|
|
Përvjetori i dhjetë i Marrëveshjeve të Dejtonit: Duke vështruar përpara |
|
15/12/2005
Përpara konfliktit në BiH, kroatët qenë popullsia më e vogël e vendit me tre popullsi etnike dhe pati mjaft njerëz që u ndjenë të mashtruar nga ndarjet aktuale politike. Në Herzegovinë, një kështjellë tradicionale e linjës së fortë, ka shumë që po bëjnë thirrje për krijimin e një njësie të tretë. Të tjerë kroatë nuk janë dakord, duke arsyetuar se në vend të kësaj BiH duhet të lërë pas separatizmin dhe të kërkojë një të ardhme shumëetnike.
Nga Antonio Prlenda për Southeast European Times në Sarajevë – 14/12/05
![]() Një vajzë vë lule në një monument të përuruar së fundmi për mbretëreshën e fundit boshnjake, Katarina. Të tre grupet etnike e nderojnë Katarinën por për arsye të ndryshme: kroatët shohin tek ajo identitetin katolik, muslimanët e shohin atë si simbol të shtetit të qendrueshëm të Bosnjë dhe Herzegovinës dhe serbët e identifikojnë atë me humbjen e fëmijëve të saj ndaj otomanëve. [Getty Images] |
Dhejtë vjet pas përfundimit të konfliktit të hidhur në Bosnjë dhe Herzegovinë (BiH), kroatët e vendit e shohin të ardhmen e tyre në mënyra të ndryshme. Nuk ka konsensus midis tyre rreth organizimit të dëshiruar politik të vendit.
Përpara konfliktit , kroatët qenë më të paktët nga të tre grupet etnike në BiH. Në 1991, ata arrinin në 17.6 përqind të popullsisë së BiH. Nuk ka patur regjistrim popullsie që atëhere, por hamendja e përgjithshme është se përqindja aktuale është edhe më e vogël. Gjatë dhe pas konfliktit, shumë nga ta emigruan në vende të huaja, dhe kryesisht në Kroacinë fqinjë.
Në Sarajevë numri i kroatëve është pakësuar mjaft.
"BiH është vendi im; unë kam lindur këtu. Por është gabim të presësh që kroatët të harrojnë identitetin e tyre etnik dhe ta konsiderojnë veten vetëm si boshnjakë apo herzegovinas,” thotë pronarja 36-vjeçare e një dyqani ushqimor, Ivica Talanga. “Në Sarajevë unë jam qytetare e barabartë. Por unë e kuptoj problemin e prindërve që tremben se fëmijët e tyre do të humbnin gjuhën e tyre kroate dhe traditat në shkollat dhe shoqërinë e mbizotëruar nga boshnjakët. Unë besoj se ngritja e një shteti me disa rajone ekonomike dhe një sistem arsimor të zhvilluar me kujdes që të mbrojë të drejtat etnike, do të ofrojë një bazë të fortë për një të ardhme më të mirë për të gjithë BiH,” thotë ajo
Pothuajse të gjithë kroatët i kritikojnë Akordet të paqes të Dejtonit (DPA) të nënshkruara dhjetë vjet më parë. Por qëndrimet e tyre ndaj të tashmes e së ardhmes varen kryesisht nga rrethanat aktuale në rajonet e BiH ku ata jetojnë.
Tradicionalisht, shumica e kroatëve me prirje politike të vijës së ashpër gjenden në Herzegovinë, në BiH jugperëndimore. Popullsia kroate atje ka favorizuar kurdoherë lidhje të ngushta me Kroacinë. Sot ka shumë që argumentojnë se do të ishte më mirë sikur kroatët të kishin një njësi të tyre, ashtu sikurse serbët boshnjakë kanë RS.
Andjelko Barun nga Livno, një 40-vjeçar, kreu i HVIDRA, një organizatë e invalidëve kroatë të luftës, beson se e vetmja gjë e mirë e DPA është se i dha fund gjakderdhjes.
