Carrefour largohet nga Greqia

20/06/2012

Gjiganti francez i shitjeve me pakicë do të shesë 50% të aksioneve të supermarketeve të tij tek një partner vendas. Gjithashtu në lajme nga biznesi: pirësit e duhanit në Evropën Juglindore shpenzojnë rreth 20% të të ardhurave mujore të tyre për cigare.

Carrefour njoftoi të premten (15 qershor) se do të largohet nga Greqia, e cila është tregu i saj i vetëm pa fitim. Ndërmarrja planifikon të shesë pjesën e saj prej 50% në zinxhirin e saj grek të supermarketeve tek një partner vendas -- familjes Marinopoulos -- për 1 euro. Sipërmarrja ka gjithashtu veprimtari në Qipro, Bullgari, Shqipëri e vende të tjera të Ballkanit.

***

Rumania është një nga anëtarët e BE-së me pjesën më të lartë të energjisë së rinovueshme në konsumin përfundimtar bruto të energjisë të saj, treguan të dhëna të EUROSTAT-it. Kjo pjesë ishte 23,4% më 2010, krahasuar me mesataren e BE-së prej 12,4%. Bullgaria gjithashtu qëndron mbi mesataren e BE-së me 13,8%. Greqia e Qiproja qëndrojnë pas me përkatësisht 9,2% e 4,8%.

***

Emetuesi turk i parave ka shpërndarë monedhën e parë të Republikës pa imazhin e Mustafa Kemal Ataturkut në asnjë nga anët. Monedhat, 1 milionë prej të cilave janë tani në përdorim, u prodhuan për të shënuar 10 vjetorin e Lojërave Olimpike Turke, një veprimtari për fëmijë.

***

Zinxhiri i fast-food-it Burger King njoftoi të martën (19 qershor) se do të largohet nga tregu rumun. Atlantic Restaurant System, që drejton ekskluzivitetin e Burger King në vend, tha se do të mbyllë këtë javë dy restorantet e fundit.

***

Turkish Airlines njoftoi zyrtarisht të enjten (14 qershor) se do t'i japë fund partneritetit me BH Airlines të Bosnjë dhe Hercegovinës. Ndërmarrja ajrore turke bleu një pjesë prej 49% në ndërmarrje më 2008 për 6,1 milionë dollarë dhe ka investuar 24 milionë dollarë të tjerë.

***

Pirësit e duhanit në Evropën Juglindore shpenzojnë rreth një të pestat e të ardhurave të tyre mujore për cigare, tha të hënën (18 qershor) Davor Tomaskoviç, president i fabrikës kroate të duhanit Rovinj. Ai tha se kostot mujore të cigareve në Kroaci arritën 17% të të ardhurave gjithsej më 2011, nga 12% që ishin më 2008. Në Serbi, kjo pjesë u rrit nga 14% në 17%, ndërsa në Bosnjë dhe Hercegovinë u rrit nga 15% në 19%. Rritja ka ndodhur për shkak të çmimeve më të larta të cigareve.

***

Energjia, turizmi e bujqësia janë sektorët ekonomikë të Maqedonisë që ofrojnë mundësinë më të mirë për investime ruse, tha Kryeministri Nikola Gruevski në Moskë të hënën (18 qershor). Gjatë një takimi me tregtarë rusë, Gruevski theksoi kushtet e favorshme të vendit të tij, në veçanti në lidhje me politikën e taksave.

***

Turqia e BE-ja ranë dakord të premten (15 qershor) që të thellojnë bashkëpunimin e tyre në fushën e energjisë. Në një takim në Shtutgart, zyrtarët ranë dakort të përqëndrojnv përpjekjet e tyre në integrimin e tregjeve e zhvillimin e infrastrukturës për transportimin e gazit, naftës e energjisë elektrike -- duke promovuar teknologjitë e energjisë së rinovueshme e energjisë së pastër, si edhe garantimin e sigurisë bërthamore e mbrojtjen kundër rrezatimit.

(Burime të ndryshme -- 13/06/12-20/06/12)

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.