21/04/2008
Shpresat e Maqedonisë për integrimin në NATO e BE varen në arritjen e një kompromisi me Greqinë dhe përmbushjen e një serie prej tetë provash vënë nga Brukseli. Por me vendin tani në pezull politik, përparimi në të dy frontet mund të vonohet.
Nga Zoran Nikolovski për Southeast European Times në Shkup – 21/04/08
![]() Maqedonasit valvisin flamujtë gjatë një proteste kundër ndryshimit të mundshëm të emrit në Shkup muajin e kaluar. [Getty Images] |
Pas tronditjes së tyre fillestare dhe mosbesimit për të mos marrë një ftesë të anëtarësimit në NATO, maqedonasit po përgatiten tani të shkojnë në votime në 1 qershor. Kryeministri Nikola Gruevski vendosi të pranojë një propozim nga Bashkimi Demokratik për Integrimin (BDI) i shqiptarëve, për zgjedhje të parakohshme. Ai tha se donte një mandat të ri dhe një përbërje më të qëndrueshme parlamentare dhe në këtë mënyrë të zgjidhte problemet që shumë presin të mblidhen deri në verë.
Masa, megjithatë ka ngjallur kritika, me disa që thonë se një raund zgjedhjesh do ta heqë përqëndrimin nga problemi kryesor tani: zgjidhja e mosmarrëveshjes së emrit me Greqinë. Mosmarrëveshja jo vetëm ishte në udhën e një ftese për anëtarësim në NATO në samitin e Bukureshtit por gjithashtu mund të cënojë nisjen e negociatave mbi anëtarësimin në BE.
Në Bukuresht, krerët e NATO-s ranë dakord se në qoftë se Athina e Shkupi janë në gjendje të arrijnë një kompromis, një vendim mbi dhënien e një ftese Maqedonisë mund të bëhet në nivel ambasadorial, pa patur nevojë për të pritur tjetër samit. Takuar me Gruevskin dhe presidentin Branko Crvenkovski, ambasadorja e SHBA në NATO Viktoria Nuland kërkoi zgjidhjen e çështjes së emrit "brenda ditësh apo javësh, jo muajsh". Ajo i kërkoi Shkupit të "kapë momentin" dhe të përpiqet të sheshojë një kompromis ndërsa NATO është ende e përqëndruar në çështjen.
Gjatë një debati maratonë mbi shpërndarjen e parlamentit, megjithatë opozita Social Demokratike akuzoi se Gruevski u ktheu shpinën aleatëve duke zgjedhur në vend të kësaj një betejë politike brenda vendit. Duke ju drejtuar ligjbërësve, Crvenkovski pohoi se ai dhe Gruevski patën rënë dakord më parë për nevojën e një kompromisi me Greqinë dhe patën shkuar në Bukuresht të gatshëm të pranonin emrin Republika e Maqedonisë (Shkup) që ndërmjetësi ndërkombëtar Matthew Nimetz kishte propozuar më së fundmi.
Në çdo rast, perspektivat e Maqedonisë për integrimin, si në NATO dhe BE, duken tani të komplikuara nga disa faktorë.
![]() Ambasadorja e SHBA në NATO Viktoria Nuland (majtas) dhe kryeministri maqedonas Nikola Gruevski mbajnë një konferencë shtypi pas takimit të tyre. [Getty Images] |
BE ka paraqitur tetë prova që Maqedonia duhet të përmbushë në qoftë se do që Komisioni Evropian (KE) vetëm të marrë në konsideratë fillimin e negociatave. Por me zgjedhjet e caktuara tani për në qershor, do të jetë e vështirë të përmbushen këto kushte deri sa KE të lëshojë raportet e tij në shtator. Do të jetë ndërkaq mesi i verës përpara se një qeveri të formohet.
Me parlamentin e shpërndarë, ndërkaq, mundësitë për negociata të mëtejshme me Greqinë janë të kufizuara. Qeveria tani funksionon si një kapacitet teknik, me kompetenca të kufizuara dhe e ndaluar të marrë vendime të mëdha. Ndërsa Uashingtoni ka qenë një mbrojtës i fortë i integrimit të Maqedonisë, Shtetet e Bashkuara mund të bëhen më pak të përqëndruara në Ballkan ndërsa afrohen zgjedhjet presidenciale.
Anëtarësimi në NATO është quajtur gjerësisht jo vetëm si një piketë e madhe por gjithashtu vendimtare për stabilitetin e Maqedonisë. Ndonëse një konflikt etnik në 2001 u çaktivizua nëpërmjet marrëveshjes së Ohrit, demokracia shumë-etnike në vend është ende një punë në përparim, institucionet mbeten të brishta dhe pasiguria rreth perspektivave të integrimit nuk është në të mirë të ekonomisë së dobët maqedonase. Vendi ka një defiçit tregtar prej 113 milion euro, inflacion në rritje dhe një normë papunësie rreth 35%.
Për zgjidhjen e këtyre problemeve duhen investime më të mëdha të huaja, por pasiguria e pas-samitit të Bukureshtit nuk e bën Maqedoninë një vend më tërheqës për investitorët. Bashkë me këtë, vështirësitë ekonomike dhe problemet institucionale mund të jenë truall pjellor për nacionalizmin e rilindur veçanërisht pas pavarësisë së Kosovës. Kufiri Maqedoni-Kosovë nuk është shënuar dhe grupet shkëputëse mund të merrnin guxim nga zhvillimet në rajon.
"Në qoftë se [Maqedonia] nuk hyn në NATO tani, më duhet t'u them se unë seriozisht dyshoj në qoftë se vendi juaj do të vazhdojë të ekzistojë një dekadë më pas," paralajmëroi Eduard Josef i Grupit Ndërkombëtar të Krizës gjatë një interviste në 21 mars. "Jam seriozisht i shqetësuar për shkak se identiteti maqedonas është seriozisht i rrezikuar nga fqinjët, të cilët kam frikë se kanë axhenda të errëta."
![]() Social demokratët dhe Liberal Demokratët e opozitës lënë një sesion parlamenti në 12 prill pas votimit të një mocioni për të shkrirë asamblenë në Shkup. [Getty Images] |
Kryeministri shqiptar Sali Berisha ka shprehur gjithashtu shqetësim se radikalizmi mund të gjejë vend në Maqedoni në qoftë se vendi rri jashtë NATO-s . "Çështja e emrit është një gjë që duhet të zgjidhet dhe mund të zgjidhet," i tha ai BBC kohët e fundit.
Zgjedhjet maqedonase pritet të jenë me konkurrencë të ashpër, me retorikë të hidhur e polarizuese. Debati rreth shpërbërjes së parlamentit ofroi një ide se çfarë ka dyqani, me Social Demokratët që akuzonin VMRO-DPMNE qeverisëse për "tradhëti" të Maqedonisë. Opozita pretendon gjithashtu se administrata e Gruevskit është përgatitur të manipulojë zgjedhjet, për shkak se partia qeverisëse nuk lejoi kalimin e një legjislacioni kyç të zgjedhjeve, duke përfshirë caktimin e një presidenti të ri të Komitetit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe një rregull mbi aksesin e barabartë në median shtetërore.
Me maqedonasit të frikur nga vetoja greke dhe në merak rreth tensionit etnik në vend, mund të jetë e vështirë për politikanët t'i shmangen lojës me ndjenjën nacionaliste.
"Kam mendimin se të dy kampet politike në Maqedoni do të vihen ballë njeri tjetrit lidhur me të provuarit se kush është patriot më i madh e kush më i vogël dhe kjo është absolutisht e parëndësishme për momentin," thotë Tanja Karakamisheva, profesore e drejtësisë në Universitetin e Shkupit. "Është e rëndësishme të qëndrojmë me Evropën."