18/10/2004
Kushtetuta e Maqedonisë është baza për ligjin e ri të decentralizimit te vëndit, thotë Kryeministri maqedonas Hari Kostov, duke shtuar se qytetarët janë në dijeni të çështjeve në qendër të referendumit të ardhshëm dhe se votimi nuk do të çojë në destabilizim, por përkundrazi do të jetë një shprehje e demokracisë. Në një intervistë ekskluzive me korrespondenten e Southeast European Times Marija Lazarova, Kostov diskuton gjithashtu mbi gjendjen e sigurisë në Maqedoni, përparimin në reformat gjyqësore dhe të mbrojtjes, mosmarrëveshjen në lidhje me kufirin verior me Kosovën dhe çështjet ekonomike me të cilat përballet vendi.
Nga Marija Lazarova për Southeast European Times në Shkup -- 18/10/04
![]() Kryeministri Hari Kostov. [AFP] |
Southeast European Times: Sipas opinionit tuaj, a do të ndikojë referendumi i njoftuar për më 7 nëntor mbi gjendjen e sigurisë në vend?
Kryeministri Hari Kostov: Gjendja e sigurisë në Maqedoni nuk duhet të lidhet me referendumin, pavarësisht prej deklaratave individuale -- do të thosha, joserioze -- të disa partive politike. Gjendja e sigurisë është e qëndrueshme dhe ky është opinioni i shfaqur edhe prej institucioneve ndërkombëtare të përgjegjshme. Qeveria dhe ministritë përkatëse do të sigurojnë kushtet që qytetarët të hedhin votat e tyre në një atmosferë demokratike dhe të sigurtë.
SE Times: Sa do të ndikojë referendumi në procesin e integrimit Europian të Maqedonisë?
Kostov: Qeveria maqedonase është duke përmbushur detyrimet kushtetuese për zbatimin e mëtejshëm të Marrëveshjes Kuadër. Kushtetuta është baza për ligjet e reja mbi decentralizimin, që synojnë të krijojnë bashki me shumë etni, më të forta financiarisht dhe më të fuqishme politikisht. Decentralizimi konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt një demokracie më të fortë dhe integrimit Euro-Atlantik të Maqedonisë. Unë besoj se të gjithë qytetarët në Maqedoni janë në dijeni të këtyre proceseve, të cilat nuk duhet të kenë një ndikim destabilizues në vend. Përkundrazi, ato theksojnë qëndrimin demokratik ndaj zgjidhjes së problemeve, të cilin ne tashmë e kemi provuar duke nënshkruar Marrëveshjen Kuadër dhe duke e zbatuar ate në kushtetutë dhe në ligjet.
SE Times: Si e konsideroni gjendjen e sigurisë në vend?
Kostov: Maqedonia është duke kaluar një fazë stabilizimi të konsiderueshme, pavarësisht prej disa incidenteve, të cilët nuk mund ta dëmtojnë sigurinë e vendit. Kushtet në ish-rajonet e krizës janë përmirësuar ndjeshëm dhe janë normalizuar në krahasim me periudhën e mëparshme. Kjo është arritur duke intensifikuar veprimtaritë e policisë -- në bashkëpunim me institucione të tjera shtetërore përkatëse dhe organizata ndërkombëtare -- drejt vendosjes së kontrollit në ato rajone, si pjesë e procesit të vazhdueshëm të kthimit të personave të zhvendosur në shtëpitë e tyre. Një konfirmim tjetër i stabilizimit të gjendjes së sigurisë është zëvendësimi i misionit ushtarak të NATO-s në fund të vitit 2003, me misionin policor europian, Proxima, roli kryesor i të cilit është këshillimi, përkujdesja dhe vëzhgimi i procesit të krijimit të shërbimeve policore në përputhje me standartet europiane. Fakti se njësia e sigurisë e Proxima-s e ka përfunduar misionit dëshmon më tej për normalizimin e gjendjes së sigurisë. Raporti më i fundit prej kreut të misionit të OSBE-së në Shkup, Ambasadorit Karlos Pai, shprehte optimizëm në lidhje me të ardhmen e vendit. Zbatimi përfundimtar i Marrëveshjes Kuadër do të nënkuptojë një kurs pozitiv drejt integrimit europian.
SE Times: Në raportin tuaj, ju njoftuat një strategji për reformën e gjyqësorit. Ç'farë ndryshimesh të veçanta janë planifikuar?
![]() Parlamenti maqedonas miratoi legjislacionin mbi decentralizimin më 12 gusht. Të gjithë 17 deputetët e bashkësive të pakicave në Maqedoni votuan në mbështetje të ligjit. [Tomislav Georgiev] |
Kostov: Qëllimi i përgjithshëm i strategjisë është të ndërtojë një sistem gjyqësor të efektshëm, të mbështetur në standarte ndërkombëtare dhe synimi i veçantë është forcimi i pavarësisë së gjyqësorit. Reforma e gjyqësorit përfshin reformën e materialit legjislativ, reformën e legjislacionit për gjyqet dhe reformën institucionale. Reforma institucionale përfshin marrëdhëniet ndërmjet institucioneve të gjyqësorit dhe organizimit të brendshëm e kompetencave të tyre.
SE Times: A prisni që vijëzimi i kufirit verior të Maqedonisë me Kosovën të zgjidhet përpara vitit 2005, kur pritet të trajtohet çështja e statusit të Kosovës?
Kostov: Vijezimi i kufirit verior me Kosovën duhet te perfundojë gjatë vitit 2005, por sidoqoftë do të bëhet përpara se të merret vendimi mbi statusin përfundimtar të Kosovës. Bisedimet më të fundit me përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë dhe me autoritetet e Kosovës kanë konfirmuar dëshirën e të gjitha palëve për zgjidhjen e problemit -- i cili ka një dimension politik, meqënëse është provokuar një mosmarrëveshje në lidhje me një zonë të vogël me pak rëndësi.
SE Times: A jeni të kënaqur me reformat e mbrojtjes që synojnë përmbushjen e standarteve të NATO-s?
Kostov: Maqedonia mbetet e angazhuar plotësisht ndaj përfundimit të proceseve intensivë të reformës në fushën e mbrojtjes dhe përmbushjen e plotë të kritereve për anëtarësim në NATO. Takimi i Stambollit e pranoi përparimin e bërë në zbatimin e reformave dhe transformimin në siguri dhe mbrojtje.
Udhëzimet strategjike të përfshira në Konceptin Kombëtar për Sigurinë dhe Mbrojtjen dhe kuadri politik i Raportit të Mbrojtjes Strategjike, të miratuar nga qeveria maqedonase në tetor 2003, mbeten baza për reformën në mbrojtje. Në maj 2004, parlamenti miratoi një rezolutë mbi transformimin e sigurisë dhe mbrojtjes, duke miratuar udhëzimet që erdhën prej fazës së dytë të Raportit të Mbrojtjes Strategjike dhe zbatimit të tyre.
Transferimi i përgjegjësive për sigurimin e kufirit shtetëror nga Ministria e Mbrojtjes tek Ministria e Brendshme është duke ecur përpara sipas planit dhe duhet të përfundojë deri në fund të vitit 2005.
SE Times: Maqedonia është duke u përballur me vështirësi ekonomike, përfshirë një rënie në prodhimin industrial dhe nivele të larta të papunësisë. A ka qeveria një plan të efektshëm për zgjidhjen e këtyre problemeve ekonomike?
Kostov: Zhvillimi industrial i planifikuar dhe rimëkëmbja e prodhimit nuk janë arritur me ritmin e pritur për shkak të shitjes së papërfunduar dhe dështimit në rihapjen e të ashtuquajturave sipërmarrje 'me humbje' (veçanërisht, minierat dhe uzina e shkrirjes në Veles) dhe sipërmarrjeve të falimentuara. Në planin fizik prodhimi industrial u zvogëlua me 10 përqind, investimet e pritura nuk u materializuan dhe një numër partnerësh biznesi u larguan më 2001. Si rezultat i përmirësimit të ambientit ekonomik, prodhimi industrial regjistroi një rritje prej 3.5 përqind më 2003. Këtë vit Maqedonia është duke regjistruar përsëri një rënie në prodhimin industrial për shkak të kapaciteteve jo-aktive të konsiderueshme, të cilat janë në fazën e shitjes.
Përpjekjet po drejtohen në përmirësimin e aftësisë konkurruese, zhvillimin e sektorëve bazë në degët industriale, përmirësimin e mjedisit ekonomik dhe krijimin e kushteve për përmirësimin e veprimtarisë ekonomike dhe eksporteve. Zbatimi i Programit Kombëtar për ristrukturimin dhe shndërrimin e industrisë së çelikut ka rëndësi të veçantë. Prodhimi industrial pritet të arrijë një rritje të konsiderueshme.
Përsa i përket çështjes së niveleve të lartë të papunësisë, prirja e rritjes konstante në numrin e personave që kërkojnë punë u ndal gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti, sipas të dhënave. Për më tepër, gjatë muajve të kaluar është vënë re një pakësim gradual i të papunëve.
SE Times: Mungesa e investimeve të drejtpërdrejta të huaja (FDI) është një problem i vazhdueshëm. Përsa u përket burimeve, sa pritet të vijë në buxhet prej investimeve të tilla?
![]() Kryeministri Hari Kostov (në qendër) zhvillon një takim me administratorët e firmës me qendër në Britani Glendor Estate Limited. Investimet e drejtpërdrejta të huaja në Maqedoni janë rritur me 17 milionë dollarë këtë vit. [Tomislav Georgiev] |
Kostov: Qeveria e ka ndryshuar qëndrimin e saj ndaj tërheqjes së FDI, duke theksuar rëndësinë e një mjedisi ekonomik të qëndrueshëm, duke synuar dhe duke zgjedhur investitorë të veçantë dhe duke lejuar që drejtuesit e sektorit privat të kontribuojnë pët zhvillimin e ekonomisë maqedonase. Eshtë hartuar një program për stimulimin e investimeve në Maqedoni. Ai përmbledh klimën ekzistuese për investime dhe pengesat ekzistuese ekonomike, ligjore dhe politike që nuk lejojnë investimet. Eshtë krijuar një plan veprimi që synon ndikimin mbi klimën e investimeve dhe rritjen e pozicionit konkurrues të Maqedonisë si një vend për investime. Janë ndërmarrë edhe masa të tjera, që përfshijnë veprimtari promovuese dhe informuese.
Më 2003, FDI në Maqedoni arritën në 77.6 milionë euro, një rritje prej 13.8 milionë euro në krahasim me vitin 2002. Në gjashtë muajt e parë të vitit 2004 FDI kapën shumën 68.6 milionë euro dhe kemi shpresa realiste për rritje të mëtejshme deri në fund të vitit.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes