SETimes
Published on SETimes (http://www.setimes.com)
http://www.setimes.com/cocoon/setimes/xhtml/sq/features/setimes/blogreview/2008/05/02/blog-03

Reforma zgjedhore në Shqipëri

02/05/2008

Ndërsa grindeshin mbi shumë çështje, dy partitë më të mëdha në Shqipëri shihen sy më sy në një gjë: reformat zgjedhore që mund të çimentojnë mbizotërimin e tyre.

Nga Klodjan Seferaj për Southeast European Times në Tiranë – 02/05/08

photo

Demokratët dhe Socialistët duan të ndryshojnë sistemin e votimit. [Getty Images]

Përpjekjet nga partitë e mëdha politike në Shqipëri, Demokratët dhe Socialistët, për të ndryshuar sistemin e votimit po tërheqin komente të konsiderueshme nga blogerët e vendit. Ndryshimet përfshijnë ngritjen e një sistemi rajonal proporcional votimi dhe një sistem të thjeshtë shumice në vend të ekzistuesit prej tre të pestash.

Ndonse kryeministri Sali Berisha dhe homologu i tij i opozitës Edi Rama, rralë mund të bien dakord, ata kanë gjetur bazë të përbashkët në nevojën për një reformë të tillë. Skeptikët argumentojnë se kjo nuk është surprizë: dy partitë e mëdha po kërkojnë thjeshtë të mbrojnë mbizotërimin e tyre.

"Duke e parë këtë marrëveshje në një nivel pak më të thellë do të thoja se kjo është një marrëveshje që ka ekzistuar prej kohësh." shkruan Fatos në perpjekja. "Është e kotë të fshihemi pas gishtit. Ka shumë vjet tashmë që këto parti nuk tregojnë ndonjë diferencë kulturore apo iedeologjike dhe as në moral. Ka shumë vjet që këto parti u drejtohen shqiptarëve vetëm me pretendimin se mund t'i përfaqësojnë më mirë interesat e tyre sesa kundërshtari."

Adrinurellari akuzon se ndryshimet e planifikuara janë të papërshtatëshme për vendin. "Kjo reformë nuk mund të gjejë asgjë të ngjashme në kontekstin shqiptar. Është vetëm një gambit nga krerët e dy partive kryesore politike që kanë frikë nga pluralizmi ose fragmentimi i spektrit politik dhe nëpërmjet kësaj manovre sigurojnë mbizotërimin e tyre të zgjatur në Shqipëri," shkruan ai. "Është qesharake të dëgjosh argumentin se nga që Spanja (sistemi ynë zgjedhor kopjon atë spanjoll) është një vend demokratik, sistemi spanjoll do të jetë i mirë për Shqipërinë."

saktivista.blogspot.com, ndërkohë, Sol Nocturnus qahet për atë që ai e sheh si një periudhë pafund tranzicioni për vendin.

"Ne jemi në tranzicion : ne të gjithë e dimë tani këtë refren, të ri e të vjetër. Ky tranzicion spjegon gjithëshka dhe është me ne kurdoherë, në të mirë e në të ligë në jetët tonë të përditëshme, në punë, në shtëpi, në tryezë, në gjumë. Tranzicion, tranzicion, tranzicion... Po për sa kohë?" pyet ai.

"Ne jetojmë çastin dhe refuzojmë të vështrojmë pas e të shohim se ç'ndodh; ne refuzojmë të shohim të ardhmen dhe ta ndryshojmë atë. Ne jetojmë një periudhë të tanishme pa një të kaluar apo një të ardhme. Ne na duhet kohë të ndryshojmë dhe e vërteta është se shpresa jonë mbetet brezi i ri, ata fëmijë që lozin sot pa ndonjë faj, pa e ditur se ç'ishte përpara se ata të vinin në botë," shkruan Sol Nocturnus.