Për të gjetur filzofët e fundit të Beogradit, thirr një taksi

06/02/2006

Në qoftë se hipën në një taksi në Beograd, jo vetëm bën një udhëtim të lirë por ke edhe një kardiogramë të plotë e të hollësishme të politikës, ekonomisë dhe çdo aspekti tjetër të shoqërisë serbe. Shoferët e taksive të qytetit disponojnë gjithshka që nga informacioni praktik, ku të hash apo të kalosh një kohë të mirë, deri në informacionin e brendshëm rreth politikanëve dhe figurave të tjera publike, duke shtuar të veçantën e tyre të filozofimit amatoresk. Por mos pritni që të gjitha këto të jepen pa asnjë përpjekje nga ana juaj, shkruan korrespondentja e SETimes Jelena Tusup. Në Beograd, një rrugë me taksi nuk është vetëm një transaksion biznesi por një marrëdhënie bazuar në besimin e ndërsjelltë.

Nga Jelena Tusup për Southeast European Times në Belgrad – 06/02/06

photo

Një grua në Beograd thërret një taksi. [AFP]

Në qoftë se doni të dini gjithshka që dihet rreth çështjeve pikante në Serbi, përpiquni të hipni në një nga mbi 7,000 taksitë e Beogradit. Jo vetëm do të gjeni një udhëtim të lirë (afërsisht 2 euro për 10 minuta rrugë) por një kardiogramë komplekse e të hollësishme të politikës, ekonomisë dhe çdo aspekti tjetër të shoqërisë serbe.

Ata që kanë përvojë me shoferët e taksive të Beogradit i kanë konsideruar ata kurdoherë miqësorë, të mënçur e të mirëinformuar. Ajo që mund të duket si një dërdëllitje tjetër, mund të jetë në fakt burim i një informacioni të vlefshëm, deri këtu të padyshimtë, rreth çfarëdo numri temash: ku mund të këmbesh para apo të hash mirë në mes të natës, ku mund të gjesh dikë apo diçka, si të sillesh me policët, ku dhe kur të shohësh për dëfrim, cila rrugë është më e shkurtra (apo më e gjata).

Mund të merrni gjithashtu lajme rreth politikanëve dhe figurave të tjera të mirënjohura, kush është më popullor, me se merret gruaja e tij këto ditë, a vë apo jo ai baste për futbollin, në se ka ndryshuar adresën dhe informacion tjetër të saktë. Natyrisht nuk mund t'i besoni gjithshkaje që dëgjoni. Megjithatë, duhet pasur parasysh se "gjithkush që është dikush" në Beograd, përdor një taksi. Dhe në se jo vetë politikanët, janë ndihmësat e tyre, anëtarë të familjes, miq, fqij. Falë çmimit ende të ulët të shërbimit të taksive, shpesh është e mundur të mësosh gati gjithshka do.

Përveç rolit të tyre si përçues të informacionit, shoferët janë konsideruar kurdoherë më të talentuarit filozofë amatorë, duke dhënë proverba ("nuk e humb kurrë udhën që është e shkruar të bësh") dhe këshilla të mençura. Ata janë analistë të shkëlqyer, në se janë të zymtë: analiza e përgjithshme është kurdoherë "e keqe" ose, siç thonë ca më optimistë, "ka edhe më keq". Shumica e tyre nuk votojnë, duke qenë të zhgënjyer me ata që kanë favorizuar më parë, dhe e shohin politikën si një biznes të pistë.

Në epokën pas-Millosheviçit, fokusi i tyre kryesor ka lëvizur nga politika në temat e përditshme jetike, tranzicioni, pagat, taksat, kreditë, normat e interesit, çmimet, politikat e brendshme e me rradhë. Ata shpesh e kanë një zgjidhje për problemet më të vështira të Serbisë. "E vetmja zgjidhje për këtë vend është që të rinjtë 't'i vënë plugun' qeverisë, ta nxjerrin nga ndërtesa dhe të thërresin të gjithë 'të paprishurit' nga jashtë që të vijnë e të dalin vullnetarë për ta bërë këtë vend të punojë," thotë një shofer i vjetër taksie.

photo

Gjatë dy vjetëve të fundit, thonë ca, shoferët e taksive janë bërë më pak fjalamanë se më parë. Ndoshta ky është një pasqyrim i ndryshimeve në Serbi, një lëvizje ndaj vlerave perëndimore dhe humbjes së asaj ndjesie të këndshme të Ballkanit. [AFP]

Një tjetër ka një pikëpamje edhe më ekstreme. "Të gjithë të rinjtë që janë ende këtu duhet ta lënë këtë vend të qelbur."

Nuk është e pazakontë për pasagjerët të gostiten me histori piktoreske lidhur me "kohrat më të mira" të epokës komuniste, të cilat shoferët e taksive përpiqen t'i kujtojnë me dinjitet e dhimbje. Në atë kohë, pak nga ta qenë shoferë taksish. Shumica kishin punë të tjera të qëndrueshme, në prodhim, shitje apo shërbime. Puna, do t'ju thonë ata, nuk ishte e vështirë, dhe të gjitha qenë të përballueshme, pushimet, makinat, apartmanetet, veshjet nga Italia." Në rangun e tyre përfshihen njerëz me doktoraturë, violinistë kryesorë dikur në Filharmoninë e Beogradit, ish alpinistë profesionistë. Fatet e tyre kanë marrë shtigje të çuditshme dhe temat e bisedimeve të tyre janë të pafundme.

Kujdesi duhet, megjithatë. Askush nuk fiton automatikisht të drejtën e ekspertizës së shoferit edhe pse ju jeni ai që paguani për udhëtimin. Duhet krijuar besimi i ndërsjelltë. Kjo është pse shumë njerëz zgjedhin shoferin e "tyre", një që i merr kurdoherë. Po të bëheni të njohur, gjithshka është e mundur. Por kur hyni së pari në një taksi, mos u habitni apo zhgënjeni në qoftë se do të priteni me heshtje. Po të jeni grua, ju bën punë të buzëqeshni e të silleni si e papërvojë, por e sinqertë. Për një burrë, një shaka apo dy, për të çarë akullin është një fillim i mirë. Dhe një bakshish gjithashtu.

Artikuj që kanë lidhje

Loading

Gjatë dy vjetëve të fundit, thonë ca, shoferët e taksive janë bërë më pak fjalamanë se më parë. Ndoshta ky është një pasqyrim i ndryshimeve në Serbi, një lëvizje ndaj vlerave perëndimore dhe humbjes së asaj ndjesie të këndshme të Ballkanit. Në kohën e Millosheviçit serbët ndjenin se kishin një problem të përbashkët që gjithkush e tirrte pafund. Sot, ndjenja e çështjes kurorëzuese është zhdukur dhe së bashku me të edhe sensi i të përbashktës. Njerëzit kanë secili mendjen e vet.

Në një koment më praktik, ka disa rregulla që vizitorët në Beograd duhet t'i mbajnë kurdoherë parasysh. Mos merrni kurrë një nga taksitë që presin në aeroport, apo stacion treni a autobuzi, ata pothuajse me siguri të rrjepin. Është më mirë të telefonosh për një taksi; kështu do të jeni të sigurtë se është e rregullt dhe mund t'ju bëjë edhe një zbritje.

Në qoftë se mendoni se ju kanë mbajtur shumë, kërkoni një faturë dhe mbani mend numrin e taksisë. Pastaj telefononi në agjensinë e tij. Kini parasysh që shoferët e taksive janë një komunitet i lidhur ngushtë. Mos nisni kurrë një grindje apo mos u dukni se përbëni një kërcënim ndaj shoferit. Në më pak se një minutë, shoferë të tjerë do t'i vinë atij në ndihmë.

Kur thërrisni një taksi mundeni kurdoherë të kërkoni një taksi ku lejohet apo nuk lejohet duhani apo për një shofer që flet anglisht. Më së fundi, sigurohuni në se taksia ka taksimetër.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Loading

Voto

Loading

Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.

Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.

Politika e komenteve të SETimes

Kosovë: Gjendje pa rrugëdalje në kufi

Kosovë: Gjendje pa rrugëdalje në kufi

Energji: Çështje dhe Prirje

Energji: Çështje dhe Prirje

Në ndryshim të perceptimit: Gratë në Ballkan

Në ndryshim të perceptimit: Gratë në Ballkan

Ballkani nis të bëhet i gjelbër

Ballkani nis të bëhet i gjelbër
Loading
Loading
Loading
Loading

Anketë

BE kohët e fundit zgjodhi të vonojë dhënien e statusit të kandidatit Serbisë duke prishur shpresat se piketa historike do të arrihej këtë vit. Sa serioz është dëmi politik ndaj presidentit Boris Tadiç dhe koalicionit qeverisës?

Shumë serioz
Serioz
I mesëm
I parëndësishëm
Nuk ka dëm



shih rezultatet Shto koment