12/12/2005
Marrëveshja me ndërmjetësinë e SHBA e arritur në Dejton, Ohajo në 21 nëntor 1995 dhe zyrtarisht e nënshkruar në 14 dhjetor të po atij viti i dha fund konfliktit më të përgjakshëm në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe rivendosi paqen në Bosnjë dhe Herzegovinë.
(Burime të ndryshme -- 21/11/95 - 20/11/05)
![]() Dokumenti i cili përfundimisht u bë i njohur si Akordet e Paqes të Dejtonit (DPA) u nënshkrua zyrtarisht nga tre presidentët ballkanas në 14 dhjetor 1995 në Paris. [AFP] |
Pas ndarjes së Sllovenisë dhe Kroacisë nga Republika Federale e Jugosllavisë (FRY) në 1990 dhe 1991, respektivisht, Bosnja dhe Herzegovina (BiH) mbajti një referendum mbi pavarësinë në 29 shkurt dhe 1 mars 1992. Muslimanët boshnjakë dhe kroatët, të cilët më së shumti morën pjesë në plebishit, mbështetën shkëputjen e republikës nga federata, ndërsa shumica e serbëve boshnjakë e bojkotoi votimin. Në 5 prill 1992, parlamenti kombëtar deklaroi pavarësinë e BiH nga FRY. Konflikti që pasoi ishte më i përgjakshmi në historinë evropiane që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, duke vrarë qindra e mijra njerëz dhe duke shpërngulur miliona.
Rreth tre vjet e gjysmë pas shpërthimit të dhunës dhe pas dështimit të disa orvatjeve ndërkombëtare për një marrëveshje paqeje, Shtetet e Bashkuara ndërmorën një nismë të re në vjeshtën e vitit 1995. Negociatat e fqinjësisë midis palëve ndërluftuese përfaqësuar nga presidenti i atëhershëm serb Solobodan Millosheviç, presidenti kroat Franjo Tuxhman dhe presidenti boshnjak Alija Izetbegoviç, u hapën në bazën e forcave ajrore Rajt-Paterson në Dejton, Ohajo në 1 nëntor 1995. Bisedimet u kryesuan nga Riçard Hollbruk i cili shërbente atë kohë si ndihmës sekretar i shtetit të SHBA. Përfaqësuesit e BE dhe Grupit të Kontaktit, Britania, Franca, Gjermania dhe Rusia, morën pjesë gjithashtu në negociatat e sforcuara në bazën ajrore të SHBA.
Tre javë pas nisjes së bisedimeve, Millosheviç, Tuxhman dhe Izetbegoviç arritën më së fundi një marrëveshje dhe iniciuan një Marrëveshje të Përgjithshme Kornizë për Paqen në BiH në 21 nëntor. Dokumenti, i cili përfundimisht u bë i njohur si Akordet e Paqes të Dejtonit (DPA) u nënshkrua zyrtarisht nga të tre presidentët ballkanas në 14 dhjetor 1995 në Paris.
Krerët ndërkombëtarë që ndoqën ceremoninë e nënshkrimit përfshinin Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Butros Butros-Gali, Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Havier Solana, Presidentin e SHBA Bill Klinton, Presidentin francez Zhak Shirak, Kryeministrin anglez Xhon Mejxhër, Kancelarin gjerman Helmut Kohl dhe Kryeministrin rus Viktor Çernomërdin. BE përfaqësohej nga ish kryeministri suedez dhe bashkëkryetari i konferencës së paqes të Dejtonit, Karl Bildt.
"Në këtë kor për paqen sot ne dëgjojmë gjithashtu zërat e shenjtëruar të viktimave, fëmijët fushat e lojrave të të cilëve u bombarduan në fusha vrasëse, vajzat e reja të brutalizuara nga përdhunimi, burrat e qëlluar në varre të përbashkët, ata që vuajtën nga uria në kampe, ata që u vranë në luftë, miliona të hequr nga shtëpitë e tyre dhe të ndarë nga familjet e tyre," tha Klinton në fjalën në ceremoni. "Edhe përtej varrit, ka viktima që këndojnë sot këngën e paqes. Qofshin përherë në mendjet e zemrat tona zërat e tyre."
DPA përfshin 11 anekse që mbulojnë aspektet ushtarake, politike dhe civile të zgjidhjes së paqes si edhe ato të stabilizimit rajonal.
Marrëveshja krijoi BiH si një shtet sovran të përbërë nga dy njësi me mjaft autonomi, një federatë muslimano-kroate, të quajtur Federata e BiH dhe një njësi pak më të vogël mini-shteti të drejtuar nga serbët boshnjakë, të quajtur Republika Serpska. Ajo përcaktoi gjithashtu kufijtë ndërkombëtarë dhe ndër-etnikë të vendit. Kushtetuta e BiH u përfshi në DPA si Aneksi 4.
DPA e detyroi BiH, Kroacinë dhe atë që mbeti nga FRY të respektojnë barazinë sovrane të njeri tjetrit dhe të zgjidhin grindjet me mjete paqësore. Duke nënshkruar Akordet, palët ndërmorën gjithashtu angazhimin të respektojnë të drejtat njerëzore dhe të drejtat e refugjatëve dhe të personave të zhvendosur. Më pas ata ranë dakord të bashkëpunojnë plotësisht me të gjitha institucionet dhe organizmat e duhura në realizimin e zgjidhjes së paqes dhe për të hetuar e ndjekur krimet e luftës dhe shkelje të tjera të ligjit ndërkombëtar humanitar.
Një ditë pas nënshkrimit zyrtar të DPA në Paris, Këshilli i Sigurimit i OKB-së lëshoi rezolutën 1031 që i jepte NATO-s mandatin për të zbatuar aspektin ushtarak të marrëveshjes. Në 20 dhjetor 1995, një forcë shumëkombëshe prej 60,000 trupash e udhëhequr nga NATO, e quajtur Forca e Zbatimit (IFOR) u vendos në BiH si pjesë e operacionit më të madh ushtarak të Aleancës të emëruar Operacioni Përpjekja e Përbashkët. IFOR të cilit ju dha një mandat një-vjeçar, u zëvendësua në dhjetor 1996 nga një Forcë e Stabilizimit (SFOR). Filllimisht me rreth 32,000 trupa, SFOR u pakësua me kohë deri në 7,000 trupa në krye të vitit 2004, kur misioni për zbatimin e aspekteve ushtarake i kaloi forcës së udhëhequr nga Bashkimi Evropian, EUFOR.
Zbatimi i aspekteve civile të PDA ju caktua Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR) në BiH. Duke vepruar nën një mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Përfaqësuesi i Lartë shërben si një i dërguar i lartë i komunitetit ndërkombëtar në vendin ballkanik dhe ka pushtetin më të lartë, duke përfshirë shkarkimin e zyrtarëve dhe futjen në veprim të ligjeve. Detyrat e tij përfshijnë lehtësimin dhe bashkërendimin e veprimtarive të organizatave dhe agjensive të përfshira në aspektet civile të zgjidhjes së paqes.
Akordet e Dejtonit ja dolën arritjes së objektivit të menjëhershëm të ndalimit të gjakderdhjes në BiH dhe vendosjes së paqes. Duke bërë kështu, ato ngritën gjithashtu një nga strukturat qeveritare më komplekse të botës, një rregullim që shumë brenda e jashtë BiH e shohin si të paqëndrueshëm për një afat të gjatë. Me institucione qendrore të dobta, një ndarje të vazhdueshme midis dy njësive dhe një vartësi nga qeverisja ndërkombëtare, vendi nuk mund të quhet një shtet funksional. Në 22 nëntor, gjatë përkujtimeve të Dejtonit në Uashington D.C., përfaqësuesit e e tre grupeve përbërëse të BiH bënë një premtim historik për të lëvizur përpara, duke u zotuar t'i hyjnë reformave tërësore me qëllim hedhjen e bazave për paqen dhe prosperitetin e ardhshëm.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes