Pavarësisht nga zhgënjimi prej takimit të NATO-s, reforma e mbrojtjes e BiH vazhdon

29/07/2004

Bosnja dhe Herzegovina po shtyn përpara reformat dhe përgatitjet e vazhdueshme për t'u bashkuar me programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, sapo të përmbushen detyrimet kryesore ndërkombëtare, në veçanti bashkëpunimi i plotë me gjykatën e OKB për krimet e luftës.

Nga Antonio Prlenda për Southeast European Times në Sarajevë -- 29/07/04

photo

Disa deputetë dhe zyrtarë të ministrisë së mbrojtjes së BiH vizituan shkollën e NATO-s në Oberamergau, Gjermani. [NATO]

Ndonëse anëtarët e NATO-s nuk e pranuan Bosnje dhe Herzegovinën (BiH) në Partneritetin për Paqe (PfP) gjatë takimit të fundit të Aleancës në Stamboll, ministria e mbrojtjes e BiH dhe forcat e armatosura po shkojnë përpara me reformat.

Ministri i mbrojtjes i BiH, Nikola Radovanoviç thotë se ai ndjen "një dëshirë brenda NATO-s për ta pranuar BiH si edhe Serbi-Malin e Zi fqinjë, sa më shpejt të jetë e mundur. Për ne, është me rëndësi të madhe të rikapim tempin e veprimtarive.. Procesi i zgjedhjes nga SFOR i posteve të shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të BiH ka përfunduar dhe ka rezultuar në miratimin e kandidatëve të mjaftueshëm për të mbushur të gjitha postet e gjeneralëve. Këta oficerë filluan punët e tyre të reja në 1 korrik."

Zyrtarët e NATO-s kanë thënë se BiH, dhe në veçanti, elementët brenda Republikës Serbe, nuk kanë përmbushur detyrimet për të bashkëpunuar plotësisht me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë. Një bashkëpunim i tillë, përfshirë arrestimin dhe transferimin e të paditurve për krime lufte, është një parakusht themelor për hyrjen në PfP. Megjithatë, Aleanca tregoi në takim se ajo mirëpret BiH në program sapo të plotësohen të gjitha kushtet.

"Duhet theksuar se fakti që BiH nuk ka arritur PfP në këtë takim, nuk e përjashton në asnjë mënyrë vendin që ta bëjë këtë në të ardhmen. NATO do të vazhdojë të punojë me autoritetet e duhura drejt arritjes së këtij qëllimi," tha togeri i marinës mbretërore të MB, Mark Houp, zëdhënës për SFOR-in. "Përparim i rëndësishëm është bërë në reformën e mbrojtjes për shkak të përpjekjeve të kujdesshme të Ministrisë së Mbrojtjes së BiH. SFOR kërkon që ky proces të vazhdojë më tej drejt një force të vetme ushtarake. Ndërkohë, NATO do ta ndihmojë BiH në këtë ndërmarrje duke përfshirë autoritetet shtetërore në një sërë veprimtarish të PfP."

Më parë këtë muaj, disa deputetë të BiH dhe zyrtarë të ministrisë së mbrojtjes vizituan shkollën e NATO-s në Oberamergau, Gjermani, për treinimin dhe përgatitjen e një dokumenti të rëndësishëm të PfP, Programit Individual të Partneritetit (IPP). Duke mbuluar një periudhë dy-vjeçare, IPP përshkruan synimet politike të një vendi që bashkohet me PfP, liston vlerat ushtarake e të tjera të cilat mund të bëhen të disponueshme për qëllimet e PfP dhe vendos objektiva të gjera të bashkëpunimit në fusha të ndryshme si edhe veprimtari të posaçme për t'u zbatuar.

"IPP është një dokument që është nënshkruar nga çdo anëtar individual i PfP. Fakti që NATO po na ndihmon të hartojmë IPP pavarësisht se nuk jemi ende anëtar i PfP tregon qartë se Aleanca e do vendin tonë në program, " tha zëvendës ministri i mbrojtjes i BiH, Enes Beqiragiç, i cili ishte në Oberamergau.