SETimes
Published on SETimes (http://www.setimes.com)
http://www.setimes.com/cocoon/setimes/xhtml/sq/features/setimes/features/2008/01/30/feature-01

Turqia lëviz për të lehtësuar ndalimin e shalleve të kokës

30/01/2008

Amendamentet kushtetuese që do të lehtësonin ndalimin ndaj mbajtjes së shalleve të kokës në universitete u dërguan në parlament nga partia qeverisëse e Turqisë të martën dhe pritet gjerësisht të miratohen në ditët që vijnë.

(Zaman - 30/01/08; AFP, AP, Reuters, DPA, BBC, CNN, VOA, FT, International Herald Tribune, Euronews - 29/01/08)

photo

Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan i drejtohet deputetëve të Partisë për Drejtësi e Zhvillim gjatë një takimi në parlament të martën (29 janar). [Getty Images]

Partia qeverisëse për Drejtësi e Zhvillim (AKP) dërgoi në parlamentin e vendit të martën (29 janar) një projekt-ligj që do të lehtësonte një ndalim të mbajtjes së shalleve muslimane të kokës në universitete, megjithë kundërshtimin e fortë të grupeve sekulare ndaj një mase të tillë.

Projekt-amendamentet ndaj kushtetutës dhe ligjit për arsimin e lartë ju dërguan kryetarit një ditë pasi partia me rrënjë islamike arriti një marëveshje me opozitën e ekstremit të djathtë Partinë e Lëvizjes Nacionaliste (MHP) të hënën vonë.

Kryeministri turk dhe kreu i AKP Rexhep Tajip Erdogan përmendi të martën respektin për të drejtat bazë të njeriut dhe krijimin e barazisë në sistemin e lartë arsimor të vendit, si motivet bazë prapa masës. Ndryshimet e propozuara do të kufizoheshin në universitete, u citua Erdogan nga Reuters t'u thoshte ligjbërësve nga partia e tij në vërejtjtet e dhëna në televizion.

Ndalimi i mbajtjes së shalleve muslimanë në institucionet publike dhe shkollat u vu së pari pas grushtit ushtarak të shtetit të 1980 në Turqi dhe ka qënë zbatuar me rreptësi në universitetet në fund të viteve 1990.

Erdogan, gruaja dhe vajzat e të cilit mbajnë shami koke, premtoi të heqë ndalimin përpara zgjedhjeve parlamentare të Turqisë në 2002 në të cilat AKP erdhi së pari në pushtet. Megjithatë, me qëllim që të shmangte një përplasje me administratën republikane, Erdogan ngurronte të shtynte për ndryshimet e kërkuara kushtetuese. Ushtria e fuqishme e vendit, sekulare e vendosur, ka detyruar katër qeveri të lënë pushtetin në pesë dekadat e fundit.

Masa për të lehtësuar ndalimin e shalleve të kokës në univesritete vjen më pak se një vit pas fitores dërrmuese të AKP në zgjedhjet parlamentare të korrikut 2007.

Sipas ndryshimeve të propozuara, studentet femra në kampuset e universiteteve do të lejoheshin të mbanin shallet tradicionale që lidhen nën mjekër duke lënë fytyrën krejt të dukshme. Ligji mbi turbanin që mbulon flokët dhe qafën do të mbetej në fuqi.

"Sipas planit tonë, fytyra [e gruas] mbetet e zbuluar dhe kështu që një person nuk do të lejohet të fshehë identitetin e saj," u tha ligjbërësve të partisë së tij kreu i MHP Devlet Bahçelli të martën, duke theksuar se të gjitha format e veshjes islamike, të tilla si shadoret dhe burkat do të mbeteshin të ndaluara.

Projekt-ligji ka shkaktuar kritikë të ashpër nga dy parti të krahut të majtë, sekulare të opozitës në parlament, Partisë Popullore Republikane (CHP) dhe Partisë së Majtë Demokratike dhe pritet të ndezë një debat të nxehtë plenar në asamblenë 550-vendëshe në ditët që vijnë.

Amendamentet kushtetuese duhet të mbështeten nga së paku 367 ligjbërës për t'u miratuar. Pasi AKP dhe MHP kanë një shumicë të kombinuar prej 410 vendesh, projekt-ligji pritet gjerësisht të miratohet lehtësisht.

Ndërsa ushtria nuk e ka njoftuar qëndrimin e saj ende, partitë dhe grupet sekulariste druajnë se heqja e pjesshme e propozuar e ndalimit të shalleve mund të jetë hapi i parë drejt imponimit të besimeve fetare në Turqi.

Kreu i CHP Deniz Bajkal e pa këtë si një "kërcënim kundër republikës", ndërsa një tjetër anëtar i lartë i partisë së tij, Onur Ojmen paralajmëroi të martën se "Turqia po drejtohet hap pas hapi drejt të bërit të një shteti teokratik". Kjo parti është zotuar të sfidojë çdo ndryshim në Gjykatën Kushtetuese në qoftë se ato miratohen nga parlamenti.