"Shteti ka rënë në kaos. DPA ofroi një mekanizëm shteti tepër konfuz i cili është i dobishëm vetëm për politikanët e papërgjegjshëm që të pasurojnë veten dhe jo të mbrojnë interesat e shtetatsve të zakonshëm që përfaqësojnë,” tha ai. “Akordet e Dejtonit nuk ishin zgjidhje e drejtë sepse nuk dhanë të drejta të barabarta për të tre grupet e mëdha etnike. E vetmja gjë e drejtë tani do të ishte ngritja e tre njësive në vend të dy, një për secilin grup etnik.”
Barun nuk beson se krijimi i më tepër se tre rajoneve është një zgjidhje praktike. Kjo ide i kujton ish Jugosllavinë.
"Versione të vogla të Jugosllavisë nuk do të qenë të mira për kroatët. Në shtete të tilla, ne nuk jemi në gjendje të zhvillojmë gjuhën e traditat tona sepse kroatët janë një popullsi pakice,” tha Barun.
Zdravko Beshliç, një gazetar 40-vjeçar nga Posusje, gjithashtu beson se një zgjidhje me tre njësi do të ishte më e mirë për kroatët në BiH
"Serbët kanë njësinë e tyre, ndërsa në Federatë ne jemi të mbizotëruar nga muslimanët. Për shembull, nuk ka përfaqësues politik kroat që të mbështesë një sistem të përbashkët shtetëror transmetimi, por ai megjithatë është krijuar me ligj. Çështja është shpënë në gjykatëpn kushtetuese dhe dy gjyqtarë kroatë nuk e mbështetën asnjëri, por ligji qëndron pavarësisht nga kjo.”
Beshliç thotë se ka lindur në BiH dhe e quan atë vendin e tij. Por në rrethanat aktuale ai nuk e ndjen veten si shtetas.
"Në ngjarjet sportive unë e mësoj djalin tim të brohorasë për Kroacinë, sepse nuk mund të jem emocionalisht i lidhur me BiH përderi sa shteti është organizuar siç është tani,” thotë Beshliç.
Opinione të kundërta mund të dëgjosh në Posavina, një rajon në BiH veriqendrore. Shumica e territorit të saj është tani në RS, ndërsa kroatët në pjesën e tyre të Federatës, përbëjnë një shumicë ndaj boshnjakëve. Për shkak të kësaj gjendjeje, kroatët lokalë nuk shohin ndonjë avantazh në krijimin e tre njësive monoetnike, sepse ata me gjasë nuk do të përfshiheshin në territorin e një njësie “kroate” të krijuar në një rregullim të tillë. Përkundrazi, ata ndoshta do të humbisnin statusin e tyre përbërës në njësitë monoetnike serbe e boshnjak dhe do të mbeteshin në kushte më të këqia se ç’janë sot.
Kroatët e Posavinës po pakësohen në numër. Sipas katolikut françeskan Mirko Filipoviç, kroatët e rinj me të cilët ai flet, duan me të vërtetë të ikin nga vendi.
"Dejtoni është vetëm një simbol,” tha ai. “Nuk do të thosha që ai mbaroi edhe luftën, sepse lufta në të vërtetë u mbarua nga operacionet e luftës dhe gjendja në frontin e luftës. Dejtoni e vuri BiH në një gjendje të keqe. Ai dha përfitime vetëm atyre që u bënë të pasur në një mjedis të keq. Në Posavina refugjatët nisën të kthehen vetëm pesë vjet pas luftës. Dhe jo në numra të mëdhej por vetëm mbi bazën shtëpi më shtëpi. Në thelb, kroatët nuk shohin të ardhme për veten e tyre në këtë shtet.”
"E vetmja zgjidhje e mirë do të ishte reforma kushtetuese që do ta organizonte vendin në disa rajone shumëetnike në të cilat nuk do të kishte grupe etnike me mbizotërim të pastër,” thotë françeskani 50-vjeçar. “Por rajonet duhet të bazohen jo vetëm në zgjidhje politike por edhe në kushte logjike dhe ekonomike.”