26/05/2003
Tridhjetetre gazetarë nga Kosova dhe 36 nga Serbia u takuan në Ohër, Maqedoni, më parë, këtë muaj. Për shumë, kjo ishte një mundësi e paparë për kontaktin e drejtpërdrejtë.
Nga Valentin Nesovski për Southeast European Times në Shkup - 26/05/03
Gati 70 gazetarë, botues dhe drejtorë mediash, 36 nga Serbia-Mali i Zi dhe 33 nga Kosova, u takuan në Ohër për një konferencë tre-ditore nga 7 deri në 9 maj. Sponsorizuar nga Organizata e Medias për Europën Juglindore (SEEMO), ky ishte takimi i parë i tillë qysh nga 1991. Për shumicën e pjesëmarrësve, ishte mundësia e parë për kontaktin e drejtpërdrejtë.
"Përkundër dallimeve të mëdha, Serbia dhe Kosova kanë një veti të përbashkët. Në çdo shoqëri në tranzicion, kur rendi dhe qëndrushmëria rrezikohen, liria e medias dhe informacioni janë gjithashtu në rrezik," tha Friedhelm Frisçensçlager, i departamentit të demokratizimit të OSBE, në Prishtinë.
"Korniza ligjore për median në Kosovë duhet ende të rregullohet," shtoi ai. "Eshtë i domosdoshëm një legjislacion i mirë me mundësi kontakti me informacionin, mbi mbrojtjen e opinionit publik ndaj informacionit fallco apo jo korrekt. Në Serbi, pas vrasje së kryeministrit, doli se në një situatë të jashtëzakonshme janë autoritetet që ende ndikojnë lirinë e medias."
Mënyra se si gazetarët flasin rreth së shkuarës përbën një sfidë të madhe, tha Frisçensçlager, por e shkuara nuk duhet lejuar t'i bëjë hije së ardhmes.
Nazif Maliqi, kryetar i SEEMO për Kosovën ishte dakord me këtë. Ai tha se ka shumë çështje të hapura për diskutim dhe prandaj të tilla takime qenë të domosdoshme.
Kryetari i SEEMO për Serbinë, Veran Matiç, tha se atij i vjen keq për kohën e shtypjes dhe të krimeve të luftës që kishte ndodhur në Kosovë, duke shtuar se ai do të dëshëronte që të qenë hapur kanalet e shkëmbimit të informacionit dhe jo të disinformacionit dhe të qenë ndërtuar urat për përcaktimin e së vërtetës, duke lejuar të ndodhë pajtimi. Matiç tha se nuk ishte e nevojshme të flitej për "gazetarë serbë" apo "gazetarë shqiptarë" sepse gazetaria profesionale nuk duhet të ketë theks nacional.
Pjesëmarrësit në takimin e SEEMO mbrojtën gazetarinë profesionale e jotendencioze si një model për mirkuptimin e dyanshëm më të mirë. Gordana Stosiç, drejtore e përgjithshme e Radios dhe Televizionit Maqedonas, ju uroi pjesëmarrësve suksese dhe tha se ndërmjetësve nuk do t'u duhet më të organizojnë takime të ardhshme. Përkundrazi, kontakte të rregullta e normale midis gazetarëve duhen mbajtur.
Radomir Liçina, president i bordit të SEEMO, tha se përvoja tregoi se gazetarët ballkanas mund të diskutojnë me njeri tjetrin përkundër dallimeve të tyre. Ai njoftoi plane për një takim midis gazetarëve të Serbisë e Kroacisë.