Ekonomia rumune: Ç'duhet parë në 2006

23/01/2006

Rumania ndeshet me një numër sfidash shtrënguese këtë vit. Teksa kushtet e tregut i qasen atyre të BE, firmat lokale hasin një konkurrencë më të ashpër . Kjo nga ana e vet shpie në rritje më të vogël në prodhimin industrial dhe t; PKB-së. Ekonomia është prekur gjithashtu nga shirat e mëdha dhe përmbytjet e vitit të kaluar si edhe nga rritja e çmimit të energjisë. Klima ndërkombëtare ndërkohë është e pasigurtë me stanjacionin ekonomik në Evropë dhe ngritjen e ekonomive aziatike që çon drejt proteksionizmit. Krerët rumunë politikë e të biznesit kanë kësisoj mjaft për të arritur në angazhimet e vendit ndaj BE dhe udhëheqjen e tij drejt hyrjes së pritshme në bllok.

Nga Daniel Daianu për Southeast European Times në Bukuresht – 23/01/06

photo

Sa më shumë që kushtet e tregut vendas përputhen me ato anembanë BE, aq më e vështirë është për kompanitë e shumta lokale të respektojnë kushtet e reja të konkurrencës.

Parashikimi i ecurisë ekonomike të Rumanisë në 2006 është një punë e vështirë. Megjithatë, mund të themi me siguri se perspektiva varet nga një numër çështjesh të posaçme. Midis tyre është aftësia e ekonomisë vendase për t'ju përshtatur kushteve që ndryshojnë.

Prodhimi industrial u rrit në mënyrë të konsiderueshme më pak në 2005 se sa në vitin paraardhës. Për nëntë muajt e parë, rritja ishte thjesht 2 përqind, ndërsa PKB për gjithë vitin ka gjasa të mos e ketë kaluar 4 përqind. Këto shifra jo përshtypjelënëse i vishen pjesërisht shirave të shumtë dhe përmbytjeve që prekën vendin. Në të njëjtën kohë, industria rumune dhe disa sektorë në veçanti, u goditën nga vlerësimi i ashpër i monedhës vendase, ngritja e tarifave të energjisë, shkurtimi i financimeve dhe konkurrenca më e fortë.

Në përgjithësi, sa më shumë që kushtet e tregut vendas përputhen me ato të BE, aq më e vështirë është për kompanitë e shumta vendase të respektojnë kushtet e reja të konkurrencës. Kjo është pasqyruar në rritjen më të vogël të prodhimit dhe të PKB-së. Si do të shkojnë kompanitë vendase në periudhën që vjen? Ose, për ta thënë ndryshe, a ka rënë prodhimi industrial në nivelin e tij më të ulët, apo do të vazhdojë ende rregullimi me zbritje, sëbashku me kostot e dhimbshme të lidhura me të?

photo

Ekonomia u prek nga shirat e rëndë dhe përmbytjet e vitit të kaluar. [AFP]

Në qoftë se ende nuk është kapur fundi, mund të shohim shifra më të këqia në muajt që vijnë. Në qoftë se fundi është arritur, norma e prodhimit industrial në 2006 mund të rritet, ndonëse shënjat nuk e bëjnë me gjasë deri në tremujorin e dytë. Një përthithje më e shpejtë e goditjeve do ta ndihmonte rritjen e PKB-së të mëkëmbej gjithashtu. Të korrat e mbara do ta ndihmonin një mëkëmbje të tillë në mënyrë të konsiderueshme; të korrat e këtij viti ranë kryengulthi 12 përqind krahasuar me 2004. Megjithatë, shumë optimizëm nuk garantohet, duke marrë parasysh se fitimet nga rritjha e prodhimtarisë qenë relativisht jo përshtypjelënëse në 2005.

Defiçiti tregtar ka vazhduar të rritet me të shpejtë dhe defiçiti aktual mund të ketë kapërcyer 9 përqind të PKB-së në 2005. Bazuar në atë që PKB dhe rritja e prodhimit industrial janë ngadalësuar ndjeshëm, një pyetje kërkon përgjigje: a janë të tilla defiçite të jashtme të përballueshme? Në fakt, janë disa aspekte lidhur me rritjen në defiçitet e jashtme që kërkojnë sqarim. Fitimet jo përshtypjelënëse të prodhimit të ekonomisë këtë vit duket se konfirmojnë parandjenjën që shpreha në një artikull disa vite më parë, lidhur me një sfidë të madhe konkurrence. Ekonomia duhet në një farë mënyre t'i bëjë ballë një vlerësimi të mprehtë të normës së këmbimit që rezulton nga vërshimet e shumta të parave nga rumunët që punojnë jashtë dhe hyrjeve të tjera të kapitalit që tërhiqen nga perspektivat e bashkimit të Rumanisë me BE (e ashtuquajtura "sëmundje hollandeze").

Disa do të arsyetonin se defiçitet e jashtme nuk janë shqetësuese, bazuar në rritjen "normale" të kreditit bankar dhe praninë e kapitalit të huaj në industrinë bankare, që me hamendje përkthehet në linja krediti të besueshme afat-gjata. Por argumente të tilla kanë kufizime. Në ekonominë reale nuk ka udhë me një kalim; korigjimet e dhimbshme janë të pashmangshme sapo defiçitet kapërcejnë njëfarë pragu. Po të ndodhte një korigjim i tillë, ai do të përfshinte një zhvlerësim të ashpër të normës së këmbimit që mund të rindizte inflacionin.

photo

Prova reale e regjimit të ri të politikës monetare të Bankës Kombëtare, domethënë synimi i inflacionit, do të vijë këtë vit. [NBR]

Sa për regjimin e ri të politikës monetare të Bankës Kombëtare (NBR), domethënë synimin e inflacionit, prova reale do të vijë këtë vit. Katër muajt e fundit të vitit 2005, gjatë të cilëve u praktikua synimi i inflacionit, nuk janë fare përfundimtare dhe do të kishte qenë ndoshta më mirë të shtyhej futja e tij për një kohë. Prova do të jetë tepër e kërkuar pasi kushtet janë të veçanta: pothuajse gjysma e rezervës së parave i shpëton kontrollit të NBR ( për shkak se transaksionet janë emërtuar në euro dhe dollarë); dhe bumi i kreditit bankar dhe liberalizimit të llogarisë së kapitalit kanë gërryer aftësinë e NBR për të kontrolluar rezervën e parave. Objektivi prej 5 përqind i inflacionit për 2006 është tepër iambicioz, duke konsideruar rritjen në tarifat e gazit dhe pritjet inflacioniste në bazën e tyre. Objektivi i vitit të kaluar nuk u arrit me një diferencë të madhe: inflacioni do të kishte gjasa të ishte 8.7 deri në 8.8 përqind në 2005 nga 6 përqind e objektivit fillestar, përpara hyrjes së taksës së rrafshtë.

Ndonëse buxheti publik parashikon një defiçit prej 0.5 përqind për vitin 2006, disa nga premisat në bazën e tij janë të diskutueshme, veçanërisht ato të lidhura me rritjen e PKB-së dhe inflacionin. Një rektifikim buxheti do të duhej të konsideronte një revizionim të këtyre premisave. Ekzekutimi i buxhetit duhet të jetë i shtrënguar vitin e ardhshëm. Në të njëjtën kohë, financimi i projekteve të infrastrukturës duhet të rritet. Dhe vëmendje e posaçme duhet t'i jepet rritjes së kapacitetit për të përthithur fondet e BE. Një menazhim i mjaftueshëm i çështjeve kyçe ka potencialin për të rritur gradën e investimit të Rumanisë.

Mjedisi ndërkombëtar, ndërkohë, është nën magjinë e pasigurive të mëdha të cilat janë rrënjosur në çekuilibrat globalë dhe ndikimin ekonomik të konflikteve të ndryshme gjeopolitike. Stanjacioni ekonomik në Evropë dhe tjetërkund si edhe rritja e Kinës dhe ekonomive të tjera aziatike, bën që vendet të gjejnë strehë te proteksionizmi si një mjet për të mbrojtur tregjet vendase (raundi i bllokuar Doha i tregtisë flet vetë për këtë). Çmimi i mallrave bazë dhe i naftës do të vazhdojë të ndikohet nga ngritja e ekonomive aziatike. Këto rrethana do të kenë një ndikim në ekonominë rumune, ndonëse kjo varet shumë nga tregjet e BE.

E fundit, por jo më e parëndësishmja, Rumania duhet të përmbushë mirë angazhimet e saj ndaj BE; sa më mirë ta bëjmë këtë aq më të mira janë shanset tona për të hyrë në Bashkim. Krerët politikë e të biznesit të Rumanisë kanë përgjegjësinë e përcaktimit më të mirë të interesave kombëtare dhe në afate konkrete. BE ka veçoritë e veta specifike mbikombëtare; por ajo është gjithashtu një yllësi interesash kombëtare të cilat shpesh janë të kundërta. Ky realitet përbën sfida të shumta ndaj proceseve vendim-bërëse kombëtare. Mospërballimi i këtyre sfidave, megjithatë mund të mbajë çmimin e anëtarësimit të shtyrë në BE, falë kushtit të mbrojtjes. Piketat për vitin 2006 janë të larta.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading