishte gjithashtu i lartë në Rumani (56%) dhe Bullgari (48%), është e pasigurtë nëse ky interes do të përkthehet në pjesëmarrje konkrete.
![]() Më tepër se 60% e grekëve votuan në zgjedhjet e PE të 2004. [Getty Images] |
Kur të dy vendet bënë zgjedhjet për deputetët e PE pas pranimit të tyre më 2007, pjesëmarrja ishte tepër e ulët. Në rreth 29% në të dyja, ato ishin shumë nën mesataren e BE prej 45.5% gjatë zgjedhjeje të rregullta të mëparshme, më 2004.
Rezultatet e sondazhit të tanishëm tregojnë një rritje të lehtë, me 31% të bullgarëve dhe 34% të rumunëve që thonë se kanë në plan të votojnë në qershor.
Të dy vendet, si Greqia, po shohin një rënie në numrin e deputetëve të tyre në PE. Do të jenë 33 deputetë rumunë në PE në asamblenë e ardhshme nga 35 që janë tani. Bullgaria do të ketë 17 vende parlamentare pas zgjedhjeve të qershorit, një më pas se tani.
Njerëzit në rajon, dhe në bllok si i tërë, kanë relativisht të njëjtin qëndrim kur vjen puna te problemet kryesorë të shqetësimit. Sipas sondazhit, grekët janë më të shqetësuar rreth papunësisë (83%) dhe rritjes ekonomike (77%).
Në Bullgari dhe Rumani, ekonomia është problemi kryesor (65% në të dy vendet). Bullgarët, megjithatë, janë të shqetësuar rreth krimit (56%), siç janë të anketuarit nga Qipro (55%).
Këto rezultatë janë përgjithësisht në përputhje me bllokun si i tërë, ku papunësia (57%) dhe rritja ekonomike (52%) ishin dy problemet kryesorë.
Dy të tretat e të anketuarve në Greqi e në Qipro dhe 58% e atyre në Rumani thanë se ata donin ta shihnin PE të luante një rol më të rëndësishëm se tani. Vetëm 42% e të përgjigjurve bullgarë kanë këtë pikëpamje.
Shtatëdhjetë e tetë përqind e njerëzve në Greqi, 72% e atyre në Qipro, 61% në Bullgari dhe vetëm 39% në Rumani ranë dakort se do të ishin të mbrojtur më mirë ndaj krizës së tanishme ekonomike nëse vendi i tyre miratonte masat dhe i zbatonte ato në bashkërendim me vendet e tjera të BE.
Zgjedhjet e shtata të PE që më 1979 do të zhvillohen nga 4 deri më 7 qershor dhe do të krijojnë një legjislaturë që përmban 736 anëtarë, 49 më pak se parlamenti i tanishëm.
Bullgaria, Greqia dhe Rumania janë mes shumicës së vendeve të BE ku votuesit do të hedhin votat më 7 qershor, ndërsa Qipro do të votojë më 6 qershor.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes