Zigzaket e turizmit shqiptar

12/05/2008

Quajtur "sekreti i fundit i Evropës", Shqipëria u ofron vizitorëve premtimin e mikrpitjes së madhe dhe kuzhinës dhe rrugë jo fort të mira.

Nga Manjola Hala për Southeast European Times në Tiranë – 12/05/08

photo

Turistët mblidhen në plazhet e Shqipërisë. [Getty Images]

Ndërsa afrohet vera, shqiptarët kanë arsye të mira për optimizëm lidhur me rritjen e industrisë së turizmit të vendit. Sektori jo vetëm që ka përjetuar rritje por krerët e qeverisë dhe të industrisë po punojnë për të zhvilluar një strategji të unifikuar.

Megjithë këto shenja pozitive, disa probleme kyçe duhen tejkaluar ende. Në veçanti, vizitorët prapë mund të pengohen nga infrastruktura e papërshtatëshme dhe gjendja e hoteleve shqiptare.

Autoritetet flasin me optimizëm të shkelqyer rreth potencialit të vendit. "Turizmi mban një pozitë kyçe në sigurimin e suksesit të vendit," thotë ministri i turizmit Ylli Pango. "Brenda këtij kuadri, ne po punojmë për të patur një model të posaçëm rajonal që ka për qëllim bërjen e turizmit shqiptar një forcë udhëheqëse dhe për të kontribuar drejt mirëkuptimit midis kulturave, racave, feve dhe qytetërimeve."

Këto janë objektiva të larta dhe mund të duhen vite të arrihen. Megjithatë, vizitorët vërtet po vijnë në një ritëm edhe më të shpejtë. Sipas statistikave zyrtare vendi tërhoqi 2,100,000 turistë vitin e kaluar, 19% më shumë se në 2006 dhe 46% më shumë se në 2005.

Aventurat dhe turizmi malor është një tërheqje e madhe, pasuar nga turizmi kulturor e trashëgimor dhe më në fund turizmi i detit dhe i rërës, sipas të dhënave. Kjo mund të duket e pazakontë për një vend të vogël me aq shumë bregdet, deri 362 km, shumica e të cilave me plazhe të paprishura. Një arsye, sipas Kristi Andonit, është tregu rajonal i mbingopur; njerëzit kanë një mori të madhe zgjedhjesh kur duan një javë në diell.

Andoni, një këshilltar në ministrinë e turizmit, kulturës e sporteve, tregon gjithashtu se kërkesa për dy tipet e para të turizmit është në rritje. Përveç kësaj, ato lejojnë për një sezon turizmi gjatë gjithë vitit në vend të një të tilli të përqëndruar në muajt e verës. "Shqipëria ka mundësi të shumta e unike për ta dalluar veten nga fqinjët e vet," thotë ai.

photo

Vizitorët në Shqipëri mund të gëzojnë një begati joshjesh, duke përfshirë vendet kulturore e historike. [Dosje]

Ndonëse i treti në listë, turizmi i rërës dhe detit ka ende rëndësi të madhe, veçanërisht për shqiptarët etnikë të ardhur nga Kosova, Maqedonia apo nga bota. Për këto grupe, Shqipëria është një destinacion i preferuar për pushimet e verës dhe kjo do të thotë zakonisht plazh.

"Zhvillimi i mëtejshëm i turizmit në vendin tonë është një fakt," deklaron Andoni. Vendi, tregon ai, ka potencial të madh natyror si edhe një rang të gjerë joshjesh interesi historik e kulturor për vizitorët e huaj. Shqipëria po bëhet më e sigurtë dhe ka gjithashtu një farë mistike si pjesë relativisht e panjohur e Evropës. Gjatë dekadave të rendit komunist, ajo ishte praktikisht e mbyllur.

Strategjia e parë zyrtare e turizmit të Shqipërisë u hartua në 2004, me ndihmën e German Technical Co-operation Agency (GTZ). Kjo strategji kishte për qëllim të shënonte Shqipërinë si "sekretin e fundit të Evropës". Ndërsa numri i vizitorëve u rrit, qeveria shqiptare kaloi në një slogan të ri: "Shqipëria: juaja për t'u zbuluar". Ajo vendosi të përqëndrohej në temën e bujarisë si një virtut historik dhe kultutor thelbësor i popullit shqiptar.

Lidhur me monumentet kulturore për frymë, Shqipëria mund të jetë vendi më i pasur në Evropë. Ministria ka kërkuar ta theksojë këtë fakt, duke rritur tërheqjen ndaj një demografie më të vjetër në moshë.

Shqipëria është sigurisht një vend i paharrueshëm për t'u vizituar. Udhëtarët shpesh ikin me përshtypje të mira rreth trashëgimisë kulturore, peisazheve natyrore, ngrohtësisë së njerëzve dhe veçanërisht ushqimit.

Në të njëjtën kohë, megjithatë, ata janë gjithashtu të prirur të kujtojnë gjendjen e keqe të shumë rrugëve dhe hotelet jo aq të shkëlqyer.

photo

Rrugët në Shqipëri janë një pengesë për industrinë e turizmit. [Getty Images]

"Për një turist japonez duket e pakuptueshme se duhen 11 orë për të udhëtuar nga Ohri në Sarandë, një distancë prej vetëm 353 km, kur nuk duhet të ishte më shumë se 4 orë," thotë Stavri Çifligu, drejtor i prodhimeve në Albania Experience.

Sipas Andonit, ndërkohë, "problemi më i madh është të mbahen rrethinat të pastra" dhe të bëhet shoqëria të kuptojë rëndësinë e kësaj dhe të bashkëpunojë. Në nivel institucional, një zgjidhje afat-shkurtër përbëhet nga puna me komunitetet dhe shkollat për të nxitur ndërgjegjësimin. Në afat të gjatë, ministria po harton një strategji.

Një tjetër problem që duhet trajtuar është përmirësimi dhe diversifikimi i shërbimeve që u ofrohen turistëve. "Ne kemi gjetur një zgjidhje për turistët tanë duke theksuar ato pak vende që janë në gjendje të ofrojnë shërbime të cilësisë së mirë, por në qoftë se një turist viziton vendin në mënyrë të pavarur ai do të ndjejë praninë e këtij dallimi," thotë Çifligu.

Zyrtarët thonë se problemet e mëparshme lidhur me mungesën e ujit dhe të energjisë janë trajtuar për sezonin e vitit 2008. Ndërkohë, ministria e mjedisit po mbikqyr sigurinë e plazheve. Në raportin e saj të fundit, ministria gjeti se 11 nga 72 plazhe nuk përmbushin standardet. Ajo po këshillon publikun të rrijë larg tyre.

Qeveria ka përcaktuar 2008 si vitin e turizmit, një masë që mund të nxisë rritje të mëtejshme në numrin e vizitorëve. Përpjekje të veçanta po bëhen për të nxitur potencialin e vendit. Për herë të parë, një audiencë e pritshme prej 340 milion vetësh do të jetë në gjendje të shohë nëpërmjet CNN se çfarë ofron Shqipëria.

Sot, thotë Çifligu, "turizmi shqiptar" dhe "rritja" janë sinonime. Por vetëm përmirësimet e tjera, së bashku me larminë e shërbimeve, do të lejojë vendin të lëvizë përtej pengesave që ky sektor mund të ndeshë në afat të gjatë.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading