Marrëveshja e tubacionit thekson rolin kompleks rajonal të Greqisë

02/06/2008

Grekët mendojnë se rëndësia e vendit të tyre në rajon nuk përkthehet në pushtet diplomatik. Kërkimi i autoritetit mund të jetë një nga faktorët kyçë prapa vendimit të administratës për t'ju bashkuar Rrymës së Jugut.

Nga Kristos Ringas për Southeast European Times në Athinë -- 02/06/08

photo

Media greke theksoi rëndësinë e tubacionit për sigurimin e pozitës strategjike të Greqisë në rajon. [Getty Images]

Marrëveshja e tubacionit Rrjedha e Jugut që u nënshkrua midis Greqisë dhe Rusisë në fund të muajit të kaluar u lajmërua gjerësisht në vend. Gazetat e përditshme në Greqi kishin tituj triumfantë, duke theksuar rëndësinë e tubacionit për sigurimin e pozitës strategjike të Greqisë në Ballkan.

Ajo, mundet megjithatë, të ketë hapur një kuti të Pandorës lidhur me diplomacionë trans-atllantike. Megjithëse departamenti i shtetit i SHBA nuk dha reagim zyrtar, media greke raportoi gjerësisht komentet jo-zyrtare që sugjerojnë bezdi. Shumë ekspertë besojnë se Rrjedha e Jugut ka potencialin të çimentojë zotërimin rus mbi furnizimet e gazit natyror duke i transferuar ato në Evropën Perëndimore nëpërmjet Greqisë.

Administrata e Kostas Karamanlis ka kërkuar të ushqejë lidhjet e veta me Shtetet e Bashkuara. Pse atëhere, këmbëngulën kaq fort krerët politikë grekë në shkuarjen përpara me Rrjedhën e Jugut?

Më parë këtë muaj, ministri grek i zhvillimit Kristos Folias i tha shtypit lokal se marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shteteve të Bashkuara nuk qenë tensionuar nga nënshkrimi i marrëveshjes së Rrjedhës së Jugut. "Nuk ka dallime, dhe as marrëdhëniet tona nuk janë tensionuar. Ne jemi dakord plotësisht me Shtetet e Bashkuara që qëllimi është moskrijimi i monopolit apo situatave me furnizues të vetëm. Në qoftë se varesh nga një [burim], ke marrë fund që nga fillimi," tha Folias.

Karamanlis ju referua projektit të Rrjedhës së Jugut si "një kontribut ndaj efektshmërisë energjitike të vendit tonë dhe Evropës...përfshirë në të politikën tonë të përgjithshme për diversifikimin e burimeve të energjisë, duke e bërë Greqinë një shpërndarës të rëndësishëm për burimet energjitike. Zgjedhjet e Greqisë në fushën e energjisë kanë parasysh sigurinë e energjisë të vendit tonë si dhe atë të partnerëve tanë evropianë, nëpërmjet një bashkëpunimi me përfitim të ndërsjelltë midis furnizuesve, transportuesve dhe konsumatorëve të energjisë."

photo

Presidenti rus Vladimir Putin (djathtas) dhe kryeministri grek Kostas Karamanlis mbajnë një konferencë shtypi pas nënshkrimit të marrëveshjes për të shtrirë tubacionin e propozuar rus-italian në territorin grek. [Getty Images]

Axhendat e brendshme e të jashtme të Greqisë janë gjithashtu lojtarë kryesorë. Marrëveshja e pritur gjatë erdhi në një fazë të vështirë për qeverinë. Tani, në termin e dytë, administrata e Karamanlis ka ndeshur një numër kompleks çështjesh veçanërisht që nga fillimi i vitit.

Ajo është goditur gjithashtu rëndë nga një skandal seksi që përfshin Kristos Zakopulos, ish sekretar i përgjithshëm i ministrisë së kulturës. Zakopulos kishte kontroll mbi caktimin e sasive të mëdha të fiondeve të BE dhe të vendit dhe ishte njeriu kryesor i administratës në fushatën për të kthyer Mermeret e Elginit. Në dhjetor, megjithatë, doli një video e takimeve të tij seksuale me një ndihmëse dhe ai u detyrua të dorëhiqej. Shpejt pas kësaj, ai u orvat për vetëvrasje duke u hedhur nga një ballkon.

E gjithë kjo sagë ogurzezë siguroi ushqim me muaj për median dhe shifrat e sondazheve për qeverinë kanë rënë. Partia e Demokracisë së Re është tani vetëm pak përpara rivales së saj kryesore, PASOK.

Në frontin e politikës vendase, qeveria nuk e ka gjetur detyrë të lehtë të shpjerë përpara reformën e madhe të sistemit të sigurimit shoqëror. Orvatjet e saj ndeshën me greva nëpër një shumicë sektorësh, duke mbajtur peng ekonominë për pothuajse një muaj. U prek gjithshka që nga bursat deri te furnizimet me elektricitet.

Në çështjet e jashtme, ndërkohë, historia kryesore ka qenë mosmarrëveshja e emrit me Maqedoninë. Grindja për një kohë të gjatë u ndez përsëri pasi NATO përgatitej për samitin e vet në Bukuresht, ku tre vendet ballkanikë perëndimorë pritej të merrnin ftesa për t'u bashkuar me NATO. Presion intensiv ju bë si Athinës dhe Shkupit për të sheshuar një ujdi por përpjekjet dolën të pafrutshme. Greqia përfundoi duke përdorur veton e saj në NATO, por duke bërë kështu u vu në një rrugë disi të vetmuar.

Mënyra se si grekët e shohin pozicionin e tyre në rajon është se ata përfaqësojnë një fuqi sunduese në pikëpamje politike, ekonomike dhe ushtarake. Ata besojnë megjithatë se kjo fuqi nuk është pasqyruar në arenën e diplomacisë ndërkombëtare, diçkja që e mërzit shtetasin e mesëm grek. Gjatë viteve, administratave të njëpasnjëshme u është dashur të modifikojnë qëndrimet e tyre mbi çështje të shumta duke përfshirë mosmarrëveshjen për emrin.

photo

Shumë vetë bënë grevë kundër planit të reformës së sigurimeve shoqërore të qeverisë. [Getty Images]

Greqia është anëtare e plotë si e NATO dhe e BE. Por shumë vetë në vend mendojnë se nuk kanë mbështetjen që do të donin të kishin nga aleatët. Qeveria, ndërkaq, është në merak t'u demonstrojë votuesve se ajo është e kapur efektivisht pas interesit kombëtar. Shumë shpesh e zhgënjyer në diplomaci, Greqisë i është dashur të shtrijë krahun në drejtime alternative që do të furnizonin njohjen aq të nevojshme ndërkombëtare të statusit të vet politik.

Një mundësi doli në sektorin energjitik. Rritja e çmimit të naftës, kombinuar me kërkesën në rritje nga Azia, i ka shtyrë vendet të mendojnë shumë rreth energjisë së ardhme. Nafta, për më tepër, nuk është i vetmi burim. Ish Bashkimi Sovjetik ka burime të gjera në gazin natyror dhe gjithashtu në ujë, që shumë analistë e shohin si mallin e ardhshëm industrial.

Udhëheqësi rus Vladimir Putin nuk mënoi të ngrinte me levë pasuritë energjitike të vendit të tij dhe t'i kujtonte botës se Moska është ende një lojtar kryesor gjeopolitik. Dimitri Medvedev, i cili drejtonte Gazprom në kohën kur u ngjiz Rrjedha e Jugut, ka pasuar tani Putin si president.

Rusia ka mohuar se Rrjedha e Jugut është menduar për të penguar tubacionin Nabucco, që do të transportonte naftën kaspike në Perëndim nëpërmjet Turqisë dhe Evropës Lindore. BE, duke kërkuar të diversifikojë burimet e veta energjitike, ka thënë se Nabucco është një përparësi kryesore. Megjithatë projekti ka qenë i ngadalshëm për të kapur vrullin dhe shumë analistë ja veshin këtë ngadalësi konkurrencës nga Rrjedha e Jugut. Kritikët ndërkohë, tregojnë koston e lartë dhe probleme të tjera potenciale me projektin e përkrahur nga Moska. Ata akuzojnë se politika është forca lëvizëse prapa kësaj dhe jo sensi ekonomik.

Për krerët grekë, gjithsesi, tubacioni i mbështetur nga Moska i ofron Athinës një shans që të nxjerrë në pah rolin e vet. Ky është i dyti tubacion gazi natyror ku do të përfshihet Greqia. Tjetri është projekti Turqi-Greqi-Itali (TGI). Planifikuar për t'i kompletuar në 2012, ai do të ketë një kapacitet prej 11.5 miliard metra kub në vit.

Ndërmjet Rrjedhës së Jugut dhe TGI, Athina mund të ketë tani një mjet për të krijuar një pozitë më të fortë gjeopolitike gjë që ajo e dëshëron me kaq etje. Analistët vendas e shohin Greqinë tani të ketë dy karta të forta në dorë.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading