05/01/2009
Kosova, e cila e gjeti 2008 një vit zhgënjyes pavarësisht nga shpallja e pavarësisë, po shtrëngohet për një vit të vështirë 2009.
Nga Besa Beqiri për Southeast European Times në Kosovë – 05/01/09
![]() Kosova u bë e pavarur në 17 shkurt 2008. [Getty Images] |
Me të drejtë, 2008 duhet të kishte qenë një vit i lavdishëm për Kosovën. Vendi i ri mund të rreshtojë një numër triumfesh: pavarësia në 17 shkurt, një kushtetutë e re dhe njohja e shtetit të ri nga më tepër se 50 vende, duke përfshirë fuqitë e mëdha.
Prapë, entusiazmi për vitin e ri mungon. Institucionet e Kosovës nuk kanë ende akses në veri; plani gjashtë pikash i OKB (konsideruar gjerësisht një kapitullim për Begradin) zvarritet në hijet e politikës; EULEX i nevojitet ende kohë të konsolidojë veten; UNMIK zvarritet me muaj pasi Kosova pret që ai të ikë dhe Serbia teston vazhdimisht nervat e shqiptarëve të Kosovës duke operuar një tren ekspres për në Kosovë që nuk ndalon në kufi dhe duke dërguar zyrtarë në vizita të nivelit të lartë.
Mënjanë acarimeve diplomatike e gjeopolitike, shtetasit e zakonshëm të Kosovës po luftojnë me shqetësimet ekonomike të tilla si norma e papunësisë. Ata ankohen gjithashtu që kostoja e jetesës vazhdon të rritet ndërsa pagat e tyre vazhdojnë të mbeten prapa. Në rrugë ku paqetësia ndahet gjerësisht, ekzistojnë opinione të ndryshme mbi problemet më serioze.
Majlinda Tyrbetari nga Prishtina thotë se krimi i organizuar, korrupsioni, shpërbërja e Trupave Mbrojtës të Kosovës dhe mungesat në kujdesin shëndetësor janë problemet kryesore për Kosovën. Për të, lufta kundër krimit të organizuar duhet të jetë e para ndonse është diçka që si organizatat lokale ashtu dhe ato ndërkombëtare nuk mund t'ja dalin kollaj.
Amor Koshi nga Gjakova ka merak rreth sigurisë së kufijve të Kosovës dhe krimit të organizuar. Ai e sheh Serbinë si një kërcënim për sigurinë kombëtare.
![]() Korrupsioni kryeson listën e shqetësimeve të shtetasve. [Getty Images] |
Ylber Morina nga Prishtina pranon se ka një "kërcënim të mundshëm" nga Serbia që përpiqet "të hyjë në Kososvë". Ai mendon se Kosovës në disa muajt e ardhshëm do t'i duhet t'i drejtohet vështirësive në vazhdim të privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore në zonat e mbizotëruara nga serbët. Ajo gjithashtu përballet me një "krizë" tërësore social-ekonomike, sipas opinionit të tij.
"Në qoftë se autoritetet e Kosovës përpiqen të shtrijnë autoritetin e tyre në veri, kjo do të shkaktonte rebelimin e serbëve dhe do ta destabilizonte përfundimisht Kosovën," thotë Pjetër Ndou nga Gjakova.
Sevdije Rushiti nga Mitrovica ka një tjetër pikpamje. Ajo mendon më së shumti rreth situatës ekonomike, mungesës së energjisë dhe mundësisë së dështimit të EULEX.
"Situata e vështirë ekonomike është problemi më i rrezikshëm: papunësia, çmimet e larta dhe pagat e ulta; të gjitha këto shkaktojnë pakënaqësi reale midis shtetasve, gjë që mund të shpjerë në greva dhe trazira sociale. Plus, korrupsioni është më i përhapur kur papunësia është në nivelin e tanishëm," thotë ajo.
Rame Salihu, një shofer taksie nga një fshat pranë Prishtinës, e konsideron ekonominë problemin kryesor, pasuar nga integrimi i pakicës serbe.
Iliriana Loshi nga Prishtina përqëndrohet në EULEX dhe marrëdhëniet e tij me institucionet e Kosovës. Midis problemeve të tjera, ajo rreshton ndërprerjet e energjisë elektrike dhe shpresën e saj se pakë vende të tjera do ta njohin Kosovën në muajt që vijnë, duke dobësuar ndjenjën e vrullit diplomatik që ajo pati për shumë nga 2008.
Disa analistë shkojnë aq larg sa të thonë se nuk ka patur ndryshime thelbësore në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë . "Kosova nuk është një shtet. Unë do të thosha se nuk ka patur [përparim] thelbësor që nga shpallja e pavarësisë, përkundrazi, ka patur shkarje prapa," i tha Avni Zogani nga OJQ Cohu një shfaqjeje TV të quajtur Një Zë për Ju.
![]() Tensioni midis Kosovës dhe Serbisë mund të rritet në 2009, thonë disa. [Getty Images] |
Cohu ishte pjesë e një rrjeti OJQ që organizoi demonstrimet e dhjetorit në Prishtinë kundër planit gjashtë-pikash të OKB.
Analisti i Kosovës Belul Beqaj thotë se qeveria do të harxhojë tre muajt e ardhshëm duke u përpjekur të bindë shtetasit e Kosovës se askush nuk do të zbatojë planin e urryer gjerësisht të OKB. "Personalisht, nuk pres që njerëzit në pushtet të kundërshtojnë gjashtë pikat, por si pasojë e kësaj hipokrizie, tensionet dhe pakënaaqësia e shtetasve ... do të rritet me të shpejtë," thotë Beqaj.
Ai thotë se funksionimi anormal i pretenduar i shtetit të ri dhe rritja e pakënaqësisë midis shtetasve," që do të përdoret në një moment të caktuar si një shpërthyes për radikalizimin e kërkesave", mund të shpinte në kërkesa për zgjedhje të reja apo për ngritjen e antagonizmit etnik.
"Muaji i parë i pranverës është tradicionalisht muaji që një masë kritike të shpërthejë," paralajmëron Beqaj.
Por Ulpiana Lama, një profesore në Prishtinë e cila mban gjithashtu shfaqjen e TV "Një Zë për Ju" ka një optimizëm më të ndritshëm. "Është realiste të pritet që njohja e pavarësisë së Kosovës do të përshpejtohet në gjysmën e dytë të viti tjetër. Kjo do të thotë se periudha e kohës [deri atëhere] duhet të konsiderohet një investim në anën e Kosovës," kundërshton ajo.
Lama e sheh 2009 si të pleksuar me tre probleme: kriza ekonomike që sipas saj do të jetë më e dukshme në gjysmën e dytë të vitit; "provokimet e vazhdueshme dhe testimet e sovranitetit të Kosovës nga Serbia" dhe " presioni që vjen nga opozita për të mbajtur zgjedhje".
Kjo do të thotë se mund të ketë më tepër rreziqe që vijnë.
Sipas pikpamjes së Kosovës, komuniteti global ka qenë më shumë se ç'duhet mikpritës për kërkesat e Beograit ndërsa lë pas dore ato të shumicës së Kosovës. Një ndjesi e indiferencës ndërkombëtare mund të rrezikonte jo vetëm përpjekjet ndërkombëtare në shtetin e ri por gjithashtu institucionet e tij lokale të cilat humbasin forcën për të përballuar probleme të shumta menjëherë.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes