18/07/2005
Maqedonia pritet të marrë një paketë thelbësore ndihme prej BE-së sipas programit CARDS. Më 5 korrik, Zëvendëskryeministria maqedonase Radmilla Sekerinska dhe kreu i delegacionit të Komisionit Europian në Shkup, Donato Kiarini, nënshkruan një marrëveshje për fillimin e paketës së ndihmës, e cila do të shkojë në katër fusha kryesore: stabilizimi i demokracisë, qeverisja e mirë e ndërtimi i institucioneve, zhvillimi ekonomik e social dhe pjesëmarrja në programet e Komunitetit Europian.
Nga Zoran Nikolovski për Southeast European Times në Shkup – 18/07/05
![]() Zëvendëskryeministrja maqedonase Radmilla Sekerinska (majtas) dhe kreu i delegacionit të Komisionit Europian në Shkup, Donato Kiarini, shtërngojnë duart pas nënshkrimit të një marrëveshjeje për fillimin e paketës së ndihmës. [Tomisllav Georgiev] |
Zëvendëskryeministria maqedonase Radmilla Sekerinska u takua me kreun e delegacionit të Komisionit Europian (KE) në Shkup, Donato Kiarini, më 5 korrik, për të nënshkruar një marrëveshje financiare për fillimin e dhënies së ndihmës prej 34.5 milionë euro të BE-së për Maqedoninë sipas programit CARDS.
Ndihma, fillimisht e njoftuar në prill, synon të ndihmojë që Maqedonia të arrijë qëllimet e parashikuara në Marrëveshjen e saj të Stabilizimit dhe Shoqërizimit me Bashkimin, si dhe të mbështesë zbatimin e Marrëveshjes Kuadër të Ohrit. Fondet do të përdoren në katër fusha të përparësisë, të identifikuara nga BE dhe Maqedonia: stabilizimi i demokracisë, qeverisja e mirë e ndërtimi i institucioneve, zhvillimi ekonomik e social dhe pjesëmarrja në programet e Komunitetit Europian. Një pjesë e ndihmës (1.4 milionë euro) do të shkojë për Mjediset e Përgjithshme të Ndihmës Teknike, që mbështet përgatitjen dhe zbatimin e shpejtë të veprimtarive si dhe procesin e planifikimit për programe të ardhshme.
![]() Programi CARDS u krijua nga BE në mënyrë që të ofrojë ndihmë për vendet që janë duke kaluar në Procesin e Stabilizmit dhe Shoqërizimit. [BE] |
"Në fushën e stabilizimit të demokracisë, mbështetja për zbatimin e Marrëveshjes Kuadër është duke vazhduar," tha Sekerinska. "Në fushat e qeverisjes së mirë dhe zhvillimit të institucioneve, shumica e fondeve janë të synuar për mbështetjen e zyrës së prokurorisë, luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar, si dhe mbështetjen e procesit të decentralizimit duke zhvilluar infrastrukturën vendore."
Përpjekjet për stabilizimin e demokracisë në vend përmes zbatimit të Marrëveshjeve të Ohrit do të ndihmohen prej pothuajse 2 milionë euro në fonde të CARDS. Theksi do të vendoset në dy fusha: rritja e niveleve të përfaqësimit të bashkësive të pakicave etnike në administratën publike dhe krijimi i një sektori të ri qeveritar të ngarkuar me zbatimin e marrëveshjes.
Fushave të qeverisjes së mirë dhe ndërtimit të institucioneve u është akorduar një shumë e përgjithshme prej 18.5 milionë euro. Prej kësaj shume, 15 milionë euro janë rezervuar për reformën e administratës publike, ku 6.7 milionë euro do të shkojnë për krijimin e infrastrukturës në vetë-qeverisjen vendore, 3 milionë euro për reformën e shërbimit doganor dhe zbatimin e standarteve europiane dhe 2 milionë euro për procesin e decentralizimit.
Pjesa e mbetur prej 3.5 milionë euro në fonde për ndërtimin e institucioneve janë rezervuar për reformën e drejtësisë dhe punëve të brendshme, përfshirë reforma të zyrës së prokurorisë (1.5 milionë euro), luftën kundër pastrimit të parave (1.5 milionë euro) dhe forcimin e aftësisë për të luftuar krimin e organizuar dhe terrorizmin (0.5 milionë euro).
![]() Përmirësimet në infrastrukturën e transportit do të marrin 2.4 milionë euro prej paketës së ndihmës CARDS. |
Rreth 7.6 milionë euro do të akordohen për zhvillimin ekonomik dhe social. Prej kësaj, 1.2 milionë euro do të shkojnë drejt përmirësimit të klimës së investimeve në Maqedoni. Zhvillimi i sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme do të ndihmohet me 2.4 milionë euro, ndërsa përmirësimet në infrastrukturën e transportit dhe mbrojten mjedisore do të marrin përkatësisht 2.4 milionë euro dhe 2 milionë euro. Programi TEMPUS i KE-së që synon përmirësimin e arsimit të lartë do të vazhdojë, dhe do të ofrohet ndihmë e mëtejshme për reformën e politikave të punësimit.
Sipas planit të përfunduar në Takimin e Selanikut, programet e bashkësisë europiane janë të hapur për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ndihma CARDS është e disponueshme për të mbuluar pjesën më të madhe të kostove të pjesëmarrjes. Maqedonia pritet të marrë pjesë në disa prej këtyre projekteve brenda vitit të ardhshëm dhe Brukseli është duke vendosur pothuajse 2 milionë euro në dispozicion për këtë qëllim.
Ekspertët thonë se ka rëndësi të madhe që 1.3 milionë euro që synojnë zhvillimin e kapacitetit të Maqedonisë të mbështesin një sistem të decentralizuar për administrimin e ndihmës së BE-së. Komisioni Europian do t’i manaxhojë këto fonde, të cilat synojnë të ndihmojnë vendin në zhvillimin e kapacitetit të tij për administrimin vetë të ndihmës së BE-së. Më parë, Agjencia Europiane për Rindërtim (EAR) e kishte marrë përsipër këtë detyrë. Por mandati i EAR përfundon në dhjetor dhe Instrumenti për Para-Pranimin (IPA) fillon në janar 2007. Nëse Maqedonia merr statusin e kandidatit, ajo do të fillojë t’a administrojë vetë ndihmën dhe kjo kërkon krijimin e institucioneve. Ky proces tashmë ka filluar.
Programi CARDS u krijua nga BE në mënyrë që të ofrojë ndihmë për vendet që janë duke kaluar në Procesin e Stabilizmit dhe Shoqërizimit. Ndihma CARDS është akorduar për të katër vendet e mundshëm kandidatë në Ballkanin Perëndimor: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia dhe Serbia e Mali i Zi (përfshirë Kosovën.) Kroacia, të cilës i është dhënë statusi i vendit kandidat, do të përfitojë prej ndihmës financiare të para-pranimit, duke patur të drejtën për pjesëmarrje në programin rajonal CARDS.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes