27/03/2008
Brukseli ka ndarë 750 milion euro për të ndihmuar reformat në Kroaci. Por zyrtarët thonë se pak nga paratë janë përdorur në fakt për shkak se autoritetet nuk po e marrin seriozisht procesin e aplikimit.
Nga Natasha Radiç për Southeast European Times në Zagreb -- 27/03/08
![]() Kryeministri Ivo Sanader thotë se është në dijeni të problemit. [Getty Images] |
Brukseli po bllokon 5 milion euro në fonde të BE për Kroacinë deri në fund të këtij muaji, në një masë simbolike që ka për qëllim të tërheqë vëmendjen për menazhimin e papërshtatshëm nga autoritetet në Zagreb.
"Ne duam të shohim përmirësim" në mënyrën se si trajtohen fondet, tha në një njoftim për shtyp ambasada e Komisionit Evropian në Zagreb.
Në tërërsi, 750 milion euro janë caktuar nga Brukseli për programe të ndryshme në Kroaci. Ndërsa paratë, ofruar në kuadrin e programit të Ndihmës së Parapranimit (IPA) për vendet kandidate, kanë për qëllim të lehtësojnë reformat, zyrtarët e BE thonë se përgatitja dhe menazhimi i dobët kanë rezultuar në shpërdorimin e mundësisë.
Për shembull, Kroacia nuk ka përfituar nga paratë prej një fondi për mbrojtjen e mjedisit dhe infrastrukturës. Vendi deri tani ka propozuar projekte që shkojnë në 0.5% të fondit prej 35 milion euro.
Ndihma financiare e BE është në dispozicion për një sërë detyrash të reformave të rëndësishme duke përfshirë rritjen e demokratizimit, forcimin e institucioneve, luftën kundër korrupsionit, përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe reformës ekonomike. Çdo projekt që do të financohet në kuadrin e IPA duhet të paraqesë dokumentacion të besueshëm dhe vlerësohet nga zyrtarët e BE.
Kroacia mori një paralajmërim paraprak në nëntor 2007 rreth mënyrës së trajtimit të ndihmës së BE. Sipas një raporti përparimi në atë kohë, "çështjes së trajtimit të fondeve të BE i duhet drejtuar menjëherë sepse administrata në Zagreb tregon disa difekte serioze."
Sipas Brukselit, problemi më serioz është dokumentacioni i përgatitur dobët, dërguar pa spjegimet dhe parashikimet e duhura. Si rezultat i një pune të tillë shkel e shko, thonë zyrtarët, shumica e projekteve nuk kalojnë fazën e verifikimit.
"Gati ndihet shpërfillja...është sikur ata të mos çajnë kokë në qoftë se projekti do të marrë paratë apo jo," citon Novi List një nga diplomatët të thotë.
Kryeministri Ivo Sanader e ka pranuar problemin. "Ne do të trajtojmë gjithëshka dhe do ta vëmë procesin në marshin e pestë," u zotua ai pas fitimit të një termi të dytë në zgjedhjet e nëntorit 2007.
Të kesh akses ndaj fondeve të BE nuk është e thjeshtë. Procesi i verifikimit ka kritere të ashpra dhe kërkon që propozimet e programit të jenë të detajuara dhe të shkruara profesionalisht. Nga të gjithë aplikantët e BE gjatë gjithë viteve, Irlanda ishte më e suksesëshmja në këtë fushë, duke ja dalë të fitonte 75% të ndihmës financiare të caktuar për të. Mesatarisht, vendet kanë rreth 35% shans për sukses.