Biznes: Turqia do të marrë një vend në bordin e FMN-së

18/07/2012

Për herë të parë, Turqia merr një vend në bordin e FMN-së. Një ndërmarrje gjermane nënshkruan një investim nismëtar me Maqedoninë e Greqia miraton ndërtimin e një tubacioni gazi nga Bullgaria në Mesdhe.

Turqiado të ketë një vend në bordin e FMN-së për herë të parë, njoftuan mediat të enjten (12 korrik), duke cituar burime të njohura me çështjen. Sipas një deklarate nga Nënsekretariati i Thesarit, vendi do të shërbejë si zëvendës/drejtor ekzekutiv i grupit të vendeve të tij në bordin ekzekutiv më 2012, përpara sesa të marë vendin e drejtorit ekzekutiv më 2014.

***

Ministria e Mjedisit, Energjisë dhe Ndryshimit të Klimës e Greqisë, miratoi të hënën (16 korrik) ndërtimin e një tubacioni gazi që lidh qytetin Komotini me Stara Zagora në Bullgari. Tubacioni do të ketë gjatësi 180 km dhe do të jetë në gjendje të transportojë 3 miliardë metra kub gaz në vit fillimisht, me një kapacitet të mëvonshëm që do të arrijë 5 miliardë metra kub. Ai do të transportojë gaz nga Kaspiku, Mesdheu, ose nga një terminal gazi natyror të lëngshëm në Turqi.

***

Ndërmarrja gjermane Lisa Draxlmaier GmbH dhe qeveria maqedonase nënshkruan një marrëveshje të hënën (16 korrik) mbi investimin më të madh nismëtar gjerman në vendin ballkanik. Ndërmarrja do të ndërtojë një uzinë për pjesë makinash në Kavadarci me një investim gjithsej prej 35 milionë euro. Uzina do të krijojë 4000 vende pune.

***

Dërgesat e emigrantëve në Bullgari kanë arritur një rekord historik në maj, treguan të dhënat nga banka qendrore të hënën (16 korrik). Megjithë krizën financiare botërore, bullgarët që punojnë jashtë u dërguan familjeve në Bullgari gjithsej 78,2 milionë euro në maj, e cila është një shumë rekord që më 2004, kur banka filloi të grumbullojë të tilla të dhëna.

***

Greqia duhet të ndjekë shembullin e Bullgarisë fqinje dhe të prezantojë një sistem me taksë të sheshtë, këshilloi autoritarja Forbes në një artikull të dielën (15 korrik). "Kur Bullgaria veproi kështu, të ardhurat nga taksat u rritën me 5,24% vitin e parë të implementimit të taksës së sheshtë, krahasuar me vitin e kaluar të sistemit të vjetër tatimor. Kjo është një rritje në të ardhura më e madhe sesa ka marrë qeveria greke nga të gjitha përpjekjet për rritjen e taksave me masat shtrënguese," theksoi artikulli.

***

Banka Qendrore e Serbisë rriti të enjten (12 korrik) normën bazë të interesit për të dytin muaj me radhë me çerek pike në 10,25%. Vendimi për rritjen e normës, e cila ishte që në atë moment e dyta më e lartë në Evropë, u shpjegua me presionin e çmimeve, që rezultoi më e rëndësishme se shqetësimet për ngadalësimin e ekonomisë.

***

Banka e Qipros të enjten (12 korrik) emëroi Yiannis Kypri si shefin e saj të ri ekzekutiv pas dorëheqjes së Andreas Aliades dy ditë më parë. Aliades citoi "një mungesë kohezioni në trajtimin e sfidave në sektorin bankar", si arsye për dorëheqjen e tij. Kypri është një kontabilist i miratuar dhe ka punuar në bankë që nga viti 1980.

(Burime të ndryshme -- 12/7/12-18/7/12)

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.