SETimes
Published on SETimes (http://www.setimes.com)
http://www.setimes.com/cocoon/setimes/xhtml/sq/features/setimes/features/2008/05/07/feature-02

BE: reformat demokratike kyç për stabilitetin e Turqisë

07/05/2008

BE po i kërkon Turqisë të shpejtojë procesin e reformave të veta dhe të ndërtojë një dialog të ri politik bazuar në kompromisin.

Nga Ajhan Shimshek për Southeast European Times -- 07/05/08

photo

"Të gjitha problemet duhet të zgjidhen nëpërmjet proceseve demokratike të vendit. Kjo është e vetmja rrugë për Turqinë për të shkuar përpara," tha komisioneri i zgjerimit të BE Olli Rehn. [Getty Images]

Përpjekja e pranimit e Turqisë varet në politikën dhe reformat vendase të saj, thanë të martën (6 maj) zyrtarët e BE gjatë një takimi në Ankara. "Rasti i gjykatës për të mbyllur Partinë qeverisëse për Drejtësi e Zhvillim (AKP) duhet të zgjidhet në përputhje me parimet e demokracisë dhe të rendit të ligjit, kjo është e rëndësishme," tha komisioneri i zgjerimit të BE, Olli Rehn.

Pjesëmarrësit përfshinin trojkën e BE e cila përbëhet nga presidentja e tanishme e Bashkimit, Sllovenia, presidentja e termit tjetër, Franca dhe Komisioni Evropian, zyrtarë të BE dhe krerë turq.

Takimi i rëndësishëm u bë në një moment kritik për politikën e brendëshme të Turqisë, me AKP qeverisëse me rrënjë islamike që ndeshet me rastin kundër saj për pretendimin e pengimit të rendit laik të vendit.

AKP e kishte prerë hovin ndaj BE që nga zgjedhja e fundit korrikun e kaluar. Por me rastin e mbylljes, qevberia e AKP ju kthye përsëri Evropës dhe muajin e kaluar futi një amendament të pritur gjatë ndaj një ligji të diskutueshëm që penalizon "fyerjen ndaj turqizmës". Rehn përshëndeti reformën e artikullit 301 të kodit penal si dhe legjislacionin e ri që përmirëson të drejtat e pronës të komuniteteve jo-muslimane. Edhe një herë, megjithatë, ai theksoi nevojën për zbatimin e ndryshimeve në terren.

Një nga temat kryesore të takimit ishte përdorimi nga policia i forcës së tepruar kundër një tubimi të Ditës së Majit në Stambollin qendror. Policia përdori topa uji me presion dhe gaz lotësjellës, duke ndaluar më tepër se 500 vetë. Që nga 1980, mitingjet e sindikatave janë ndaluar nga sheshi i cili ishte vendi i një përleshje të përgjakëshme me policinë në 1977.

"Ne në komision na vjen keq për këtë përdorim të shpërpjestuar të forcës në 1 maj, javën e shkuar,' tha Rehn, duke shtuar se BE pret një hetim.

Rehn i kërkoi gjithashtu Turqisë të reformojë më tej sektorin gjyqësor për të siguruar pavarësinë e tij. Ai theksoi nevojën për të krijuar një zyrë të avokatit të popullit, që ai tha se mund të ndihmonte reduktimin e tensionit në debatin në vazhdim mbi sekularizmin.

Presidentja e rradhës e BE, Sllovenia përcolli gadishmërinë e Bashkimit për të hapur dy kapituj të tjerë në bisedimet e pranimit të Turqisë. Këto kapituj do të jenë mbi ligjin e pronës intelektuale dhe ligjin e e kompanive, sipas burimeve turke.

Turqia nisi bisedimet e pranimit në BE në 2005 por në tre vitet e fundit, vetëm gjashtë nga 35 kapitujt e nevojshëm janë hapur. Çështja e vjetër me dekada e Qipros dhe kundërshtimet e presidentit frëng Nikolas Sarkozi kanë detyruar pezullimin e hapjes së tetë kapitujve të mëdhej.

Por sekretari i shtetit i Francës për çështjet evropiane Zhan-Pierr Zhoje tha të martën se vendi i tij nuk do t'i sabotonte bisedimet e anëtarësimit të Turqisë kur të merrte presidencën e BE në korrik. "Nuk ka nevojë për shqetësime. Franca nuk ka synim të prishë procesin negociues në vazhdim, të Turqisë... Presidenca frënge do të jetë e paanëshme, e ndershme dhe objektive," tha Zhoje.

Ai shtoi megjithatë, se Turqia duhej të vazhdonte reformat së pari për intereat e saj se sa për anëtarësimin në BE.

Ministri i jashtëm turk Ali Babaçan tha se "mbajtja e perspektivës të anëtarësimit të Turqisë në BE është një sine qua non", dhe qeveria e tij ishte e vendosur të ndiqte reformat e nevojshme.