SETimes
Published on SETimes (http://www.setimes.com)
http://www.setimes.com/cocoon/setimes/xhtml/sq/features/setimes/features/2008/05/09/feature-01

Krerët e Qipros së ndarë do të takohen në 23 maj

09/05/2008

Krerët e komuniteteve greke e turke qipriote thuhet se kanë në plan të takohen në 23 maj për të shqyrtuar përparimin në përgatitjet për hapjen e negociatave të reja.

(Cyprus Mail - 09/05/08; AP, AFP, DPA, CNA, Financial Mirror; Kathimerini - 19/04/08; AFP, DPA - 18/04/08)

photo

Presidenti qipriot Demetris Kristofias (majtas) dhe kreu i Republikës Turke të Qipros Veriore, Mehmet Ali Talat do të takohen më pas këtë muaj. [Getty Images]

Presidenti qipriot Demetris Kristofias dhe kreu turk qipriot Mehmet Ali Talat do të takohen për dy javë për të vlerësuar përgatitjet e bëra përpara bisedimeve të reja për ribashkimin, thanë të enjten (8 maj) zyrtarët në ishullin e ndarë mesdhetar.

Në një deklaratë të shkurtër, zëdhënësi i qeverisë qipriote Stefanos Stefanu tha se takimi do të bëhej në 23 maj por nuk dha hollësira.

Në 21 mars, Kristofias dhe Talat ranë dakord të ngrenë grupe pune dhe komitete teknike për të rregulluar detajet e një marrëveshjeje ribashkimi.

Gjatë bisedimeve të tyre të para kokë më kokë, qëkur se Kristofias fitoi zgjedhjet presidenciale të 24 shkurtit, ata ranë gjithashtu dakord të takohen përsëri për tre muaj për të shqyrtuar punën e këtyre paneleve me një pikpamje për të hapur bisedimet tërësore të paqes të sponsorizuara nga OK, në qershor.

E përditëshmja greke qipriote Cyprus Mail citonte një burim diplomatik, që foli në kushtet e mospërmendjes së emrit, që të konfirmonte se qëllimi i takimit të 23 majit do të ishte "të sigurohej për punën e bërë nga këto panele deri tani dhe të shihej si janë punët."

Nën kryesimin e këshilltarëve të Kristofias dhe Talat, George Iakovu dhe Ozdil Nami, muajin e kaluar u krijuan gjashtë grupe pune dhe shtatë komitete teknike, përbërë nga 150 grekë qipriotë, turq qipriotë dhe zyrtarë të OKB. Ata janë takuar përditë në një bazë të OKB në aeroportin e vjetër të Nikosias që nga 18 prilli për të hedhur bazat për negociatat e ardhëshme.

Ata kanë diskutuar një mori çështjesh të ribashkimit që shtrihen nga ato më të vështirat, lidhur me sigurinë, pronën dhe territorin, deri te shqetësimet e përditëshme.

Më parë, Iakovu paralajmëroi se procesi mund të mos shkonte lehtë. Ai tha gjithashtu se do të ishte "krejtësisht e pamundur" për Kristofias dhe Talat për të hapur negociatat e drejtpërdrejta pa ndonjë përparim në nivelin e grupit.

"Unë nuk mendoj se mund të thuash se do të ketë përparim ose jo përparim; do të jetë e gjitha hije; do të jetë bardhë e zi dhe hije të grisë," tha ai.

Nami vuri gjithashtu në dukje nevojën për negociuesit për të qenë më pragmatikë në punën e tyre me qëllim që të arriheshin rezultate.

"Ne duhet të ndryshojmë mënyrat tona dhe duhet të nisim të mendojmë si një ekip dhe jo si rivalë," tha ai në 18 prill. "Qënia emocionalë, të zemëruar apo të papajtueshëm do të jetë një luks që nuk mund ta përballojmë dot. Krerët tanë presin nga ne të japim rezultate për t'u përdorur në negociatat e drejtpërdrejta në më pak se tre muaj. Pra ne nuk kemi shumë kohë."

Kristofias dhe Talat folën shkurt të mërkurën ndërsa ndoqën të dy një pritje në ambasadën sllovake në Nikosia.

Të enjten, Talat ndoqi një darkë në Limasol pritur nga kreu i partisë greke qipriote DISY, Nikos Anastasiades, i cili shprehu shpresë se të tilla takime "midis bashkëpatriotëve" do të pushojnë së shpejti të jenë lajme.

Talat tha se ai pret që të dy komunitetet "të lëvizin drejt marrëdhënieve më të mira" kështu që një zgjidhje mund të arrihet "sa më parë të jetë e mundur".

Qiproja është ndarë midis një zone të qeverisur nga turqit qipriotë në veri dhe një tjetre të kontrolluar nga grekët qipriotë në jugë, që nga 1974, kur trupat turke pushtuan ishullin pas një grusht-shteti të shkurtër të mbështetur nga Athina që kishte për qëllim bashkimin me Greqinë.

Përpjekja më e fundit e ribashkimit përfundoi me dështim në 2004 kur grekët qipriotë kundërshtuan një plan të propozuar nga sekretari i përgjithshëm i atëhershëm i OKB Kofi Anan. Ndonse shumica e turqve qipriotë e pranoi planin, vetëm pjesa greke qipriote e njohur ndërkombëtarisht e ishullit u bashkua me BE në maj 2004 si autoriteti i vetëm i vendit. Administrata turke qipriote është e njohur vetëm nga Ankaraja.

Kryeministri turk qipriot Ferdi Dabit Sojer shprehu shpresë të enjten se Kristofias dhe Talat "do të nisin procesin e negociatave tërësore në qershor dhe se ne do të arrijmë një zgjidhje tërësore nga fundi i vitit."