SETimes
Published on SETimes (http://www.setimes.com)
http://www.setimes.com/cocoon/setimes/xhtml/sq/features/setimes/articles/2005/05/09/reportage-01

Një trashegimi romake në Ballkan: Vllehët

09/05/2005

Vllehët, që besohet gjerësisht se përfaqësojnë pasardhësit e popullsisë romake në Balkan, jetojnë në shumë pjesë të Ballkanit dhe Europës Lindore. Megjithëse bashkësitë vllehe lulëzuan në të kaluarën, historia e turbullt e Ballkanit i ka lënë ata të shpërndarë e të izoluar dhe identiteti i tyre si një grup etnik i veçantë gjithnjë e më tepër është vënë në pikëpyetje.

Nga Marian Tutui për Southeast European Times në Bukuresht – 09/05/05

photo

[Arkiv]

Ky vit shënon përvjetorin e 100-të të një dekreti perandorak, të lëshuar nga Sulltani otoman Adbyl Hamidi II, i cili u dha vllehëve të drejtat e para të përbashkëta. Ata fituan të drejtën për të përdorur gjuhën e tyre në kisha dhe shkolla, si dhe të drejtën për të zgjedhur këshilltarët e tyre vendorë. Kështu ata ishin në gjendje të themelonin shkolla, kisha dhe struktura të tjera kombëtare. Ndërmjet viteve 1908 dhe 1913 ata gjithashtu kishin një deputet, një senator dhe një ministër në Parlamentin Otoman. Më 2 maj, vllehët në të gjithë Europën Juglindore festuan Ditën Ndërkombëtare të tyre.

Tradicionalisht një popull barinjsh, kërkimet për kullota më të mira i çuan ata në të gjithë Ballkanin dhe Europën Lindore dhe vllehët arritën deri në Poloni. Përkushtimi i tyre ndaj mënyrës së jetesës si barinj shpesh i ka mbajtur ata larg luftrave të ashpra etnike që kanë shkatërruar Ballkanin gjatë shekujve dhe ata bashkëjetojnë në paqe me popullsinë shumicë kudo që jetojnë. Megjithatë, në të njëjtën kohë ata kanë përjetuar probleme për të ruajtur identitetin e tyre.

Origjina e vllehëve, ashtu si e rumunëve me të cilët kanë lidhje gjuhësore, mbetet një mister i pazgjidhur. Të dy popujt konsiderohen prej disave se përfaqësojnë pasardhës të popujve romakë në Ballkan, ndërsa të tjerë argumentojnë se ata vijnë prej kolonive të romanizuara. Kultura romake u influencua prej sllavëve, ndërsa vllehët, me origjinë në jug të Danubit, kanë influencë bizantine dhe greke.

photo

Valltarë vllehë rreth vitit 1905. [Prej Marian Tutui]

Historianët i quajnë ata Maqedo-Romakë dhe ata vetë përdorin emrin Arumunë. Konsensusi mes gjuhëtarëve është se gjuha vllehe dhe romake janë variante të së njëjtës gjuhë me bazë latine ( (një tjetër, gjuha dalmate, u shua më 1898, ndërsa gjuha istro-romake flitet nga disa mijëra njerëz në Kroaci) Toponime, të tilla si Mali Durmitor në Mal të Zi, dëshmojnë për praninë e vazhdueshme të popujve që flasin gjuhët latine në Danub dhe rajonet malore.

Emri “vlleh” vjet nga gjuha gote dhe fillimisht do të thoshtë “i huaj” dhe më vonë “folës i shprehjeve latine”. Fiset gjermane përdorën emrin "Uellsh" për popullsinë romake të asaj që përfundimisht u njoh si Uellsi, ndërsa romakëve të Belgjikës jugore iu dha emri Ualluns. Hungarezët edhe sot e kësaj dite i referohen Italisë si "Olaszag," ose "Toka e Olakëve" -- varianti i tyre i këtij termi. Gjatë Perandorisë Bizantine, ka të dhëna për disa territore të vllehëve, por ata rrallë u bënë shtete të fuqishëm. Suksesi më i madh i vllehëve ndodhi gjatë dinastisë Asan (1185-1258), kur ata krijuan Perandorinë e dytë Bullgare ose shtetin Bullgaro-Vllah.

