12/11/2007
Kudo në Zagreb, Tiranë, Athinë apo Sofje kërkesat për strehim po ngrihen, por jo aq shpejt sa çmimet.
Nga Natasha Radiç për Southeast European Times në Zagreb – 12/11/07
![]() Në bregdetin kroat, apartamentet shiten me çmime të përafërta me ato në Rivierën Franceze. [Getty Images] |
Të blesh një apartament apo shtëpi është bërë një nga problemet jetike të brezit të ri në Evropën Juglindore. Çmimet e pronave të patundshme janë të larta, duke ju afruar atyre të kryeqyteteve perëndimore, ndërsa pagat mesatare janë shumë më të ulta.
Për shumë, kreditë e bankave janë i vetmi opsion. Por njerëzit në punë nën 35 vjeç kanë normë krediti të ulët, kështu që kjo udhë është e mbyllur gjithashtu. Ata përfundojnë duke zgjedhur ose të rrojnë me prindërit e tyre ose të vendosen në apartamente të lira në periferinë e largët, që i detyron të udhëtojnë në distanca të largëta për të punuar dhe të shpenzojnë më pak kohë me familjet e tyre.
Njerëzit në ish vendet komuniste mbajnë mend një kohë kur shtëpitë jepeshin nga shteti. Apartamentet nuk qenë as luksoze as të pajisura mirë, por qenë pa para. Sot, të blesh një apartament apo shtëpi është shpenzimi numër një i familjes mesatare.
Me çmimet dhe kërkesat që fluturojnë lart, rajoni po përjeton një bum masiv ndërtimi. Vinçat dhe makineritë e rënda mund të shihen gjithandej dhe godinat e reja kërcejnë brenda natës në të gjithë kryeqytetet e mëdha. Analistët, ndërkohë paralajmërojnë se çmimi mesatar i një metri katror në Zagreb, shumë përmbi 2,000 euro në të gjitha zonat e qytetit, është i fryrë artificialisht.
Në bregdet, veçanërisht rreth Dubrovmikut, apartamentet e vjetra po shkojnë tani me çmime përafërsisht me ato të Rivierës Franceze. Ndërtimet e paligjshme janë bërë një problem i mprehtë dhe një përqindjeje të lartë të strukturave të reja të ndërtuara u mungojnë lejet e vlefshme. Jo vetëm që blerësit e tyre i blejnë me goxha para dhe kredi të mëdha gjithashtu, por ata rrezikojnë pasuritë e tyre në qoftë se ato do të kontrollohen nga autoritetet.
Ndon;se çmimet po rriten gjithashtu në Serbi, tregu është kontrolluar nga kërkesa e dobët. Çmimet për metër katror në Beograd fillojnë në 1,000 euro në periferinë e jashtme, ndonse në zonat e elitës mund të shkojnë deri në 2,500 euro.
![]() Në Shqipëri, gjithnjë e më tepër njerëzit janë të prirur të blejnë në vend se të rentojnë. [Getty Images] |
Me një mesatare mujore prej vetëm 300 euro, megjithatë shumicës së serbëve thjeshtë nuk u vete mendja për të blerë pronë. Ndërsa qiratë, 250 euro në muaj në Beograd, hanë pjesën e luanit të rrogës, shumica mendon se nuk ka zgjidhje tjetër. Ata banorë të qytetit që vendosin të blenë, priren për Beogradin e Ri ku po ngihet një masiv i madh ndërtimesh banimi e biznesi.
Në Shqipëri, gjithnjë e më tepër njerëzit janë të prirur të blenë se sa të rentojnë dhe tregu po lulëzon, së bashku me çmimet. Ata që kanë më shumë gjasa të bëjnë një blerje shtëpie janë emigrantët që rrojnë e punojnë jashtë por që planifikojnë të kthehen pas ca vitesh.
Në ndryshim, ata që janë në vend e kanë shumë më të vështirë të përballojnë një apartamenti të ri. Në kryeqytet, çmimet shkojnë nga 450 euro për metër katror në rrethinat e largëta, deri në 2,000 euro për metër katror në qendrën e qytetit. Çiftet me dy të ardhura që bëjnë rreth 1,000 euro në muaj janë në gjendje të marrin kredi. Punonjësit e bankave, ndërkohë, mund të përfitojnë nga normat e posaçme të ulta të vëna në dipozicion për ta.
Rritja e tregut të shtëpive është më e dukshme në Tiranë, por veprimtaria është gjithashtu e dendur në Durres e Vlorë, dy qytete bregdetare. Këtu janë më së shumti të huajt që janë të interesuar, së bashku me shqiptarët e kamur nga kryeqyteti që vështrojnë për një shtëpi vere ose një investim të mirë. Çmimet në bregdet shkojnë nga 500 në 1,000 euro për metër katror, në vartësi të asaj se sa larg nga bregdeti është apartamenti.
Që nga dhjetori 2006, qenë 1,237,891 banorë që jetonin në Sofje, sipas statistikave zyrtare. Por numri i vërtetë besohet të jetë shumë më i lartë, me llogaritje që e shpien deri në 2 milion, duke përfshirë ata që banojnë në kryeqytetin bullgar me bazë të përkohshme. Rritja e madhe e popullsisë në qytetin më të madh të vendit ballkanik gjatë dekadës së fundit ka nxitur kërkesën për shtëpi, ashtu si edhe çmimet e tyre.
Në 2006, rreth 200 ndërtesa të reja apartamentesh u ngritën në Sofje me rreth 1,600 apartemente në to. Bazuar në atë që 50% e rritjes nga viti në vit në numrin e lejeve të ndërtimit lëshohet për godina banimi gjatë dy vjetëve të fundit, inventari i tanishëm prej 525,500 apartamenteve pritet të vazhdojë të rritet.
![]() Me çmimet dhe kërkesat që fluturojnë lart, rajoni po përjeton një bum masiv ndërtimi. [Getty Images] |
Çmimi mesatar i apartamenteve të reja të shitura gjatë tremujorit të parë të 2007, ishte 811,9 euro për metër katror. Paga mesatare në sektorin publik gjatë të njëjtës periudhë ishte 225 euro. Çmimet për apartamente tamam në qendrën e qytetit dhe zonat e tij jugore, pranë malit Vitosha, janë shumë më të larta se ato në pjesën veriore të qytetit dhe në zonat industriale.
Zona rreth Kopështit të Mjekut në zemër të Sofjes mbetet vendi më i shtrenjtë në kryeqytet, me çmime që janë tamam nën 2,000 euro për metër katror, sipas një vështrimi tregu nga Colliers International Bulgaria. Rritjet më të mëdha janë vënë re në distriktin banues të Iztokut, gjithashtu në afërsi të qendrës së qytetit ku niveli mesatar u rrit me 29% gjatë një periudhe gjashtë-mujore dhe 51% nga viti në vit.
Sipas raporteve të medias në fund të gushtit, një pronë luksoze 95 metër katrore në qendër të Sofjes u shit me një çmim rekord prej 6,316 euro për metër katror. Kjo është rreth 22 herë më e lartë se sa çmimi mesatar më i ulët prej 285 euro për metër katror në zonën Iliantsi, në veri të qytetit.
Greqia ndryshon nga vendet e tjera në rajon në atë që nuk i takoi kurrë bllokut komunist dhe ishte vendi i parë në Ballkan që u bashkua me BE në 1981. Siç mund të pritet, niveli i përgjithshëm i çmimeve është tepër i lartë. Në ndryshim nga disa kryeqytete të tjera rajonale, çmimet në Athinë janë më të ulta në qendër, ku banorët luftojnë me trafikun, ndotjen, dëndësinë e popullsisë dhe krimin, dhe më të larta në periferi. Në lagjet e ashpra në qendër apartamentet shkojnë me një çmim të ulët deri në 1,800 euro për metër katror ndërsa në zonat luksoze i afrohen 8,000 eurove. Apartamentet e sapo ndërtuara kushtojnë më tepër se të vjetërit dhe qendra e qytetit është mbushur me godina të vjetra.
Kur vjen puna për të blerë një shtëpi, të rinjtë ndeshin probleme të ngjashme me ato në pjesën tjetër të Ballkanit: çmimet janë më të larta se ç'mund t'i përballojnë. Më fatlumët gjejnë ndihmë nga familjet e tyre, apo kanë një biznes që i bën të kenë më tepër para. Për rininë e klasës punëtore, të kesh një apartament do të thotë të martohesh dhe të kesh dy të ardhura. Më së fundi, si në vendet e tjera, bankat janë atje për të mbyllur të çarën midis çmimeve dhe pagave, për ata që dëshërojnë apo janë në gjendje të marrin në sy rrezikun e një kredie për 30 vjet.
Në këtë artikull kontribuan Igor Jovanoviç (Beograd), Manjola Haja (Tiranë), Svetla Dimitrova (Sofje ) dhe George Anagnostopulos (Athinë).