20/03/2008
Zhvillimet më të fundit në mosmarrëveshjen për emrin e Maqedonisë, me Greqinë, u përqëndruan në një seri bisedimesh që kryeministri Nikola Gruevski mbajti të mërkurën si pjesë e orvatjeve për të shmangur një veto të mundëshme greke ndaj ofertës së Shkupit për anëtarësimin në NATO në krye të prillit.
(Makfax - 20/03/08; AP, Bloomberg, MIA, Makfax, Balkan Insight, US Embassy in Skopje - 19/03/08; Reuters, ANA-MPA, Makfax - 18/03/08)
![]() Ministri i jashtëm maqedonas Antonio Milososki. [Getty Images] |
Kryeministri maqedonas Nikola Gruevski mbajti një seri takimesh me lojtarë kryesorë politikë të mërkurën (19 mars) për të diskutuar propozimet më të fundit të të dërguarit të posaçëm të OKB Methju Nimetz që kanë për qëllim zgjidhjen e mosmarrëveshjes së emrit me Greqinë. Dështimi për të arritur një zgjidhje përpara nisjes së samitit tre-ditor të NATO-s në Bukuresht në 2 prill mund t'i kushtojë Maqedonisë ftesën për t'u bashkuar me Aleancën.
Greqia, një anëtar i NATO-s që nga 1952 ka kërcënuar të bllokojë ofertën e anëtarësimit të fqinjës së vet veriore në qoftë se ajo nuk ndryshon emrin e saj. Athina është kundër njohjes ndërkombëtare të emrit të Maqedonisë duke argumentuar se ky emër nënkupton pretendime territoriale ndaj një krahine greke me të njëjtin emër.
Në vend të kësaj, Greqia i referohet vendit si Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM); shumica e organizmave ndërkombëtare bëjnë po këtë. Më tepër se 120 vende megjithatë e njohin vendin ballkanik nga emri i vet kushtetues, Republika e Maqedonisë.
Nimetz ka ofruar një numër propozimesh në muajt e fundit në një orvatje për të ndihmuar të dy vendet të arrijnë një kompromis përpara samitit të NATO-s, por të gjitha ato janë kundërshtuar nga njëra apo tjetra palë.
Gjatë një takimi me negociatorët grek e maqedonas, Adamantios Vasilakis dhe Nikola Dimitrov, në Vienë të hënën, ndërmjetësi i OKB hodhi në tryezë tre propozime të reja për emrin: Republika e Maqedonisë së Epërme, Republika e Re e Maqedonisë dhe Republika e Maqedonisë (Shkup).
Qeveria maqedonase është thënë se i sheh propozimet e Nimetz si të papranueshme. Zyrtarët thonë se ato kanë qenë propozuar më parë dhe janë kundërshtuar.
Duke folur pas takimit dy-orësh të Gruevskit me presidentin Branko Crvenkovski, që u ndoq gjithashtu nga Dimitrov, ministri i jashtëm Antonio Milososki tha se Maqedonia "do të vazhdojë të marrë pjesë aktive" në negociatat e ndërmjetësuara nga OKB.
Përpara bisedimeve të mëtejshme javën tjetër në Nju Jork, Milososki është caktuar të diskutojë çështjen e emrit të premten me homologen greke Dora Bakojanis në Bruksel. Ky sesion thuhet se do të pritet nga ndihmës sekretari i shtetit i SHBA Daniel Fraid.
Përpara bisedimeve të tij me Crvenkovskin, Gruevski pati takime më vete me krerët e Partisë Demokratike të Shqiptarëve (PDSH), Bashkimit Demokratik për Integrimin (BDI) dhe opozitës kryesore, Aleancës Social Demokratike të Maqedonisë (SDSM) për t'i informuar ata mbi zhvillimet më të fundit.
PDSH e cila kohët e fundit la koalicionin qeverisës rreth mosmarrëveshjeve me Gruevskin, ofroi mbështetjen e saj të plotë për qeverinë lidhur si me mosmarrëveshjen për emrin dhe për anëtarësimin e vendit në NATO. Kreu i PDSH Menduh Thaçi tha se këto çështje janë përparësore dhe gjithkush duhet të ofrojë mbështetjen për të garantuar përfundime pozitive.
Duke komentuar mbi vendimin e PDSH për të lënë koalicionin qeverisës, Thaçi tha se ai ishte i vetëdijshëm plotësisht për rëndësinë e këtij veprimi por tha se partia e tij nuk do ta kthente vendimin e vet.
Kreu i SDSM Radmila Shekerinska tha në takim se Shkupi duhet të bënte çdo përpjekje për të siguruar një ftesë për t'u bashkuar me NATO-n gjatë samititi të Bukureshtit.