Mungiu: Unë dua që personazhet e mij të jenë si njerëzit nga rruga

14/04/2008

Regjizori rumun Kristian Mungiu fitoi çmimin e lakmuar Palma e Artë, të Kanës për filmin e tij "4 muaj, 3 javë, 2 ditë". Në një intervistë me korrespondenten e SETimes Alina Bandila, Mungiu diskuton mënyrën e tij të filmbërjes dhe reagimin ndaj suksesit të tij botëror.

Nga Alina Bandila për Southeast European Times në Bukuresht – 14/04/08

photo

Regjizori rumun i filmit, Kristian Mungiu. [Getty Images]

Southeast European Times: Ka gati një vit që ju fituat çmimin në Kanë. Lumej boje janë shkruar që atëhere. Çfarë është pas gjithë këtij vlerësimi?

Kristian Mungiu: Njerëz të matur. Ne shpresuam shumë të krijojmë një histori emocionale që të mbajë të mbërthyer deri në fund dhe shpresuam, që pas shikimit të kësaj historie, njerëzit do të mendonin ndryshe rreth gjërave që panë në film.

SETimes: Si e pritët lajmin se filmi nuk u propozua për filmin më të mirë të huaj të Oskar? Ju habiti vendimi?

Mungiu: Po.

SETimes: Shpresuat ndryshe?

Mungiu: Ne patëm shtyp veçanërisht të favorshëm në Shtetet e Bashkuara dhe më vjen keq që nuk mund të falenderoj personalisht të gjithë ata që shkruan për filmin, jo sepse ata na lavdëruan po sepse qenë të ndershëm. Dhe kjo krijoi një lloj shprese. Duke mos patur asnjë lloj përvoje me çmimet Oskar, ne parashikuam se kjo simpati në shtyp do t'i korrespondonte simpatisë së anëtarëve të Akademisë. Ajo nuk korrespondoi dhe unë respektoj atë vendim. Në qoftë se ky është vendimi i 6,000 anëtarëve të Akademisë, unë nuk kam koment. Do të vë në dukje vetëm se kemi shije shumë të ndryshme.

SETimes: Vitin e kaluar, në Rumani, filmi juaj u rendit i pari midis filmave të prodhuar në vend dhe i treti midis filmave të shfaqur në kinematë e vendit. Si e priti publiku amerikan këtë film?

Mungiu: Në shfaqjet që mora pjesë unë, ndjeva se pritja ishte e krahasur me atë që filmi kishte ndërmend të thoshte. Ajo u kuptua si një histori, si një emocion, si një film që ngre probleme. Për fat të mirë, nuk u pa si një film politik me një mesazh pro apo kundër abortit. Filmi kishte për qëllim të komunikonte për shumë më tepër se aborti gjatë komunizmit.

Tani, që nuk e shoqëroj më filmin atje, jam vërtet i kënaqur se ka shumë shfaqje që më është thënë se kanë qenë me sallat plot. Është një gjë shumë e mirë të shohësh një film rumun me sallën plot në Shtetet e Bashkuara, një film me një buxhet nën 1 milion $ dhe pa yje të Hollivudit.

Shikuesit e SHBA vetëm dy javë pas hapjes së natës së parë në 25 janar, e kaluan numrin e shikuesve rumunë, që patën rastin ta shohin filmin në kinema që nga shtatori 2007.

Në Rumani janë vetëm 30 kinema funksionuese. Nuk jam i pakënaqur nga ndjekja rumune e filmit tim. Është absolutisht e jashtëzakonshme për ne të jesh në gjendje të mbledhësh 75,000 vetë për një film, duke konsideruar kushtet në Rumani. Po t'i hidhni një sy të dhënave të filmave rumunë gjatë pesë viteve të fundit, numrat më të lartë janë rreth 15,000 deri 20,000 spektatorë.

SETimes: Do të ishin të njëjtët shikues po të mos ishte çmimi?

photo

Regjizori rumun Kristian Mungiu paraqet trofetë e tij për Regjizori më i Mirë 2007 dhe Filmi më i Mirë Evropian 2007 në Festivalin Evropian të Çmimeve të Filmit në Berlin, për filmin e tij "4 muaj, 3 javë, 2 ditë". [Getty Images]

Mungiu: Është e qartë se pa Palmën e Artë, fati i tij do të ishte ndryshe.

SETimes: Po ju vetë? Si e shihni këtë film?

Mungiu: Kur e bëra filmin, u përpoqa ta bëj atë me aq ndershmëri sa mundesha krahasuar me objektivin tim dhe qëllimi im përfundimtar është që historia të rrjedhë në mënyrën që unë mendoj se është më e mira për historinë dhe për mua që të isha i kënaqur kur ta shihja.

SETimes: Dhe jeni ju i kënaqur?

Mungiu: Jam krejtësisht i kënaqur dhe kam ndjesinë se nuk ka asnjë moment në film që mund ta bëja më mirë. Gjej se secili nga vendimet, edhe ata që duhej të merrja tamam në çastin e duhur, kanë qenë të vlefshme për filmin. Kjo nuk ndodh shpesh me mua. Për tani, ende rroj me mendimin se shumica e vendimeve të mija kanë qenë korrekte dhe përfituese për filmin.

SETimes: Ndonëse ju nuk u njohët nga Akademia Amerikane e Filmit, ju morët çmimin e Filmit më të Mirë të Huaj nga Akademia Evropiane e Filmit. Mund ta shihni këtë si një luftë midis kulturash?

Mungiu: Nuk besoj se është një luftë, është diçka lidhur me shijet e ndryshme dhe mënyrave të ndryshme të të kuptuarit. Ka shumë lloj filmash në Amerikë. Kështu po bëhemi të padrejtë me shumë njerëz që bëjnë filma të mëdhej që ne kënaqemi kur i shohim.

Për ne, është shumë e rëndësishme të kesh diçka për të thënë, të kesh një pikpamje, të kesh historinë tënde dhe të jesh shumë i ndershëm në përçapjen tënde pavarësisht nga rezultatet financiare të filmit. Këto nuk janë filma të bërë me sytë te arka e biletave. Dhe kjo është pse ato duken krejt të ndryshëm nga disa filma ideja kryesore e të cilave është se suksesi matet me kasën e biletave.

Normalisht, ti krijon një sistem yjesh dhe përpiqesh të shfrytëzosh dhe shesësh imazhin e këtyre njerëzve. Dhe nuk ka asgjë të keqe në këtë; ne thjesht gjykojmë shumë ndryshe. Sepse kjo është ideja ime rreth së vërtetës: unë dua që karakteret e mij të ngjajnë si njerëzit nga rruga. Po është gabim të thuash se ka një luftë. Nuk mund të ketë luftë. Lidhur me industrinë filmike, shprehur me para dhe interesin global, supremacia amerikane është arritur kohë më parë.

SETimes: Megjithatë, filmi juaj përfitoi nga fushata më këmbëngulëse dhe më e suksesshme e njohur ndonjëherë nga një producent rumun.

Mungiu: Unë besoj se filmi që bën meriton të arrijë te aq më shumë njerëz sa të jetë e mundur. Për të bërë kështu, ai duhet të përfitojë nga metodat nxitëse më krijuese, të pazakonta e të ndershme. Nuk kam asgjë kundër nxitjes apo proovimit për aq sa ajo nuk e tjetërson filmin. Por nuk pranoj kompromisin e përfshirjes të një aktori që nuk i besoj vetëm se njerëzit e njohin atë; unë e bëj filmin në mënyrën që unë mendoj është më e mira. Dhe pas kësaj, domosdo unë bëj gjithshka mundem që ta nxit atë.

Për ne, gjatë gjithë këtij marketingu, përparësia nuk ishte të kishim një sukses biletash në Rumani, sepse atje nuk ka gjëra të tilla. Promovimi i filmit tim në Rumani ishte më i kushtueshëm se sasia që paguan 70,000 spektatorët. Pra, nuk pati përfitim. Ne duam që filmi të shihet nga sa më shumë njerëz të jetë e mundur. Ky është ndryshimi. Unë përpiqem të prodhoj një lloj konflikti të brendshëm për ata njerëz pasi ata shohin filmin. Ky është qëllimi im, jo të llogaris se sa para nxorra në Rumani. Nuk kam si bëj ndryshe. Jam i kënaqur që një film ku janë investuar më pak se 1 milion $ ka nxjerrë deri tani 7 milion $ në të gjithë botën, pasi ai është shfaqur në shumë qytete në Evropë, Amerikë dhe Azi. Kjo do të thotë se nga pikëpamja e vendosjes, mesazhi është i qartë. Ky është një film që ndonëse i pavarur, ka diçka për të transmetuar.

SETimes: Çfarë ka tjetër për ju?

Mungiu: Së pari, ne duhet të mbarojmë filmat e tjerë në serinë e quajtur "Kujtime të Kohës së Artë" dhe kjo ndoshta do të na hajë rreth një vit. Ka edhe gjashtë episode të tjera me rreth 30 minuta që do të grupohen ose në një film të gjatë ose në dy më të shkurtër. Vetëm pas kësaj mund të pyesim veten se çdo bëjmë tjetër. Pas mbarimit të këtij projekti, unë shpresoj të kem kohë të mendoj filmin tjetër timin si autor, sepse ky është një që unë po bëj si producent dhe skenarist.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading