|
|
Përvjetori i dhjetë i Marrëveshjeve të Dejtonit: Duke vështruar përpara |
|
15/12/2005
Dhjetë vjet pas marrëveshjes së Dejtonit, Bosnje-Hercegovia ka ndërmarrë reforma kyçe që i kanë hapur rrugën rritjes ekonomike dhe standarteve më të larta te jetesës në të ardhmen. Megjithatë, probleme te tilla si papunësia dhe mungesa e investimeve duhet të trajtohen sa me shpejt për të siguruar vazhdimësinë dhe suksesin e reformave, shkruan Zevendësi i Parë i Perfaqësuesit të Lartë të komunitetit ndërkombëtar, Lorens Butler.
(Nga Ambasadori Lorens Butler për Southeast European Times-14/12/05)
![]() Ambasadori Lorens E. Butler (Departamenti Amerikan i Shtetit) |
Çdo vend që ka përfunduar me sukses tranzicionin në ekonominë e tregut ka hyrë në një garë: sa kohë do të duhet pas vështirësive dhe sakrificave që pasojnë këto reforma që qytetarët të fillojnë të përfitojnë nga reformat.
Po qe se hendeku kohor është shumë i madh, procesi i reformës do të ndalojë. Po qe se nuk ka përfitime të dukshme, vende të reja pune, shërbime më cilësore, standarte më të larta jetese, procesi i reformës do të dështojë.
Ky skenar është i pranishëm sot në të gjitha vendet e Europës Juglindore, ashtu siç ishte në Europën Qendrore gjatë viteve 1990.
Vëndet e rajonit po konkurrojnë në një garë për mirëqënie dhe fatet e miliona qytetarëve varen nga rezultatet e kësaj gare.
Që ngas 25 nëntori, kur BiH dhe BE hapën bisedimet për Marrëveshjen e Stabilizmit dhe Shoqërimit, BiH është bashkuar me fqinjët e saj në udhëshpejtën e integrimit Euro-Atlantik. Më në fund edhe ajo ka hyrë në rrjedhën e tranzicionit.
Nuk duhet harruar fakti i rëndësishëm se përparimi drejt BE-së dhe anëtarësimi në NATO nuk do të thotë vetëm që vendet e jugut dhe të lindjes janë gjithnjë e më tepër të orientuara drejt vendeve të veriut dhe perëndimit. Vërtet që Europa Juglindore po i afrohet gjithnjë e më shumë BE-së, por në të njëjtën kohë vëndet e Europës Juglindore po i afrohen gjithnjë e më shumë njëri-tjetrit. Nëpërmjet miratimit dhe zbatimit të reformave kyçe që synojnë të arrijnë standartet europiane, ekonomitë e Europës Juglindore po përputhen gjithnjë e më shumë me njëra-tjetrën dhe janë gjithnjë e më tepër të afta të konkurrojnë me njëra-tjetrën. Këto vende po adoptojnë standarte te ngjashme komerciale dhe konsumatore, struktura të ngjashme biznesi, rregulla të ngjashme investimi dhe punësimi.
BiH ka miratuar dhe është tani në procesin e zbatimit të një sërë reformave ekonomike strategjike që do ta lejojnë të përfitojë nga mundësitë ekonomike te rajonit. Këto refoma përfshijnë bashkimin dhe modernizimin e shërbimit doganor, unifikimin e procesit të regjistrimit te kompanive, krijimin e gjykatave tregtare për të shpejtuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të biznesit, aprovimin e standarteve europiane në rregullat e sektorëve të shërbimeve te infrastrukturës dhe përmirësimin e qeverisjes së korporatave në kompanitë publike. Reformat bankare, të filluara ne fund të viteve 90, kanë krijuar ndërkohë një sektor të fuqishëm financiar: normat e interesit janë ulur në rreth 10 përqind dhe bankat janë gjithnjë e më shumë të disponuara t’u japin kredi ndërrmarrjeve të mesme dhe të vogla, që konsiderohen në përgjithësi si shtylla kurrizore e rritjes ekonomike në të ardhmen.
Rezultatet e këtyre reformave dhe të tjerave janë të qenësishme. Inflacioni mbetet i ulët dhe treguesit e prodhimit industrial, investimeve dhe eksporteve janë rritur.
Marrëveshjet e tregtisë së lirë të negociuara si pjesë e Paktit të Stabilitetit, janë tashmë në procesin e krijimit të një tregu të vetëm te Europës Juglindore me 55 milionë banorë. Ky treg përfaqëson një platformë mbi të cilën kompanitë mund të zhvillohen dhe të konsolidojnë produktet dhe shërbimet e tyre para se të hyjnë në tregun më të madh të BE-së.
Interesat e përbashkëta që tashmë ekzistojnë midis vendeve të rajonit janë veçanërisht të rendësishme per BiH, për shkak të historisë së kohëve të fundit të këtij vendi.
Serbia dhe Mali i Zi si dhe Kroacia janë tashmë të angazhuara në procesin e integrimit europian. Suksesi i tyre do të konfirmohet në mbështetjen e tyre fqinjësore për BiH dhe ecuria e BiH do të ndihmohet jashtëzakonisht nga bashkëpunimi që po krijohet dhe po zgjerohet tani midis BiH dhe vendeve më të afërta fqinjë.
Gjatë vitit 2006 BiH duhet të përqendrojë forcat në ruajten dhe zgjerimin e përfitimeve që sjellin reformat ekonomike. Po krijohen vende të reja pune, por një normë reale papunësie rreth 18 përqind nuk mund të përballohet nga shoqëria. Kjo shifër duhet të ulet sa më shpejt. Investimet po rriten por BiH duhet të përmirësojë më tej kushtet e biznesit: mundësitë për biznes nuk janë identifikuar dhe nxitur siç duhet, dhe autoritetet lokale, veçanërisht në nivelin bashkiak, ende nuk po konkurrojnë në mënyrë agresive për fonde komerciale.
Megjithatë, unë besoj se të mbledhura sëbashku, të gjitha arritjet krijojnë një rrymë të pandalshme që do të konsolidojë dhe përmirësojë kushtet për biznes dhe investim. Gurët e themelit në fushën ligjore janë vendosur. Biznesmenët mund të ecin përpara me krijimin e të mirave materialeve e të vendeve të punës - dhe ndërkohë që kjo strukturë zë vend në mendjen e publikut, lehtësohet gjithnjë e më tepër futja e reformave të reja dhe krijimi i ciklit virtual e të pandërprerë të reformave të rritjes ekonomike.
Futja e Vatit ne 1 janar te vitit 2006 është një shembull i kësaj. Ristrukturimi i sistemit fiskal ka qënë një barrë e rëndë edhe për vende me burime shumë më të mëdha administrative dhe politike se sa BiH - por potenciali i ndikimeve pozitive të këtij ristrukturimi fiskal në ekonomi dhe në mirëqënien e qytetarëve është i jashtëzakonshëm. Ky ristrukturim do të lehtësojë dhe do ta bëjë më efikase mbledhjen e të ardhurave; ai do të integrojë shumë sektorë të ekonomisë joformale në atë formale; do të ulë mundësinë e korrupsionit dhe do të rrisë të ardhurat që do të përdoren për shërbime publike.
Në fund të vitit 2006, përfitimet nga Vati duhet të jenë të dukshme për të gjithë.
Unë po shkruaj në një kohë kur po botohen shumë studime retrospektive në kuadrin e dhjetëvjetorit të marrëveshjeve të Dejton-Parisit. Megjithatë, nevoja më urgjente e këtij vendi tani është të kapërcejë pengesat në udhëshpejtën e Europës dhe jo të përsiasë rrugën e vështirë dhe me shumë pengesa që na ka sjellë deri këtu.
Kjo është një dëshmi e shquar e suksesit të marrëveshjeve të Dejton-Parisit ; ato e kanë sjellë BiH në një pikë ku marrëveshjet në vetvete nuk janë më faktori vendimtar në stabilitetin politik, ekonomik dhe social te BiH. Mundësia e një të ardhmeje të mirë ndikon më fuqishëm në debatin publik se sa kujtimet ogurndjellëse të së shkuarës.
Qytetarët e BiH kanë kaluar nëpër një rrugë të gjatë dhe të vështirë qe nga fillimi i viteve 1990, por sot ata po ecin së bashku me fqinjët e tyre në udhëshpejtën drejt Europës. Dhjetë vjet pas Dejtonit, tranzicioni ka filluar te japë rezultate.
Ajo që duam të shohim tani është një garë më e shpejtë drejt begatisë.
Ambasadori Lorens E. Butler është Zëvendësi i Parë i Përfaqësuesit të Lartë për Bosnjen dhe Hercegovinën