31/01/2005
Pro-të dhe kundrat ndaj autsorsing (kontraktimi i një pjese apo i të tërës të prodhimit të një produkti jashtë vendit me qëllim uljen e kostos) dhe ofshoring (vendosja e institucioneve financiare jashtë vendit të depozituesve me qëllim përfitimi nga taksat apo lehtësitë financiare) janë bërë subjekt i debatit të ndezur në shumë vende. Shumë ekonomistë besojnë se një kombinim i faktorëve, duke përfshirë nivelet e larta të edukimit, pagat e ulta lokale dhe qeverisjen e mirë, janë të nevojshme për vendet për të përfituar plotësisht nga përparësitë e një ekonomie globale. Vendet e Europës juglindore janë të mirëvendosura në lidhje me aftësitë dhe pagat por do të nevoiten politika të mençura publike me qëllim që të korren përfitimet e autsorsing brenda Europës, arsyeton ekonomisti dhe ish ministri rumun i financave, Daniel Daianu.
Nga Daniel Daianu për Southeast European Times në Bukuresht -- 31/01/05
![]() |
Vitet e fundit kanë dëshmuar një korr në rritje shqetësimi në vendet e përparuara për shkak të ndikimit të tregtisë globale në ekonomitë e tyre. Në Shtetet e Bashkuara, politikanët kryesorë nga të dy partitë e mëdha kanë kundërshtuar atë që ata e perceptojnë si shumëfishim të punëve që po u ikin nga dora për shkak të autsorsing dhe ofshoring. Shqetësimet janë edhe më të mprehta në Europën perëndimore; disa ministra francezë e gjermanë i kanë bërë publike shqetësimet e tyre ndaj rishpërndarjes industriale. Ish ministri francez i financave, Nikolas Sarkoshi dhe ministri gjerman i ekonomisë Volfgang Klement kanë qenë veçanërisht më të zëshëm. Ata nuk kanë ngurruar të fajësojnë vendet e reja anëtare të BE për praktikimin e dyshuar të konkurrencës së pandershme nëpërmjet taksave më të ulta. Si ka ndodhur që ekonomitë e përparuara të cilat tradicionalisht kanë qenë përkrahës të vendosur të tregtisë së lirë, duket se kanë rezerva?
Tradicionalisht, ana më pak e mirë e tregtisë së lirë globale ka shfaqur efektet e saj në vendet të cilat, ose nuk mund të përdorin më mirë përparësitë e tyre krahasuese ose që ndeshin proteksionizëm të ashpër nga ekonomi më të pasura në disa fusha, për shembull prodhimin bujqësor. Në përgjithësi, të tilla ekonomi do të gjenden në botën në zhvillim ku janë përhapur gjerësisht qeverisja e dobët dhe paaftësia për të thithur teknologjitë e reja. Kjo gjendje nxiti ekonomistin e Haruardit, Dani Rodrik të vërë në dukje se tregtia e lirë nuk është domosdoshmërisht nxitëse e mirëqënies për ekonomitë e varfëra.
![]() Tregtia e lirë e makinerive dhe prodhimeve bujqësore nuk është në përfitim të të gjithë vendeve. [AFP] |
Ka arsye si teorike dhe realiste për këtë kthesë të pjesëshme në retorikën publike që vjen nga vendet e pasura. Nisur nga teoria ekonomike, argumentet që theksojnë të mirat e tregtisë së lirë formojnë bazën për racionalizimin e shkëmbimeve tregtare midis vendeve; megjithatë, këto argumente humbasin një pjesë të forcës dhe tërheqjes së tyre kur shpërndarja e fitimeve është mjaft asimetrike dhe mbizotërojnë përparësitë konkurruese dinamike. Vite më parë Pol Krugman dhe Hershell Grosman shkruan pjesë të rëndësishme mbi atë që ata e quanin "tregtia strategjike". Mund të pranohet se ngritja ekonomike e ekonomive aziatike (dhe më përshtypjelënëse, ajo e Kinës gjatë dy dekadave të fundit) duhet gjykuar nëpërmjet lenteve të tilla politike, që do të thotë nëpërmjet politikës strategjike tregtare, e cila është mishëruar në një lloj politike industriale zhvillimore duke përdorur forcat e tregut në një mënyrë të mënçur.
Në ditët tona, teknologjitë e reja të informimit e komunikimit (ICT) japin mundësi të mëdha për ekonomitë në zhvillim, në përfitim veçanërisht të njerërzve të mirë-arsimuar. Përsëri vendet aziatike janë mjaft mirë në këtë drejtim. "India e çliruar" e dekadës së fundit është rezultat i reformave të orientuara drejt tregut, që bëhen mes një mjedisi të gjerë inxhinierësh dhe specialistë kompjuterash e softuerësh anglisht-folës. Në të njëjtën kohë, vetëm disa pjesë të Indisë janë prekur nga përparimi i shpejtë ekonomik dhe shumica e vendit është ende e zhytur në moçalin e varfërisë poshtëruese.
Ajo që luan rol në lojën e ekonomisë globale është ekzistenca e diferencave thelbësore në paga midis vendeve dhe rajoneve. Eshtë ky faktor që lëviz rishpërndarjen industriale pasi kompanitë me orientim global i zhvendosin operacionet e tyre në zona ku kombinohen puna e lirë me teknologjinë e përshtatëshme. Intensiteti i këtij procesi varet si nga diferencat e pagave ashtu dhe nga cilësia e faktorëve të tjerë të prodhimit. Ekonomistë të shquar të prirjes së tregtisë, të tillë si Jagdish Bhaguati, argumentojnë se ekonomitë e përparuara nuk ka pse të tremben, pasi ato specializohen gjithnjë e më shumë në prodhime dhe shërbime me vlera të larta; të gjitha vendet do të jenë më mirë në fund. Ky argument megjithatë, është kundërshtuar së fundmi nga Pol Samuelson i MIT; duke shkruar në Journal of Economics Perspectives, ai sugjeron se "ndonjëherë një fitim nga prodhimtaria në një vend mund t'i sjellë përfitim vetëm vendit, ndërkohë që për një kohë të gjatë dëmton vendin tjetër duke reduktuar fitimet nga tregtia që janë të mundëshme midis dy vendeve". Samuelson vazhdon duke argumentuar se "autsorsing i pas viteve 2000 është tamam ajo që duhej parashikuar aq prapa në kohë sa vitet 1950", pasi është rezultat i ekonomive të tjera të botës që thithin teknologjitë e përparuara dhe barazohen me Shtetet e Bashkuara.
Përkundër një sfondi të ICTve të reja dhe diferencimeve globale të pagave, zhvendosjet e mëdha në shpërndarjen e veprimtarive industriale e të shërbimeve janë ndoshta të pashmangëshme. Megjithatë, disa ekonomi kryesuese industriale nuk duket të mbajnë sa ç'duhet tempin me këtë proces përsa i përket ristrukturimit; mbetja prapa dëmton disa nga segmentet e tyre të punës dhe bën presion ndaj pagave reale. Si rezultat, zhvillohet ankthi ndaj autsorsing dhe ofshoring. Eshtë lehtësisht e kuptueshme pse një ankth i tillë ekziston në Europën perëndimore, ku pagat janë një shumëfish i madh i asaj që fitojnë punonjësit e mirë-arsimuar të Europës lindore e qëndrore. Ndonse e vendosur më shumë në kornizën e kushteve globale se sa kontinentale, Axhenda e Lisbonës ishte produkt i kësaj frike. Vendet e mëdha të BE shqetësohen kryesisht rreth ekonomisë së Azisë dhe të SHBA dhe e konsiderojnë Axhendën e Lisbonës si një përgjigje të politikës konkurruese.
![]() Ish ministri francez i financave, Nikolas Sarkoshi fajëson vendet e reja të BE për praktikimin e dyshuar të konkurrencës së pandershme nëpërmjet taksave më të ulta. [AFP] |
Frika nga autsorsing dhe ofshoring mund të shihet si analoge me depresionin e thellë të transformimit të dekadës së fundit në ekonomitë post-komuniste. Ato kaluan nëpër një rënie dramatike të prodhimit sepse shvendosja e burimeve, në tregun e ri me çmime të sigurta, nuk mund të ndodhte me aq shpejtësi. Vështirësi të ngjashme mund të zbulohen sot midis grupeve të punëtorëve në ekonomitë e pasura që nuk mund të konkurrojnë në ekonominë e re globale, ndërkohë që politikëbërësit reagojnë në një mënyrë apo në një tjetër. Masat proteksioniste në vende të ndryshme e vështirësojnë më tej situatën.
Kryesorja që duhet thënë është se vendet me një popullsi të mirë-arsimuar, një nivel të bollshëm investimi në arsimim dhe politikat largpamëse publike janë më me gjasë të gëzojnë frutet e shpërndarjes së teknologjisë në një shkallë globale. Për shkak se vendet e Europës lindore e qendrore kanë relativisht popullsi të mirë-arsimuar dhe paga lokale të ulta ato mbeten përfituese të mëdha nga autsorsing brenda Europës. Por atyre u duhen politika publike inteligjente me qëllim që të përfitojnë nga kjo mundësi.