28/07/2008
Në Radion dhe Televizionin e Kosovës gazetarët etnikë shqiptarë punojnë së bashku në të njëjtën redaksi me kolegët e tyre nga komunitetet e pakicës.
Fotot dhe teksti nga Blerta Foniqi-Kabashi për Southeast European Times në Prishtinë -- 28/07/08
![]() RTK është një nga institucionet kryesore multi-etnike në Kosovë |
Transmetuesi publik Radio dhe Televizioni i Kosovës (RTK) është një nga institucionet kryesore multi-etnike në Kosovë. Rreth 26% e programeve të tij të lajmeve është në gjuhët e pakicave: serbisht, turqisht, gjuha boshnjake dhe rome. Stacioni jep gjithashtu përmbledhje të lajmeve javore në këto gjuhë.
Ngritur pas konfliktit të 1998-1999, RTK përbëhet nga një shërbim televizioni dhe dy radiostacione, Radio Kosova dhe Radio Blue Sky. Ai operon nën rregulloren e UNMIK-ut 2001/13 si organizatë vetëqeverisëse me drejtorin e përgjithshëm në vartësi të një bordi jo-politik të drejtorëve.
"Angazhimi i RTK për t'i shërbyer të gjithë komuniteteve është një pjesë e rëndësishme e detyrimeve të tij të shërbimit publik," thotë drejtori i përgjithshëm Agim Zatriqi.
"Ne punojmë së bashku në të njëjtën dhomë të gazetarëve," thotë redaktorja turke Fatma Hoca, që ka tre gazetarë në stafin e saj si dhe korespondentë nga Prizreni e qytete të tjera. "Ne kemi bashkëpunim shumë të mirë, veçanërisht me kolegët shqiptarë. Ndonjëherë kur mbulojmë një veprimtari [mbi] pakicën turke, kolegët tanë shqiptarë bashkëpunojnë me ne dhe ne kemi kameramanin e tyre. Ose kur ndonjë delegacion vjen nga Turqia, ne gjejmë për ta fotot dhe lajmet."
Nenad Radomiroviç, një gazetar serb tregon gjithashtu atmosferën e bashkëpunimit. "Ne kemi programe në pesë gjuhë," thotë ai. "Punojmë së bashku dhe kemi një mjedis mirkuptimi."
Politika e RTK është që gazetarët e tryezave të lajmeve të të gjitha gjuhëve të punojnë së bashku në redaksitë e televizionit e të radios, duke ndarë informacionin dhe mjetet. "Jam i kënaqur të punoj në një mjedis të tillë ku njerëz të komuniteteve të ndryshme punojnë së bashku për një qëllim të përbashkët të dobishëm," thotë gazetari shqiptar Shkumbin Ahmetxhekaj, që mbulon çështjet politike. "RTK është një shembull se si njerëzit, pavarësisht nga sfondi i tyre etnik, shkojnë përpara për ndërtimin e e një Kosove paqësore."
![]() Redaktorja turke Fatma Hoca (djathtas) ka tre gazetarë në stafin e saj si dhe korespondentë nga Prizreni e qytete të tjera. |
Marrëdhëniet midis të gjithë gazetarëve të RTK janë të shkëlqyera, sipas redaktorit përgjegjës të programit shqiptar Mentor Shala. "RTK nuk ka ndarje etnike. Ne punojmë si shtetas të Kosovës," thotë ai.
Për të nxitur programimin unik, RTK ka një drejtor ekzekutiv për shfaqjet e pakicës. "Çështjet e pakicës shfaqen rregullisht në programin kryesor shqiptar dhe të ftuarit e pakicës marrin pjesë në programet në studio," thotë kryeredaktori Sulejman Shaqiri, që më parë mbante postin e drejtorit të pakicës.
Transmetuesi publik është gjithashtu shtëpia e versioni të Kosovës të Rruga Sesam, që transmetohet në shqip dhe serbisht. Prodhuar nga Sesame Workshop në bashkëpunim me partnerin lokal CMB, "Rruga Sesam" dhe "Ulica Sezam" transmetohen anembanë Kosovës dhe jepen gjithashtu për rajonin nga dy transmetues në gjuhën serbe, TV Most në Zveçan dhe TV Herc në Strpce.
Këto përshtatje lokale të Rruga Sesam po bëjnë një ndikim të rëndësishëm në atë se si fëmijët i shohin etnitë e tjera në komunitetet e tyre, si dhe po rritin aftësitë e shkrimleximit dhe njohurive socio-kulturore, thotë Sala Bytyçi, një mësues në shkollën fillore në Suharekë.
Sipas Bytyçit, fëmijët që ndjekin shfaqjen janë të aftë të demonstrojnë një qëndrim më pozitiv ndaj fëmijëve nga sfonde të tjera etnike. Ndërkaq, nxënësi 12-vjeçar Agron Morina thotë se ai pëlqen tjetër gjë që ofron RTK, filmat me kartona Tomi e Xherri, gjithashtu të transmetuara në shqip dhe serbisht. "Kjo është shfaqja që më pëlqen më shumë," thotë ai.
Në shkurt 2005, RTK u bë i vetmi transmetues kombëtar në Kosovë që transmeton lajmet në gjuhën e shenjave. Ky shërbim, ofruar me mbështetjen e OSBE dhe Shoqatës së Shurdhëve të Kosovës, është " e vetmja derë për komunitetin e shurdhëve për të patur akses në jetën publike në Kosovë, thotë përkthyesi i gjuhës së shenjave Selman Hoti.
![]() "RTK nuk ka ndarje etnike. Ne punojmë si shtetas të Kosovës," thotë redaktori përgjegjës i programit shqiptar Mentor Shala. |
Televizioni RTK është kryesuesi i tregut dhe ndiqet nga 92.1% e popullsisë. Stacioni megjithatë po ndesh probleme serioze financiare. Nga 2003, ai ka ka marrë një sasi të ndjeshme të fondeve të tij nëpërmjet një pagese mujore nga shtetasit e Kosovës.
Sipas një marrëveshjeje me Korporatën Energjitike të Kosovës (KEK), konsumatorët e energjisë duhej të paguanin 3.5 euro çdo muaj për të mbështetur transmetuesin publik. Por KEK kohët e fundit ka pushuar së respektuari marrëveshjen dhe pagesat nuk po vijnë më.
Vendimi i i KEK, besojnë shumë, është pjesë e një shtytjeje për ta vënë RTK nën ombrellën e direktivave të qeverisë. Rregullimet aktuale i japin RTK një rol unik të pavarur, jo-politik, por gjithashtu edhe problemin praktik të pagimit të faturave të veta.
Në qoftë se gjendja e tanishme vazhdon, RTK mund t'i duhet të riorganizohet. "Unë nuk mendoj se kushdo punon në televiozion pa [pagesë] ," thotë gazetarja shqiptare Pranvera Munishi-Morina.
Udha e ardhëshme e transmetuesit, si shumë të tjera në shtetin e ri të Kosovës, mbetet e panjohur. Megjithatë, ai vazhdon misionin e vet të përditshëm për të ofruar një alternativë të ditëve tona ndaj intolerancës dhe propagandës, një shembull, që siç e tha dikur ish i dërguari i OKB Bernard Kushner, të "medias që pasqyron parimet demokratike".