Drejt fundit të shekullit të 18-të, në Shqipëri, qyteti vlleh i Moskopolës (Voskopojë) kishte 22 kisha, një akademi, një shtypshkronjë dhe një popullsi deri në 60,000 banorë. Në këtë kohë, u botuan fjalorët, gramatikat dhe abetaret e para vllehe. Megjithatë, më 1788, Ali Pashë Tepelena e shkatërroi qytetin e begatë të vllehëve.

Nga mesi i shekullit të 19-të, bashkësitë vllehe kishin themeluar shkolla e kisha dhe gëzonin mbështetjen e autoriteteve. Rrëzimi i mëpasshëm i Perandorisë Otomane çoi në ndarjen e territoreve të saj në kombe të pavarur, të cilët ndryshonin në trajtimin e tyre të popullsisë vllehe. Ndërmjet viteve 1925 dhe 1932, ndodhi një migrim masiv i organizuar i vllehëve për në Rumani, që përfshiu ndërmjet 4,946 dhe 6,553 familje. Regjimet komuniste që erdhën më pas në pushtet në të gjithë Ballkanin mbyllën të gjitha shkollat dhe strukturat vllehe. Përgjithësisht, vllehët ishin në disavantazh gjatë erës së nacionalizmit në rritje.

photo

Vllehë rreth vitit 903. [Prej Marian Tutui]

Shtetet e sapo-formuar shpesh bënë përpjekje drejt homogjenitetit kulturor, ndërsa bashkësitë e shpërndara të barinjve dhe tregtarëve vllehë nuk ishin aq të unifikuara si grup për të ruajtur identitetin e tyre. Për më tepër, rishikimi i kufijve ndau dhe izoloi bashkësitë ekzistuese. Megjithëse dikur ishin të shumtë në numër në Ballkan, regjistrimet e sotme tregojnë se ata përfaqësojnë më pak se 1 përqind të popullsisë.

Sidoqoftë, vllehët luajtën një rol të rëndësishëm në disa prej ngjarjeve kryesore në Ballkan gjatë shekullit të 20-të. Më 1903, gjatë Revoltës së Shën Elias në Maqedoni në Krushevë (ku 4,000 vllehët përfaqësonin dy të tretat e popullsisë), u krijua një qeveri shumëkombëshe. Tre prej ministrave të saj ishin vllehë, ashtu siç ishte edhe udhëheqësi ushtarak vendor, Pitu Guli (1845-1903), që respektohet gjerësisht si hero kombëtar maqedonas. Edhe sot, maqedonasit e konsiderojnë Republikën e Krushevës si një model të bashkëpunimit etnik.

Sot, pozicioni i tyre si një grup i veçantë është vënë në pikëpyetje në shumë pjesë të Ballkanit. Në Greqi, ata konsiderohen kryesisht si grekë -- që thjesht flasin një gjuhë që ka lidhje me latinishten. Maqedonia është i vetmi shtet ku vllehët kanë transmetime të rregullta në TV kombëtar. Përpjekjet si në Maqedoni, ashtu edhe në Shqipëri për nxitjen e gjuhës vllehe përmes kurseve në nivelin universitar fillimisht u pritën me entuziasëm, por kjo energji nuk është ruajtur. Rumania ka veçuar një numër bursash universitare për vllehët dhe që prej rrëzimit të regjimit të Çausheskut, vllehët vendas kanë qënë në gjendje të organizohen dhe të nxisin gjuhën e traditat e tyre. Megjithatë, shumë vllehë gjithnjë e më shumë nuk e njohin mirë dialektin e tyre dhe nuk janë në gjendje për të ushtruar të drejtat e përbashkëta të tyre.

Megjithëse ndërgjegjësimi ndërkombëtar për vllehët si një grup etnik mund të mos jetë mjaft i përhapur, shumë individë me origjinë vllehe kanë arritur famë botërore. Ata përfshijnë familjen Bulgari të bizhuterive, yjet e futbollit George Haxhi dhe Ilja Najdovski, regjizorët e filmit Dan Pita dhe Ljubisha Georgievski, dramaturgun Branisllav Nushiç, pionierët e kinemasë Ballkanike Milton e Jenake Manakia dhe Evangjeli Zapa, e cila ndihmoi në themelimin e Olimpiadave moderne.