Vendet anëtare të BE po bëjnë përparim të ngadalshëm ndaj objektivave arsimorë, thotë KE

28/01/2008

Anëtarët e bllokut kanë arritur vetëm një nga pesë reperët që BE do që të përmbushen deri në fund të dhjetëvjeçarit. Përparimi drejt katër të tjerëve ka qenë i moderuar, përfundoi Komisioni Evropian në një raport të fundit.

Nga Svetla Dimitrova për Southeast European Times në Sofje -- 28/01/08

photo

Vetëm 1.3% e popullsisë në moshë pune në Rumani merr pjesë në arsim dhe trainim. [AFP]

Përpjekje të mëtejshme duhen gjatë tre vjetëve të tjerë që vendet anëtare të BE të arrijnë të pesë reperët arsimorë për të cilët kanë rënë dakord në 2002, sipas një raporti përparimi që Komisioni Evropian (KE) nxorri në tetor. Duke vënë në dukje se vetëm një nga objektivat është arritur, Brukseli paralajmëroi se përmbushja e objektivave të tjerë mbetet një sfidë serioze për sistemet e edukimit dhe të trainimit në Evropë.

Gjatë një takimi në mars 2006 në Lizbonë, krerët e BE ranë dakord mbi një strategji për ta bërë bllokun "ekonominë më konkurruese dhe të shtyrë nga dinamika e njohurisë deri në 2010". Si pjesë e përpjekjeve për të arritur këtë qëllim, u përvijuan objektiva të përbashkët për përmirësimin e sistemeve të edukimit dhe trainimit në Evropë në 2002.

Pesë reperët përfshijnë reduktimin dhe uljen e normës së lënies së shkollës në 10%, shkurtimin me së paku 20% të nxënësve me arritje të ulta në aftësinë për të lexuar dhe sigurimin se së paku 85% e të rinjve do të kompletonin arsimin e sipërm sekondar. Dy reperët e tjerë përfshijnë së paku 15% rritje në numrin e të përfunduarve të arsimit të lartë në matematikë, shkencë dhe teknologji (MST) dhe hapat për të reduktuar shpërpjestimin gjinor dhe krijimin e kushteve që 12.5% e popullsisë së rritur të marrë pjesë në të mësuarit gjatë gjithë jetës.

Bazuar kryesisht në statistikat e vitit 2005, raporti vjetor i KE mbi përparimin drejt objektivave të Lizbonës në arsim përfundoi se Bashkimi ka plotësuar vetëm reperin për të diplomuarit e MST, numri i të cilëve është rritur me mbi 170 mijë ose më tepër se 25% që nga viti 2000.

"Në qoftë se prirja e tanishme vazhdon, mbi 1 milion studentë do të diplomohen në matematikë, shkencë dhe teknologji në BE në 2010, krahasuar me nivelin e tanishëm (2005) prej 860,000 të diplomuarish në vit," tha KE.

Vendet me arritje më të mira lidhur me të diplomuarit e MST për 1,000 vetë në grupin e moshave 20-29 vjeç janë Irlanda (24.5), Franca (22.5) dhe Lituania (18.9), ndërsa Sllovakia, Polonia, Portugalia dhe Italia treguan rritjen më të madhe, duke shkuar nga 70% në gati 100%.

Por është bërë pak përparim drejt reduktimit të shpërpjestimit gjinor midis të diplomuarve të MST, thoshte raporti, duke përmendur vetëm një 0.4% rritje në përpjestimin e të diplomuarve femra, nga 30.8% në 2000 në 31.2% në 2005.

Katër arritësit më të mirë përsa i përket barazpeshës gjinore qenë Estonia, Bullgaria, Greqia dhe Rumania ku femrat zënë më tepër se 40% të të gjithë të diplomuarve të MST. Norma është më e larta në kandidaten e BE, Maqedoni, me 46.9% në 2005.

photo

Mungon barazia gjionore në edukim, thotë raporti. [BE]

Me përparimin në katër fushat e tjera ende të plogësht, megjithatë KE paralajmëroi se po të mos bëhen përpjekje tejet të mëdha, "një pjesë e madhe e brezit tjetër do të jetë në rrezikun e përjashtimit social, me një kosto të lartë ndaj vetes së tyre, ekonominë dhe shoqërinë."

Përmirësime të vazhdueshme kanë kontribuar në një ulje 2.3% në numrin e lënies së parakohshme të shkollës që nga viti 2000. Por në një mesatare prej 15.3% në 2006, pjesa e tyre ishte ende e madhe dhe tregoi se duhet përparim i shpejtë për të siguruar që jo më shumë se 10% e nxënësve do të lënë shkollën para kohe deri në fund të dhjetëvjeçarit.

