Shumica e punëtorëve sezonalë të Malit të Zi janë nga rajoni

01/08/2012

Vendi i vogël dha 12,500 leje pune sezonale. Gjithashtu në lajmet nga biznesi: Serbia do të marë 400 milionë dollarë si mbështetje buxhetore nga Banka Botërore.

Serbët, boshnjakët e maqedonasit përbëjnë pjesën më të madhe të punëtorëve sezonalë të huaj në Malin e Zi, njoftoi të hënën (30 korrik) Vukica Jeliç, kryetare e Agjencisë së Punësimit me qendër në Podgoricë. Sipas saj, këtë verë vendi ka lëshuar gjithsej 12,500 leje për punëtorët e huaj.

***

Mali i Zi ka kreditë më të shtrenjta për shtëpi në Evropë, njoftoi të hënën (30 korrik) faqja kroate e internetit Business. Interesat hipotekare në Malin e Zi qëndrojnë në një mesatare prej 9,2% kundrejt 8,3% në Serbi, 7,2% në Kroaci e 8,2% në Slloveni.

***

Ministria greke e Financave i dërgoi një kërkesë qeverisë zvicerane të hënën (30 korrik) për të rifilluar një marrëveshjeje të mëparshme që takson mbajtësit grekë të llogarive bankare. Ky veprim vjen mes të dhënave që tregojnë një largim të konsiderueshëm të kapitalit nga vendi i goditur nga kriza drejt llogarive jashtë vendit.

***

Serbia shpreson të marë 400 milionë dollarë si mbështetje e drejtpërdrejtë buxhetore nga Banka Botërore, njoftoi Ministri i Financave dhe Ekonomisë Mlladjan Dinkiç pas takimit me përfaqësues të institutit ndërkombëtar financiar në Beograd të hënën (30 korrik). Nëse jepen, paratë do të përdoren për të siguruar ekonominë derisa qeveria e re të hartojë masa për të luftuar krizën ekonomike.

***

Banka Qendrore e Shqipërisë të mërkurën (25 korrik) uli nivelin e saj të marrëveshjeve të riblerjes në 4%, një nivel i ulët rekord. Masa synon të nxisë veprimtarinë ekonomike mes inflacionit të ulët në vend.

***

Ministria e Energjetikës e Republikës Sërpska njoftoi të premten (27 korrik) se ka zgjedhur RWE Innogy, një degë e ndërmarrjes energjetike gjermane RWE, për të ndërtuar katër hidrocentrale mbi Lumin Drina. Ndërmarrja mposhti dy kandidatët e tjerë për punën -- ndërmarrjen shtetërore greke PPC e International Water and Electric Corp të Kinës.

***

Banka e Pireut e Greqisë do të blejë pjesë të bankës shtetërore ATEBank të goditur nga kriza, njoftoi Banka e Greqisë të premten (27 korrik). ATEBank, e cila ka një rrjet prej afërsisht 500 degësh, do të ndahet në pasuri fitimprurëse e jo-fitimprurëse.

***

Monedha rumune pati një rritje të hënën (30 korrik) pasi Presidenti Trajan Bashesku i mbijetoi një referendumi mbi shkarkimin e tij, i cili rezultoi i pavlefshëm prej pjesëmarrjes së paktë. Leu u ngrit nga niveli më i ulët rekord prej 4,6509 për euro i rregjistruar në 24 korrik, në 4,5572 euro.

(Burime të ndryshme -- 25/07/12-01/08/12)

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.