04/12/2006
Shansi që ndesh Serbia ndërsa përgatitet për zgjedhjet në 21 janar është i padiskutueshëm. Me ultranacionalistët e kryesuar nga një i paditur i Hagës që kanë gjasë të fitojnë të vetmin bllok më të madh të vetëm të votave, partitë demokratike shpesh në grindje janë nën presionin e kapërcimit të dallimeve të tyre.
Nga Igor Jovanoviç për Southeast European Times në Beograd – 04/12/06
![]() Kreu i SRS Vojislav Sheshelj po përballet me gjyqin në Hagë. Partia e tij ka shanse të fitojë mbi 34% të votave në janar, sipas një sondazhi të fundit. [Getty Images] |
Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi, caktuar për 21 janar, mund të dalin të jenë vendimtare për të ardhmen evropiane të vendit. Sondazhet e opinionit publik u japin partive të bllokut demokratik vetëm një përparësi të lehtë midis votuesve kundër Partisë Radikale Serbe (SRS) dhe Partisë Socialiste të Serbisë e cila përfaqëson trashëgiminë politike të ish presidentit jugosllav Slobodan Millosheviç.
Gjashtë vjet pas përmbysjes së Millosheviçit i cili vdiq nga një goditje zemre në qelinë e burgut në Hagë në 11 mars, partitë demokratike e gjejnë veten përballë tre sfidave të mëdha. Statusi i Kosovës, krahinës jugore serbe që ka qenë nën administratën e OKB-së që nga viti 1999, ka gjasa më së shumti të zgjidhet pas zgjedhjeve. Pas kësaj, në qoftë se në pushtet është një qeveri e re demokratike, ajo duhet të dorëzojë ish gjeneralin serb boshnjak Ratko Mlladiç të paditur për genocid në Bosnje dhe Herzegovinë, në gjykatën e Hagës. Në të njëjtën kohë, qeveria e re do të duhet të bëjë një përpjekje të madhe për të rinisur negociatat për një marrëveshje stabilizimi e shoqërimi (SAA) me BE. Këto qenë ndërprerë në maj të këtij viti për shkak të dështimit për të ekstraduar Mlladiç.
Sipas një sondazhi të fundit opinioni nga agjensia Medium Gallup, blloku më i madh i vendeve në parlamentin e ri ka gjasa të fitohet nga e djathta ekstreme SRS, kreu i të cilit pret gjyqin në Hagë. Sondazhi tregon se radikalët do të fitonin 34.9% të votave duke u dhënë atyre deri në 102 vende në parlamentin 250 vendesh.
![]() "Unë pres fitoren e forcave demokratike, fitoren e politikës që është përcaktuar nga një qëllim: anëtarësimi në BE dhe përmirësimi i standardeve jetësore të shtetasve," tha për zgjedhjet Presidenti serb Boris Tadiç. [Getty Images] |
E dyta në popullaritet është Partia Demokratike e Presidentit Boris Tadiç, me rreth 22.9% të votave. Në vendin e tretë është Partia Demokratike e Serbisë e Kryeministrit Vojislav Koshtunica, me 13.9%. Socialistët, që do të zgjedhin presidentin e tyre të parë të partisë që nga Millosheviçi, në një kongres më parë këtë muaj, kanë 5.6%. G17 Plus e ish ministrit të financave Mllagjan Dinkiç ka rreth 5.2%. Parti të ndryshme që përfaqësojnë pakicat etnike kanë gjithashtu gjasa ta kapërcejnë pragun parlamentar.
Me këtë barazpeshë forcash, partitë demokratike mund të formojnë një qeveri vetëm në qoftë se rregullojnë një koalicion të të gjithë përfaqësuesve që hyjnë në parlamentin e ri, përveç atyre të partive Radikale e Socialiste. Me qëllim që të forcojnë pozitat e tyre, demokratët kanë bërë një koalicion me partinë rajonale boshnjake në Serbi, Partinë Demokratike të Sanxhakut. Ndërkohë, DPS ka ngritur një aleancë me disa parti rajonale nga Serbia qendrore.
Për shkak se këto zgjedhje janë potencialisht aq të rëndësishme, komuniteti ndërkombëtar ka lëvizur për t'u dhënë mbështetje partive demokratike. Marti Ahtisaari, i dërguari i posaçëm i OKB-së për statusin e Kosovës, shtyu njoftimin e një rezolucioni për statusin pasi të mbahet votimi. Shumë analistë perëndimorë dhe burime të medias kanë thënë se Ahtisaari ka gjasa të propozojë një lloj pavarësie të kushtëzuar për Kosovën. Kjo mund të shkaktojë rrëmujë politike brenda Serbisë; ndaj është ky vendim i Ahtisaarit për të shtyrë zbulimin e propozimit të tij për të ardhmen.
BE ka dërguar sinjale. Agjensia e lajmeve me bazë Beogradin, Tanjug raportoi detajet e një dokumenti jozyrtar hartuar nga presidenca finlandeze e BE që pohonte se gjatë ditëve të ardhshme shtetasve serbë do t'u dërgohej një mesazh i qartë lidhur me perspektivat e tyre evropiane.
![]() Serbia u ftua të bashkohet me programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s në samitin e Rigës javën e shkuar. [Getty Images] |
Dokumenti parasheh intensifikimin e takimeve midis krerëve politikë dhe ekonomikë, përshpejtimin e bisedimeve mbi përfitimet për vizat dhe fillimin e realizimit të programeve financiare nga fondet e para-pranimit në BE, të gjitha këto pjesë e një orvatjeje për të forcuar marrëdhëniet midis BE dhe Beogradit.
Në zhvillimin më të fundit, NATO përfundoi samitin e vet në Rigë me një ftesë Serbisë, së bashku me partnerin e saj të bashkimit shtetëror Malin e Zi si dhe Bosnje e Herzegovinën, për t'u bashkuar me Partneritetin për Paqe, një hap i parë drejt anëtarësimit përfundimtar në Aleancë. Për vite, anëtarësimi në PfP ka qenë haptazi i lidhur me ekstradimin e Mlladiç. Ndryshimi dramatik në politikë, që e tronditi kryeprokuroren e OKB-së Karla del Ponte, dërgon një sinjal të fortë që Perëndimi është i merakosur rreth qëndrueshmërisë së proceseve demokratike në Serbi. Politikanët reformistë kanë këshilluar në mënyrë të përsëritur se e ardhmja politike do të jetë e zymtë në qoftë se ata japin veçse lajme të këqia në frontin e politikës së jashtme. Komuniteti ndërkombëtar duket se ja ka vënë veshin këtij paralajmërimi.
Kur njoftoi zgjedhjet, Tadiç tha se në 21 janar Serbia do të zgjedhë midis një të ardhmeje evropiane dhe një kthimi në "të shkuarën e errët" jo dhe aq të largët të kohës së Millosheviçit. "Unë pres fitoren e forcave demokratike, fitoren e politikës që është përcaktuar nga një qëllim: anëtarësimi në BE dhe përmirësimi i standardeve jetësore të shtetasve," tha ai. Në më pak se dy muaj, votuesit serbë do të tregojnë në se ai kishte apo jo të drejtë. Dhe bota do të kqyrë.