"Objektivi evropian është të inkurajojë të rinjtë të mbeten në edukim apo trainim pas fundit të arsimit të detyrueshëm dhe të marrin së paku arsimin e mesëm," thoshte raporti. Fitimi i edukimit të së paku këtij niveli është kuptuar si minimumi i nevojshëm për pjesëmarrje aktive në ekonominë me bazë njohuritë."

Sllovenia (5.2%), Republika Çeke (5.5%), Polonia (5.6%), Sllovakia (6.4%), Finlanda (8.3%) dhe Austria (9.6%) së bashku me Norvegjinë (5.9%) e cila nuk është anëtare e BE, kanë përmbushur apo tejkaluar objektivin për 2010. Kroacia, e cila shpreson të bashkohet me BE deri në atë vit, është gjithashtu midis arritësve më të mirë të Evropës, me një nivel të lënies së shkollës prej 5.3% në 2006.

Malta dhe Portugalia u përmendën si arritëset më të dobëta të bllokut për këtë tregues, me norma prej 41.7% dhe 39.2% respektivisht.

Nuk është bërë përparim drejt arritjes së reperit të uljes së përqindjes të 15-vjeçarëve me rezultate të dobëta në aftësinë lexuese. Në fakt, pjesa e atyre me rezultate të dobëta u rrit nga 19.4% në 2000 në 19.8% në 2003, duke sugjeruar se shumica e vendeve anëtare të BE ka një rrugë të gjatë për të bërë për të siguruar se deri në fund të dhjetëvjeçarit, më pak se 15.5% e 15-vjeçarëve të tyre i takojnë atij grupi. Arritësit më të mirë të bllokut sipas statistikave të vitit 2003 janë Finlanda (5.7%) dhe Irlanda (11%).

"Marrja e kompetencave bazë është një hap i parë në pjesëmarrjen në shoqërinë me bazë njohuritë," vuri në dukje KE në tetor. "Megjithatë, në moshën 15 vjeç rreth 1 milion nga pesë milion nxënës në BE janë me arritje të dobëta në aftësinë lexuese."

photo

Numri i të diplomuarve në MST është rritur me 25% që nga viti 2000. [Getty images]

Raporti i KE tregoi gjithashtu se ka patur përparim të pamjaftueshëm drejt arritjes së reperit që kërkon që së paku 85% e 22-vjeçarëve në BE duhet të kenë përfunduar së paku arsimin e mesëm deri në 2010. "Pjesa e të rinjve që kanë përfunduar arsimin e mesëm në BE është nën 80% dhe vetëm është përmirësuar lehtë që nga viti 2000," tha Komisioni.

Me norma mbi apo afër 90% të objektivit, Republika Çeke, Polonia, Sllovakia dhe Sllovenia janë arritësit më të mirë të bllokut ndërsa Portugalia, Malta dhe Spanja janë më të dobëtat në këtë fushë.

Në 2002, vendet e BE ranë dakord që përqindja e popullsisë në moshat 25-64 vjeç që merr pjesë në edukim gjatë gjithë jetës duhet të arrinte 12.5% në 2010 dukje e parë këtë si themelore për konkurrencën dhe begatinë ekonomike të bashkimit si edhe për përfshrjen sociale, punësueshmërinë dhe kënaqësinë personale të njerëzve.

Danimarka, Britania dhe Finlanda janë shumë përpara anëtarëve të tjerë lidhur me këtë. Përqindja e popullsisë në moshë pune që merr pjesë në edukim dhe trainim vitin e kaluar u ngrit në 29.2%, 26.6% dhe 23.1% respektivisht, shumë përmbi mesataren e BE prej 9.6%. Bullgaria dhe Rumania qenë arritësit më të dobët të bllokut me një normë prej 1.3% secila, pas Greqisë me 1.9%.

"Edukimi dhe trainimi me cilësi të lartë është jetik në se Evropa do të zhvillohet si një shoqëri e njohurive dhe do të konkurrojë efektivisht në ekonominë e globalizuar të botës," tha komisioneri i arsimit, trainimit, kulturës e rinisë i BE Jan Figel ndërsa KE lëshonte vlerësimin e vet vjetor. "Është për të ardhur keq, që ky raport tregon se vendet anëtare kanë nevojë të dyfishojnë përpjekjet e tyre për ta bërë arsimin dhe trainimin e BE të ndeshë sfidat e shekullit të 21-të. Mesazhi për politikë-bërësit në vendet anëtare është i qartë: ne kemi nevojë për më shumë investime të efektshme në kapitalin tonë njerëzor."

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading