24/06/2004
Balotazhi presidencial i Serbisë të djelën (27 qershor) është ngjarja politike më e rëndësishme e vendit që nga përmbysja e regjimit të Millosheviçit në 5 tetor 2000.
Nga Dushan Kosanoviç për Southeast European Times në Beograd - 24/06/04
![]() Një përkrahës i Boris Tadiç mban flamujtë gjatë metingut të tij parazgjedhor në Beograd, të mërkurën (23 qershor). Tadiç përballet të djelën me Tomislav Nikoliç në balotazhin presidencial. [AFP] |
Serbia ka qenë pa kreun e shtetit që nga viti 2002, kur përfundoi afati i Milan Milutinoviçit si president. Pasi tre zgjedhje presidenciale dështuan për shkak të pjesëmarrjes së ulët në votime, ligjbërësit e amenduan legjislacionin zgjedhor, duke hequr pragun e 50 përqindshit. Tani nuk ka dyshim se Serbia do të ketë një president të djelën (27 qershor). Zgjedhja është midis kandidatit të bllokut pro-europian, Boris Tadiç dhe ultranacionalistit Tomislav Nikoliç.
Mbështetja e BE është një vlerë kyçe për Tadiç. Gjatë një vizite në Bruksel, më parë gjatë javës, ai u takua me krerët europianë. "BE është udha dhe fati i Serbisë," tha komisioneri i BE Kris Paten pas sesionit me Tadiç. Shefi i politikës së jashtme të BE, Havier Solana, ndërkohë tha se Europa shpreon se Serbia do të bashkohet sa më shpejt të jetë e mundur dhe se Bashkimi është i gatshëm të ndërmarrë çdo hap që do të shpejtojë procesin.
"Serbisë i duhet një president që është mik i mirë i BE dhe që do të jetë një mik midis miqsh sepse presidenti i ardhshëm do të rritë dramatikisht shanset e Serbisë për t'u bërë anëtare e BE," tha Solana.
Sipas ministrit të jashtëm serb Vuk Drashkoviç, zyrtarët europianë janë thellësisht të interesuar rreth përfundimit të mundshëm të zgjedhjeve të së djelës. "Askush në Europë nuk do që Serbi-Mali i Zi të mbetet jashtë integrimit euro-atllantik. Ata nuk duan këtë gropë boshe midis Sllovenisë dhe Selanikut në Greqi. Eshtë në interesin e Europës që gropa të mbushet me një cilësi jete europiane," thotë Drashkoviç.
Studjuesit e opinionit publik pranojnë se kufiri i fitores do të jetë i ngushtë dhe se pjesëmarrja në zgjedhje do të jetë vendimtare. Sa më e madhe pjesëmarrja, aq më të mira janë shanset e Tadiç për të fituar, thonë anketat. Mbi 3 milion vetë votuan në raundin e parë por kjo shifër pritet të bjerë në balotazh. Nikoliç kryeson me 100,000 vota gjatë raundit të parë, por të gjithë kandidatët e tjerë që atëhere janë zotuar për mbështetjen e tyre ndaj Tadiç, duke përfshirë manjatin e biznesit Bogoljub Kariç.
Fushata zgjedhore arriti kulmin të mërkurën kur të dy kandidatët u takuan në një debat në televizionin shtetëror i cili rezultoi në regjistrimin e vlerësimit. Ndërsa Tadiç ju përmbajt mesazhit të tij karakteristik, duke theksuar nevojën e integrimit, Nikoliç u përpoq të hiqte imazhin e tij si ekstremist, duke e paraqitur veten në vend të kësaj si një mbrojtës i çarmatimit rajonal; ai gjithashtu huajti retorikën ekonomike të Kariç.
Një anketë e përbashkët e kryer nga e përditshmja Politika dhe Faktor Plus Agency parashikon se Tadiç do të fitojë 53.6 përqind të votave ndërsa Nikoliç 46.4 përqind. Në garat e kaluara, megjithatë ultranacionalistët i kanë habitur opinionistët dhe Nikoliç ka përparësinë e një vazhdimësie të disiplinuar. OJQ-të po zhvillojnë fushata që synojnë në nxitjen e pjesëmarrjes. "Po qëndruat në shtëpi, do të rrini aty për dhjetë vitet e ardhshme, sepse nuk do të jeni në gjendje të shkoni gjëkundi," paralajmëron një parullë.
Analistët kanë skicuar përfundimin e të dy skenarëve të zgjedhjeve kështu: nëqoftë se Nikoliç do të fitonte, Serbia do të dërgonte një mesazh negativ ndaj BE, qeveria do të destabilizohej më tej, kushtetuta e re do të ishte më vështirë të miratohej, marrëdhëniet me Malin e Zi do të keqësoheshin dhe investimet e huaja do të pakësoheshin. Fitorja e Tadiç mund të rezultonte në bashkëekzistencën me qeverinë aktuale megjithëse ndoshta nuk do të shkonte më shumë se fundi i 2004. Do të tentohej miratimi i kushtetutës. Në një pikë, do të rezultonte një tjetër raund i zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.