SETimes
Published on SETimes (http://www.setimes.com)
http://www.setimes.com/cocoon/setimes/xhtml/sq/features/setimes/features/2008/03/26/feature-02

Çeni zotohet për mbështetje kundër PKK, kërkon bashkëpunim me kurdët e Irakut

26/03/2008

Duke vizituar Ankaranë këtë javë, nënpresidenti i SHBA Dik Çeni shprehu mbështetje për luftën e Turqisë kundër PKK terroriste por i kërkoi Ankarasë të mbajë një dialog të hapur me qeverinë rajonale kurde të Irakut.

Nga Ajhan Shimshek për Southeast European Times –26/03/08

photo

Nënpresidenti i SHBA Dik Çeni (majtas) takohet me kryeministrin turk Rexhep Tajip Erdogan të hënën (24 mars) në Ankara. [Getty Images]

Pas një udhëtimi nëntë-ditor në Lindjen e Mesme dhe Afganistan, nënpresidenti i SHBA Dik Çeni vizitoi shkurt Ankaranë të hënën (24 mars) për të diskutuar luftën e Turqisë kundër Partisë terroriste të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe për të inkurajuar zyrtarët për të bashkëpunuar me qeverinë rajonale kurde të Irakut për t'i dhënë fund luftës.

Të dielën, Çeni diskutoi problemin e PKK me kreun e qeverisë rajonale të Kurdistanit të Irakut, Mesud Barzani në Arbil. Pastaj në Ankara, Çeni u takua me presidentin Abdullah Gul, kryeministrin Rexhep Tahip Erdogan dhe shefin e shtabit të përgjithshëm, Jashar Bujukanit.

Ashtu siç bëri sekretari i mbrojtjes i SHBA Robert Gejts që vizitoi Ankaranë muajin e fundit dhe shtyu për një plan tërërsor politik dhe social-ekonomik për të t'i hequr bazën PKK, edhe Çeni nënvizoi nevojën për një strategji më të gjerë.

Turqia ka kryer sulme ajrore kundër terroristëve të PKK në Irakun e veriut me ndihmën e inteligjencës së SHBA që nga dhjetori 2007 dhe në shkurt ajo nisi një ofensivë tokësore tetë-ditore, duke vrarë së paku 240 militantë, sipas shtabit të përgjithshëm turk.

Kjo ofensivë tokësore krijoi një bezdi midis kurdëve të Irakut megjithatë, që e përkthyen atë si një sulm kundër autonomisë së tyre dhe qeverisë rajonale të Kurdistanit.

Një nga diskutimet më të rëndësishme gjatë vizitës së Çenit ishte nevoja për një angazhim më të fortë midis aleatëve të NATO-s në misionin e Afganistanit. Shtetet e Bashkuara po shtyjnë aleatët të japin më tepër trupa luftimi, një çështje që do të diskutohet në samitin e Bukureshtit javën tjetër.

Turqia sinjalizoi përpara vizitës së Çenit se nuk është e gatëshme të angazhohet me trupa lufte në Afganistan në dritën e luftës në vazhdim kundër PKK.

Megjithatë, zyrtarët turq theksuan se Ankaraja do t'i bindet çdo vendimi të marrë në samit.

Programi bërthamor i Iranit ishte një temë e tretë e rëndësishme diskutimi gjatë vizitës së Çenit. Ai shprehu shpresën e Uashingtonit se Ankaraja do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet ndërkombëtare për të bindur Iranin të heqë dorë nga ky program.

Në fakt, Erdogan u citua nga zyrtarët turq të thoshte se Irani duhej të bashkëpunonte plotësisht me Agjensinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike të OKB për të eleminuar dyshimet rreth programit të vet bërthamor.

Çeni dhe zyrtarët turq diskutuan gjithashtu shkurt një propozim të sistemit mbrojtës të raketave që ofron mbrojtje nga raketat me rreze të shkurtër e të gjatë për të gjithë anëtarët e NATO-s përfshirë Turqinë.

Shtetet e Bashkuara po negocion aktualisht vetëm me Poloninë dhe Republikën Çeke mbi një sistem mbrojtës nga raketat. Ai nuk do të mbulonte Turqinë, Greqinë, Rumaninë dhe Bullgarinë. Disa anëtarë të NATO-s argumentojnë se një mbrojtje e tillë duhet të ofrohet për të gjithë anëtarët.