23/06/2008
Ndonse njerëzit në Gërdec, Shqipëri kanë nisur të rindërtojnë shtëpitë e tyrte e të futen në to, shpërthimi i 15 marsit është ende i freskët aty në mendjen e gjithsecilit. Shpërthimi shkakton ende trazira në politikën shqiptare.
Nga Manjola Hala për Southeast European Times në Tiranë -- 23/06/08
![]() Shpërthimi vrau 26 vetë dhe shkaktoi 16.6 milion euro dëme. [Getty Images] |
Orvatjet për të çmontuar stoqet e municioneve të vjetëruara morën një kthesë katastrofike në 15 mars kur ndodhi një seri shpërthimesh ndërsa punonjësit po pastronin një depo municioni në Gërdec, pranë Tiranës. Shpërthimet zgjatën gati 14 orë, rezutuan në 26 të vdekur, mbi 300 të plagosur, mijra të pastrehë dhe 16.6 milion euro dëme.
Hetimet në tragjedinë u përqëndruan në atë se çfar e shkaktoi shpërthimin dhe kush është përgjegjës.
Raporti përfundimtar i ekspertëve të SHBA që ndihmuan ekipin shqiptar të hetojë shkaqet e aksidentit, thotë se procesi i çmontimit qe kryer në kushte të pasigurta pune: fabrika ishte shumë e vogël dhe e papërshtatëshme për çmontimin e municionit.
"Sipas llogaritjeve, shpërthimi ishte aq i fortë sa që mund të krahasohet me një shpërthim bërthamor," tha presidenti Bamir Topi.
Gërdeci duket tani si një vend ndërtimi me shtëpitë që po rindërtohen dhe një numër tendash për strehim. Kodra që shpërtheu ka nisur të shfaqë shenjat e saj të para të jetës me barin e rrallë dhe bimët që ridalin.
Pranë pak shtëpive të reja të rindërtuara, janë shumë të tjera që po rindërtohen me fondet nga qeveria ose nga vetë banorët e Gërdecit.
![]() Ish ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu dha dorëheqjen disa ditë pas shpërthimit. [Getty Images] |
"Disa nga familjet ja dolën të rindërtojnë vetë shtëpitë shumë shpejt pas tragjedisë," tha banori i Gërdecit Agim, që punon në shtëpinë e tij me familjen e miqtë. "Të afërmit apo fëmijët që punojnë jashtë vendit i ndihmuan ata financiarisht. Unë për vete i mora hua paratë e duhura për rindërtimin. Nuk mund të rroj më në një tendë. Sapo të marr kompensimin financiar, do t'i laj ato."
Megjithatë, zyrtarët në bashkinë e Vorës, njësia përgjegjëse për shpërndarjen e kompensimeve dhe ndihmës tjetër ekonomike për familjet e dëmtuara, thonë se fondet për rindërtimin janë shpërndarë të gjitha.
Deri në 10 qershor, ministria e financave kishte shpërndarë 90% të 13 milion euro të caktuara nga qeveria, sipas zyrës së shtypit të ministrisë. Në 12 qershor, këshilli i ministrave lëshoi një vendim përfundimtar mbi fondet e kompensimit, duke shtuar 7.5 milion euro për rindërtimin e sektorit të biznesit dhe për banorët e Manzës dhe Marikajt, të cilët gjithashtu u dëmtuan nga shpërthimet.
Sidoqoftë, megjithë kompensimin, shumica e të prekurve nga tragjedia janë të mërzitur me trajtimin nga qeveria të situatës. Në fillim të qershorit, njerëzit e strehuar në vendpushimin e punonjësve të ministrisë së brendëshme nisën të protestojnë kundër vendimit të ministrisë për t'i rivendosur ata në shtëpi me qera.
Shumë familje në zonë kanë refuzuar të shvendosen megjithë ndotjet. Grupi i OKB që vizitoi Gërdecin në mars, vlerësoi se niveli i ndotjes prapë kodrës së shpërthyer është i lartë për shkak të dy elementëve radiaoktivë të predhave. Ende, shumë banorë kanë ngritur tenda pranë kodrës dhe refuzojnë shvendosjen.
Strehimi nuk është i vetmi problem që shkaktoi pakënaqësi midis njerëzve të dëmtuar nga shpërthimi i Gërdecit. Në mes të majit, pretendimet lidhur me vlerësimin e parregullt të godinave të dëmtuara shkaktuan një hetim për raste të mundëshme rrushfeti. Pas pyetjes së 15 grupeve të punës të ngritura për vlerësimin e godinave publike e private, prokuroria e shtetit vendosi të nisë hetimet për katër individë dhe metodat e tyre të vlerësimit të dëmeve.
Ish punonjësit e depos së armëve të Gërdecit hynë në grevë urie. Ata akuzojnë qeverinë për mos trajtimin siç duhet të situatës dhe po kërkojnë për kompensim financiar për të plagosurit dhe familjet që vuajtën si rezultat i shpërthimit.
![]() Banorët lënë shtëpitë e tyre të shkatërruara në Memlisht pasi shpërtheu depoja e armëve. [Getty Images] |
Pesë vetë janë arrestuar në lidhje me shpërthimet dhe të hënën (16 qershor) parlamenti i hoqi imunitetin ish ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu bazuar në pretendimet e kryeprokurores për shpërdorim të postit. Mediu dha dorëheqjen disa ditë pas shpërthimit.
Prokuroria thotë se një hetim në çështjen tregon se "veprimet e mosveprimet" e Mediut shkelin një serë ligjesh e procedurash mbi standardet e sigurisë. Ata thonë se kishte urdhëra të paligjëshme për të caktuar Gërdecin si vendin e çmontimit të municionit dhe urdhëra të tjera për ushtrinë për të transportuar municionet në Gërdec që mund të kenë qenë rezultat i rrushfeteve.
Mediu mohon çdo keqbërje dhe nuk komentoi mbi vendimin e parlamentit. "Si një minitër i mbrojtjes, unë respektova ligjin [dhe] konsiderova çmontimin e municionit të tepërt një përparësi kombëtare," i tha ai sesionit të parlamentit.
Topi ka shkarkuar gjithashtu nga detyra shefin e shtabit të ushtrisë, gjeneral-leitnant Luan Hoxha. Zëdhënësja presidenciale Mimoza Koçiu tha se vendimi pasoi një rekomandim nga kryeministri Sali Berisha.
Shtatë zyrtarë të tjerë të ministrisë dhe drejtorë të kompanive private që çmontonin municionin janë arrestuar me akuzën e neglizhencës. Rreth 100,000 ton municion i tepërt, shumica predha artilerie ruse e kineze prodhuar në vitet 1960 apo më herët, janë ruajtur në depot e ushtrisë anembanë Shqipërisë. Vendi është zotuar të çmontojë municionin deri në 2010 dhe po merr ndihmë nga SHBA, Kanada dhe vende të tjera të NATO-s.
Në këtë raport kontribuoi korrespondentja e Southeast European Times Jonilda Koçi.