13/06/2012
Banka Botërore është duke u bërë thirrje vendeve të rajonit që të kryejnë konsolidimin fiskal për të frenuar një ulje të zhvillimit. Gjithashtu në lajmet nga biznesi: Kompanitë malazeze kanë një borxh të përbashkët prej më shumë se 400 milionë euro.
Gjashtë vende në Evropën Juglindore përballen me rrezikun e një uljeje të shpejtë të zhvillimit këtë vit mes turbullirës në rritje në eurozonë, paralajmëroi Banka Botërore. Raporti i Bankës -- që mbulon Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë -- bëri thirrje për konsolidim fiskal të qëndrueshëm për të eliminuar dinamikën negative të borxhit e për të krijuar një bazë për zhvillim afatgjatë më dinamik.
***
Banka Evropiane për Investime (EIB) njoftoi të hënën (11 qershor) se ka miratuar një hua prej 35 milionë euro për të financuar ndërtimin e unazës së një autostrade në Shqipëri. Projekti përfshin ndërtimin e 22 km autostradë me dy korsi, e cila është pjesa e fundit e mbetur për t'u përmirësuar në aksin kryesor veri-jug që lidh Tiranën, Durrësin e Greqinë.
***
Një në çdo katër llogari korporative bankare në Mal të Zi është bllokuar për shkak të borxheve, njoftoi Banka Qendrore në Podgoricë të premten (8 qershor). Borxhi gjithsej i kompanive në vendin e vogël arrin në 419 milionë euro.
***
Greqia është në krye të një liste të vendeve që përballen me rrezikun e një falimentimi që u botua nga Business Insider të hënën (11 qershor). Qiproja renditet në vendin e tretë. Qiproja mori një hua prej 2,5 miliardë euro nga Rusia për të mbuluar nevojat financiare të saj për 2012-tën, por ka një borxh shtesë prej 2,2 miliardë euro që maturohet më 2013.
***
Parlamenti bullgar miratoi të premten (8 qershor) një emetim të bonove kombëtare pesëvjeçare me vlerë 950 milionë euro. Fondet nevojiten për të paguar një borxh qeveritar që duhet shlyer në janar.
***
Një mision i FMN-së në Kosovë ka arritur një marrëveshje me autoritetet vendase mbi një paketë politikash që synojnë plotësimin e analizës së parë të marrëveshjes së gatishmërisë prej 106 milionë euro të vendit, tha Fondi të hënën (11 qershor). Përfundimi i analizës do të lejojë Prishtinën të përdorë 46 milionë euro. FMN e përgëzoi vendin për vazhdimin e politikave të tij makro-ekonomike e financiare si dhe për shfaqjen e qëndrueshmërisë në mjedisin e tanishëm ndërkombëtar.
***
Të ardhurat nga turizmi në Rumani kanë rënë me 16% gjatë katër viteve të kaluara, zbuloi një studim nga PwC Romania të hënën (11 qershor). Vitin e kaluar, industria krijoi 1,5 miliardë euro të ardhura. Sipas raportit, rënia është kryesisht për shkak të numrit më të vogël të vizitorëve të huaj mes krizës ekonomike e financiare botërore.
***
Turqia do të shlyejë plotësisht borxhin e saj ndaj FMN-së deri në prill 2013, tha kryeministri Rexhep Tajip Erdogan në Stamboll javën e kaluar. Më 2002, borxhet e vendit arritën në 23,5 miliardë dollarë. Tashmë kjo shumë është ulur në 1,7 miliardë dollarë.
(Burime të ndryshme -- 06/06/12-13/06/12)