10/11/2008
Një fshat i vogël i Kosovës mban ende pasojat e një masakre të tmerrshme gjatë konfliktit të viteve 1990. Të vejat dhe jetimët vendas mezi ja dalin me vetëm 130 euro në muaj dhe mbajnë shpresën se një fajësim do të shpjerë më së fundi në një shkallë drejtësie.
Nga Besa Beqiri për Southeast European Times në Prishtinë -- 10/11/08
![]() Popullsia e Krushës së Vogël përfshin 82 vejusha e 145 jetimë. [Getty Images] |
Krusha e Vogël, një fshat i vogël pranë Prizrenit, afër kufirit me Shqipërinë, ka një popullsi prej 700 vetësh, përfshirë 82 vejusha dhe 145 jetimë. Në 26 mars 1999, forcat serbe zunë 70% të burrave të fshatit, 114 vetë dhe i ekzekutuan. Ata i dogjën trupat; autoritetet kanë zbuluar e identifikuar vetëm 23 prej tyre deri tani.
Rreth 2,000 vetë mbeten të humbur që nga konflikti dhe midis tyre janë 91 meshkuj nga Krusha e Vogël. Gjashtë meshkuj nga Krusha e Vogël i shpëtuan masakrës dhe arritën të ikin. Një nga të mbijetuarit, Qamil Shehu, humbi dy djemtë e vet, tre vëllezër dhe shtatë nipër, Ai i pa ata të vdisnin pasi qenë qëlluar me mitrolozë. Dy nga të mbijetuarit nga Krusha e Vogël dëshmuan përpara Gjykatës Penale Ndërkombëtare për krimet e luftës të ish Jugosllavisë në Hagë kundër ish presidentit jugosllav Slobodan Millosheviç.
Sot, Krusha e Vogël është një fshat tipik kosovar ku vejushat, fëmijët e tyre dhe jetimët përbëjnë shumicën e popullsisë. Me 70% të popullsisë meshkuj të vdekur apo të humbur, grave u duhet të mbajnë familjet e tyre dhe të rritin fëmijët e tyre. Ato kultivojnë domate, patate dhe speca dhe i shesin prodhimet në tregun e Prizrenit. Shumë familje varen nga ndihma shoqërore, që kohët e fundit u rrit nga 45 në 130 euro në muaj.
Agron Limani, 41 vjeç, një inxhinier elektrik, po shkruan një libër mbi ngjarjet gjatë konfliktit në Krushën e Vogël për të bërë publike nevojat e të vejave dhe jetimëve.
Limani thotë se kjo jetë në fshatin e tij është e vështirë. Njerëzit mezi ja dalin të blenë vetëm gjërat bazë: miell, djathë, çaj, qumësht dhe makarona.
"Ndodh shpesh të mbetemi pa një lek," thotë Limani. Kohët e fundit, një kompani lokale dërgoi qumësht për fëmijët e Krushës së Vogël, por Limani vë në dukje se, "Ajo çka vërtet ndihmon...është një lloj biznesi i vogël që do të ofronte punë".
"Lufta fshiu shumicën e burrave dhe la gratë e fëmijët në varfëri," thotë Limani që po mbush faqet e librit të tij me dëshmitë e një prej masakrave më të këqia në Kosovë.
![]() Shumë në Krushën e Vogël mezi përballojnë vetëm ushqimet e nevojat bazë. [Getty Images] |
Në 2006, Asambleja Kombëtare e Kosovës kaloi një ligj për caktimin e fondeve të posaçme për të ndihmuar veteranët dhe viktimat civile të luftës. Pagesat filluan në 1 mars 2008.
Në korrik 2007, qeveria nisi të hartojë një ligj në përfitim të familjeve me persona të humbur. Institucionet lokale e ndërkombëtare, përfaqësues të familjeve e shoqatave për të afërmit e personave të humbur po ndihmojnë të hartohet ligji.
Projekt-ligji parashikon një rritje në ndihmën financiare, të drejtën për të ditur dhe të drejtën për t'u informuar. Ai përfshin gjithashtu të drejtën e të afërmve për të shënuar vendet e varreve dhe përkujtimoret si një tribut për të humburit.
Familjet u përpoqën shumë t'i bëjnë autoritetet të procedojnë vrasësit. Instituti për Raportimin e Luftës e Paqes (IWPR) raportoi se familjet e mbetura shkretë të fshatit donin veprim ligjor kundër 54 serbëve dhe dy romëve që ato i cilësonin përgjegjës për zhdukjen e të afërmëve të tyre në fund të marsit 1999. Inkurajuar nga një rrjet OJQ-sh lokale, ato e dërguan rastin e tyre, i pari i këtij lloji në Kosovë, te prokurori publik në gjykatën e qarkut të Prishtinës.
IWPR citonte gjithashtu juristin e Qendrës së Ligjit Ndërkombëtar me bazë në Beograd, Teki Bokshi të thoshte se "deri tani drejtësia ka pasë kërkuar vetëm për ata që vdiqën gjatë luftës në Kosovë, por nuk është e ndershme për të humburit që të privohen nga drejtësia vetëm pse nuk kanë një kufomë për të provuar krimin; marrja masive peng është gjithashtu një krim."
Familjet e të humburve dhe përkrahësit e tyre besojnë se shpresa e fajësimit do të shpjerë më së fundi në një shkallë drejtësie dhe së paku t'u kthejë mendjen serbëve të Kosovës të përzjerë në krim, për të mos u kthyer në rajon, thoshte IWPR.
Dosjet e krimeve të luftës duan ende shqyrtim. Misioni i ri evropian në Kosovë do të duhet të kujdeset për to me gjykatësit e prokurorët e vet. Ky amanet do të jetë një nga detyrat më të vështira, i lënë mënjanë për gati dhjetë vjet tani.
Por ajo që familjet e të humburve të Krushës së Vogël duan mbi të gjitha është një shenjë e qartë se vrasësit nuk do të jenë në gjendje të shpëtojnë të pandëshkuar përjetë. "Drejtësia nuk është bërë ende," thotë Limani.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes