Procesi i integrimit evropian është një "objektiv jetik kombëtar" për Shqipërinë

14/07/2008

Shqipëria është në një rrugë plot emocione drejt integrimit evro-atllantik, me një ftesë të NATO-s të marrë më parë këtë vit dhe një shtytje për reformat e BE. Ndërsa vendi shkon përpara, një vizion i qartë qeveritar do të hapë dyert për integrimin e plotë dhe përputhjen me standardet organizative, i tha ministri i jashtëm shqiptar Lulzim Basha bashkëpunëtorit të Southeast European Times Sami Neza.

Nga Sami Neza për Southeast European Times në Tiranë -- 14/07/08

photo

Ministri i jashtëm shqiptar Lulzim Basha. [Getty Images]

Southeast European Times: Cilat janë sfidat kryesore që ndesh Shqipëria në përpjekjet drejt integrimit evropian?

Lulzim Basha: Shqipëria e nisi udhëtimin e saj drejt integrimit evropian dhe evro-atllantik vite më parë. Ne bëmë një zgjedhje. Tani jemi dëshmitarë të rezultateve. Kjo kërkonte kurajë politike, vizion të qartë dhe vendosmëri të fortë. Ne i kishim këto atë kohë dhe i mbajmë ato përsëri sot.

Në dy dekadat e fundit, Shqipëria ka hyrë aktivisht në një rrugë transformimi drejt lirisë, demokracisë, rendit të ligjit dhe ekonomisë së tregut. Ne ndeshëm sfida të ndryshme, por dy objektiva mbeten në thelbin e gjithë procesit: anëtarësimi i plotë në NATO dhe integrimi në BE.

Qeveria shqiptare e konsideron procesin e integrimit evropian një objektiv jetik kombëtar. Ne po punojmë shumë të përmbushim kriteret e Kopenhagenit dhe instrumente të tjera duke garantuar arritjen e standardeve të kërkuara evropiane.

Aktualisht Shqipëria e gjen veten në një stad vendimtar të procesit të integrimit në BE. Ne nënshkruam marrëveshjen e stabilizimit dhe shoqërimit (SAA) dy vjet më parë dhe shpejt ajo do të ratifikohet nga të gjithë vendet anëtare të BE. SAA përbën udhëzuesin bazë për procesin e reformave në Shqipëri. Të gjitha përpjekjet që bëmë ne për të përshpejtuar integrimin në BE janë ngërthyer në reformat që qeveria shqiptare po ndërmerr.

Reformat synojnë luftimin e krimit të organizuar dhe trafikut të paligjshëm, reduktimin e korrupsionit dhe forcimin e kapaciteteve administrative, duke tërhequr më shumë investime të huaja të drejtpërdrejta dhe për të ngritur një mjedis miqësor biznesi, duke forcuar rendin e ligjit dhe duke përmirësuar sistemet gjyqësore e zgjedhore.

SETimes: Do të kërkojë Shqipëria statusin e kandidatit për anëtar të BE dhe kur?

Basha: Statusi i kandidatit do të vijë si një stad i natyrshëm në udhën tonë drejt integrimit në BE. Ne reflektojmë mbi këtë bazuar në përparimin e prekshëm që Shqipëria ka arritur në zbatimin e reformave të saj të integrimit. Qasja jonë drejt BE nuk është thjesht e lidhur me data e kohë, ndonëse ato përbëjnë një element të rëndësishëm të saj, por së pari ajo mbështetet në cilësinë, gjerësinë dhe efektshmërinë e reformave.

Momenti për aplikimin për anëtarësim është një pikë vendimtare e krejt procesit të integrimit...ne kemi mendimin se aplikimi do të shkojë përpara në bashkëpunim të ngushtë dhe konsultim me BE. Ne do të aplikojmë të njëjtën filozofi të bashkëpunimit, konsultimit dhe partneritetit që kemi përdorur në të kaluarën.

photo

Procesi zgjedhor i vendit do të kërkojë reforma si pjesë e udhës së tij të integrimit. [Getty Images]

SETimes: Mund ta përballojë Shqipëria integrimin e shpejtë dhe a do ta lejojnë këtë kapacitetet administrative të vendit?

Basha: Shqipëria ka qenë që prej fillimit shumë në favor të integrimit në BE. Sipas mendimit tonë, ajo qëndron si një rast unik i mbështetjes së gjerë publike dhe e mbështetjes së plotë të të gjitha partive politike. Ne jemi të ndërgjegjshëm për vështirësitë dhe kemi në mendje një sens realist se integrimi në BE është një proces.

Qeveria është e angazhuar të mbajë kapacitetet e nevojshme administrative dhe po i drejtohet çështjes në përputhje me këtë. Reforma administrative është një nga reformat për të cilën qeveria është e angazhuar seriozisht. Kjo reformë është një shtyllë vendimtare e procesit të reformimit dhe tashmë janë arritur rezultate.

Integrimi në BE dhe përputhja e plotë me standardet e BE kërkon një vizion të qartë qeverisës për strukturat kryesore administrative, [të cilat janë] të përgjegjshme për përmbushjen e detyrimeve renditur në kapitujt e Acquis. Reformat administrative janë konsideruar në mbështetje të zbatimit të angazhimeve kombëtare dhe në kuadrin e procesit integrues.

SETimes: Cili është qëndrimi i Shqipërisë lidhur me emrin e Maqedonisë dhe a do të ketë Shqipëria ndonjë ndikim në zgjidhjen e e kësaj çështjeje midis dy fqinjëve?

Basha: Shqipëria është e vendosur ndaj një politike të fqinjësisë së mirë.

Lidhur me emrin, ne do të donim të theksonim se kjo nuk është pjesë e marrëdhënieve tona të ndërsjellta me Maqedoninë. Ne mbështesin gjetjen e një zgjidhjeje sa më shpejt të jetë e mundur, një të tillë që të jetë e pranueshme si nga [Maqedonia dhe nga Greqia], nëpërmjet negociatave të ndërsjellta me praninë e OKB-së.

Ne shpresojmë se zgjidhja do të forcojë paqen, stabilitetin dhe begatinë në rajon. Është një parim thelbësor i politikës sonë të jashtme të mbështesim të gjitha nismat që sjellin paqen dhe stabilitetin në rajon dhe ndihmojnë integrimin evro-atllantik të të gjithë vendeve të rajonit.

SETimes: Shqipëria sapo ka marrë një ftesë për anëtarësimin në NATO. Cilat janë përfitimet e Shqipërisë nga ky anëtarësim? A është ndjerë në vend fakti që Shqipëria mori ftesën?

photo

Shqipëria mori një ftesë për t'u bashkuar me NATO në prill. [Getty Images]

Basha: Ajo çka ndodhi në samitin 2008 të Bukureshtit në prill të këtij viti, kur Shqipëria së bashku me Kroacinë, u ftua të nisë negociatat e pranimit, është shpërblimi për përpjekjet e Shqipërisë dhe një nxitje për axhendën e mëtejshme të reformës.

Vendimi i samitit të Bukureshtit është një moment historik që shënon kurorëzimin e 15 vjet përpjekje të Shqipërisë drejt procesit të integrimit euro-atllantik dhe fillimin e një ere të re në marrëdhëniet e saj me aleatët tani dhe në të ardhmen.

Kjo ngjarje është një arritje e jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe në të njëjtën kohë, njohje e realitetit të ri e të prekshëm shqiptar, një realitet i arritur falë ndryshimeve e transformimeve pozitive, të dhimbshme siç janë shpesh ato, në fushat e jetës ekonomike, politike, sociale e ushtarake, të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave.

Kjo do të kontribuojë drejtpërsëdrejti në zgjerimin e stabilitetit në vend dhe rajon; zgjerimi ka gjithashtu një prurje në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe kulturave, zhvillimin ekonomik nëpërmjet rritjes në investimin dhe transferimin e kapitalit dhe zhvilimin e strukturave të transportit; [e fundit nga të cilat] do të ketë një efekt thelbësor në nxitjen e turizmit pasi Shqipëria zotëron potencial të madh e ende të pashfrytëzuar.

SETimes: Si janë marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën si dhe me vendet e tjera të Ballkanit?

Basha: Bashkëpunimi me [Kosovën] është një pjesë e rëndësishme e politikës sonë rajonale. Gjendja e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës është tashmë e shkëlqyer. Ato bazohen në parimin e fqinjësisë, bashkëpunimit dhe respektit për kufijtë e njohur ndërkombëtarisht. Më tepër se 33 marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi mbështesin këto marrëdhënie të ndërsjellta. Ne presim të thellohet e institucionalizohet më tej ky kuadër në të ardhmen.

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe shteteve rajonale janë gjithashtu të mira. Ato bazohen në parimin e bashkëpunimit, fqinjësisë dhe respektit të ndërsjelltë reciprok për integritetin territorial. Shqipëria nuk ka ndonjë çështje të pazgjidhur me fqinjët e vet.

Politika rajonale e Shqipërisë drejtohet nga rekomandimet e BE dhe përcaktimet e SAA. Përmbushja e tyre është një parakusht për integrimin evropian të Shqipërisë dhe të rajonit si të tërë.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading