11/08/2008
Krerët e Kroacisë kanë një vendim të vështirë përpara. Lëvizja e Mos-Angazhimit e ndihmoi Zagrebin të fitonte një vend në Këshillin e Sigurimit. Por tani vendi, një anëtar i ri i NATO-s po përsiat një tërheqje nga organizata që formoi Tito.
Nga Natasha Radiç për Southeast European Times në Zagreb - 11/08/08
![]() Lëvizja e Mos-Angazhimit është një lëvizje tepër politike, aktualisht e mbizotëruar nga Kuba dhe Irani. [NAM] |
Ndërsa Kroacia, së bashku me Shqipërinë, mori një ftesë për në NATO në samitin e Bukureshtit në prill dhe do të bashkohet me Aleancën nga mesi i vitit 2009, asaj mund t'i duhet t'i japë fund anëtarësimit në një organizatë të diskututeshme globale, Lëvizjes së Mos-Angazhimit.(NAM).
Edhe pse një anëtarësi nuk e përjashton domosdoshmërisht tjetrën, ka konflikte potenciale interesash. NAM është një lëvizje tepër politke, mbizotëruar aktualisht nga Kuba dhe Irani. Kroacia ka patur deri tani statusin e vendit vëzhgues. Bosnje dhe Herzegovina dhe Serbia kanë të njëjtin status, pasi ish republikat jugosllave e distancuan veten nga blloku i ish presidentit jugosllav Josif Broz Tito pas shpërbërjes së vendit.
Në 2006, megjithatë, presidenti kroat Stipe Mesiç ndoqi takimin e NAM në Havana. Prania e tij provokoi shumë komente të pafavorshme në Kroaci, për të mos përmendur BE dhe SHBA.
Sipas këshilltarëve të tij, Mesiç nuk shkoi në Kubë thjeshtë për të konfirmuar se Kroacia ndan ende vlerat e "neutralitetit", por për të filluar procesin e lobingut që do ta ndihmonte Kroacinë për të fituar një vend në Këshillin e Sigurimit. Në qoftë se Kroacia mund të merrte votat e vendeve të NAM, siç bëri në realitet, atëhere vendi i Këshillit të Sigurimit qe siguruar.
![]() Presidenti kroat Stipe Mesiç ndoqi samitin e NAM në Havanë. [Getty Images] |
Por kjo arritje e bën lënien e NAM më shumë të vështirë për udhëheqjen pasi vendet e NAM kanë shpresa të mëdha lidhur me mandatin dy-vjeçar të Kroacisë në Këshillin e Sigurimit.
Me 188 anëtarë, shumica nga Afrika, Azia dhe Amerika Latine, NAM është një organizatë shumë e madhe. Ajo ndryshon nga organizatatat e rëndësishme globale pasi nuk ka udhëheqje aktuale, nuk ka dokument kushtetues apo hierarki. Më tepër se dy të tretat e e vendeve anëtare të OKB-së janë gjithashtu anëtarë të NAM. Malta dhe Qiproja qenë anëtare të NAM deri në 2004 kur u bënë anëtare të BE. Që atëhere ato u tërhoqën krejtësisht nga organizata.
Ikja e Kroacisë do të ishte një hap i fuqishëm simbolik. Ishte Tito gjithsesi, që krijoi NAM në 1955. Ai inicioi samitin e saj të parë në 1961 dhe ishte i pari sekretar i përgjithshëm i organizatës. Së bashku me miqtë nga vendet neutrale gjatë viteve të Luftës së Ftohtë, shumica ish koloni dhe të ashtuquajtura vende të Botës së Tretë, Tito vendosi të krijojë një bllok politik që do të përbëhej nga vende që nuk i takonin as NATO-s as Traktatit të Varshavës. Ideja e tij u përshëndet menjëherë nga nga Xhavaharlal Nehru i Indisë, Gamal Abdel Naser i Egjiptit dhe Sukarno i Indonezisë.
Që nga rrëzimi i komunizmit, organizata duket se kaloi në një klub anti-perëndimor dhe veçanërisht anti-amerikan. Denoncimet zëlarta të politikës së Vashingtonit janë të zakonshme për samitet. Kështu që neutraliteti i organizatës, një nga vlerat themeluese, është kompromentuar. Disa thonë se kjo nuk është gjë e re. Tito, gjithsesi, doli nga rruga e tij për të rekrutuar vendet e botës së tretë dhe shpesh atje morën pjesë udhëheqës të diskutueshëm.
Ish Jugosllavia kryesonte organizatën në kohën e shpërbërjes së vet. Mesiç i Kroacisë dhe homologu i tij slloven, Janez Drnovshek, tani i vdekur, kryesuan një samit të NAM ndonëse republikat e tyre qenë në prag të shkëputjes. Beogradi ndërkaq priti samitin e NAM në 1989, me raportet e medias të përqëndruara kryesisht në udhëheqësin libian kolonelin Gadafi i cili fjeti në një tendë private së bashku me disa deve arabe të cilat më pas ua fali parkut zoologjik të Beogradit.
![]() Lëvizja e Mos-Angazhimit u themelua nga presidenti i atëhershëm jugosllav Josip Broz Tito. [Dosje] |
Budimir Lonçar, një diplomat për një kohë të gjatë dhe këshilltari i politkës së jashtme për Mesiç, ishte përkrahësi origjinal i përdorimit ë mbështetjes së NAM për ofertën e Kroacisë për në Këshilin e Sigurimit. Ai argumenton se anëtarësimi në NAM nuk përplaset domosdoshmërisht me statusin e NATO-s. "Lëvizja mbijetoi pas Luftës së Ftohtë dhe kjo tregon se ajo është politikisht e rëndësishme jo vetëm për anëtarët e vet por gjithashtu edhe për OKB-në," i tha ai Jutarni List
Ivo Banac, një profesor i Universitetit të Yale dhe president i degës kroate të Komitetit të Helsinkit, ndan këtë pikëpamje. Ai këshillon zyrtarët kroatë të mbajnë statusin e vëzhguesit. "Kjo do të thotë se nuk voton dhe vendos por ke një pozitë të mirë për lobingun e objektivave të tua," thotë Banac.
Deri tani, presidenti dhe kryeministri nuk kanë treguar se kur do të marrë hapin Kroacia. Analistët politikë, ndërkaq sugjerojnë se është e mençur të mos bëhet asgjë deri në fund të vitit të ardhshëm. Kroacia do të hyjë në NATO në gjysmën e parë të vitit 2009 dhe anëtarësia në Këshillin e Sigurimit do të përfundojë deri në fund të të njëjtit vit. Pas kësaj, vendi mund të vendosë në se dy kartat e anëtarësimit janë tepër për t'u luajtur.