23/03/2009
Ka qenë një rrugë e gjatë reformash dhe sfidash, por Shqipëria dhe Kroacia janë në rrugën drejt bashkimit me NATO-n muajin e ardhshëm. Për të dy vendet, të rënduar nga problemet dhe vështirësitë e tranzicionit, ky është një hap i madh përpara dhe arritja e qëllimit strategjik që dëshironin prej kohësh.
Nga Natasha Radiç dhe Manjola Hala për Southeast European Times në ZAgreb dhe Tiranë - 23/03/09
![]() Vendet priten të bashkohen me Aleancën në takimin e nivelit të lartë në Strasburg-Këln javën e ardhshme. [NATO] |
Shqipëria dhe Kroacia priten të bëhen anëtarët e 27-të dhe të 28-të të NATO-s në takimin e nivelit të lartë të Aleancës javën e ardhshme. Takimi, i cili do të shënojë 60 vjetorin e bllokut, do të mbahet në Strasburg-Këln më 3 dhe 4 prill.
Delegacioni i Kroacisë në Strasburg dhe Këln do të kryesohet nga Presidenti kroat Stipe Mesiç dhe Kryeministri Ivo Sanader. Shqipëria do të përfaqësohet nga Presidenti Bamir Topi dhe Kryeministri Sali Berisha. Presidenti i SHBA Barak Obama pritet gjithashtu të marrë pjesë.
Më 2003, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia nisën një nismë të përbashkët të quajtur Grupi i Kartës së Adriatikut, të inkurajuar nga Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, Maqedonia u bllokua nga bashkimi me Aleancën më 2008, kur Greqia vuri veton ndaj përparimit të pranimit të vendit për shkak të mosmarrëveshjes në vazhdim për emrin.
Si Kroacia dhe Shqipëria, sidoqoftë, kanë bërë përpjekje të mëdha në rrugën e tyre drejt pranimit në Aleancë. Vendet përcaktuan përparësitë e tyre më të larta për të përmbushur standardet demokratikë, për të pakësuar korrupsionin dhe për të luftuar krimin e organizuar, për të zbatuar reformën gjyqësore, për përmirësimin e administratës publike dhe nxitjes së marrëdhënieve fqinjësore.
Vendet anëtare të NATO-s mbikqyrin reformat e parashikuara dhe vlerësojnë zbatimin e tyre.
Kroacia hyri në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s (PfP) më 2000, duke nisur procesin e pranimit të saj. Në maj 2002, vendi mori një ftesë për t'u bashkuar me Planin e Veprimit të Anëtarësimit të NATO-s (MAP), duke konfirmuar politikën e "dyerve të hapura" të Aleancës. Përmbushja e kritereve të anëtarësimit nuk ishte më, në këtë moment, përgjegjësi vetëm e ministrisë të mbrojtjes dhe asaj të punëve të jashtme.
![]() Si trupat kroatë, ashtu edhe ata shqiptarë po shërbejnë në misionin e mbështetur nga NATO në Afganistan. [Getty Images] |
Në zbatim të detyrimeve të veta të MAP, në tetor 2002 qeveria miratoi Programin e parë Vjetor Kombëtar 2002/2003 që parashikonte qëllimet dhe hapat e hollësishëm, për t'a mbajtur vendin në rrugën drejt anëtarësimit në NATO.
Krocia ka qenë përfshirë në operacionet e kryesuara nga NATO, përfshirë KFOR dhe misionin ISAF në Afganistan, që nga 2003. Më 2007, Aleanca organizoi një stërvitje ushtarake në Kroaci, hera e parë që një veprimtari e tillë mbahej në një vend jo-anëtar.
Vendi mori një ftesë zyrtare për t'u bashkuar me NATO në takimin e nivelit të lartë të Aleancës më 2008 në Bukuresht.
Zyrtarët kroatë e konsiderojnë anëtarësimin në NATO të jetë nga qëllimet më të rëndësishëm në historinë kombëtare. Sipas sondazheve, numri i përkrahësve të NATO-s ka mbetur i qëndrueshëm në vite, midis 55% dhe 60%.
Më 18 mars, qeveria paraqiti për ratifikim në parlament traktatin e pranimit në NATO. Shumica e anëtarëve të Aleancës e kanë ratifikuar dokumentin dhe pjesa e mbetur pritet të ndjekë shembullin shpejt, duke hapur rrugën për pranimin e vendit.
Megjithatë, Kroacia mund të ndeshë disa pengesa. Pengesa kryesore mbetet Sllovenia fqinjë dhe mosmarrëveshja 17-vjeçare lidhur me kufijtë detarë të vendeve. Ligjvënësit sllovenë ratifikuan traktatin për anëtarësimin e Kroacisë më 9 shkurt, por ata duhet ta dërgojnë ende atë tek Shtetet e Bashkuara mes përpjekjeve nga Partia Popullore Sllovene e opozitës për të mbajtur një referendum ndaj pranimit të Kroacisë në NATO.
"Ministria e Punëve të Jashtme dhe Integrimit Europian pret që Republika Portugeze dhe Republika e Sllovenisë do të [ratifikojnë traktatin] së shpejti dhe se Kroacia do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të ardhshëm të NATO-s në prill si një vend me anëtarësi të plotë," tha zëdhënësi i ministrisë Mario Dragun.
![]() Një poster në Tiranë lexon "Shqipëria në NATO" pasi vendi mori një ftesë të bashkohet me Aleancën në takimin e nivelit të lartë të vitit të kaluar në Bukuresht. [Getty Images] |
Shqipëria, e cila gjithashtu mori një ftesë zyrtare në takimin e nivelit të lartë të vitit të kaluar të NATO-s, ka përparuar pak më ngadalë. Vendi u bashkua me Këshillin e Bashkëpunimit të Atllantikut Verior më 1992 dhe u bë një anëtar i PfP më 1994.
Shpejt, pas përqafimit të nismës së PfP, Shqipëria paraqiti një plan për bashkëpunimin ushtarak dhe reformat. Vendi ka zhvilluar një ushtri të vogël, të stërvitur mirë prej 16,000 trupash që është në përputhje me kërkesat e Aleancës.
Trupat shqiptarë kanë marrë pjesë gjithashtu në operacione të ndryshëm të drejtuar nga NATO, me më shumë se 3,300 trupa në misione të ndryshëm që nga 1996. Forcat shqiptare kanë marrë pjesë në forcën paqeruajtëse të kryesuar nga NATO, në Bosnjë, ISAF në Afganistan dhe në misionin e kryesuar nga koalicioni i SHBA në Irak.
Që nga rënia e komunizmit në vend, vendi e ka bërë bashkimin me Aleancën një nga përparësitë kryesore të tij. "Çdo reformë dhe çdo çmim" është qëndrimi i zakonshëm i qeverisë që nga vitet 1990, një nga pak çështjet që ka mirëkuptim të gjerë midis spektrit politik në vend.
Solidariteti i partive kryesore politike treguar, i shfaqur si në procesin e reformës zgjedhore që përfundoi në fillim të këtij viti, ashtu edhe në procesin në vazhdim të reformave gjyqësore, është një shenjë e qartë se klasa politike përpiqet të ndërtojë një demokraci funksionale me institucione të pavarura.
Por më e rëndësishme, futja në NATO ka mbështetje të gjerë nga popullsia shqiptare. Sondazhet zyrtare tregojnë se 94% e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin në Aleancë. Shumica e shohin hyrjen në strukturat e NATO-s si një mjet për të përmirësuar imazhin e vendit në botë.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes