Linjat ajrore rajonale bashkëpunojnë për të përmirësuar udhëtimin

23/05/2012

Linjat ajrore nga Serbia, Kroacia, Mali i Zi e Sllovenia thanë se do të përdorin së bashku aeroplanët e tyre për të përmirësuar udhëtimin rajonal. Gjithashtu në lajmet nga biznesi: Turqia, Bullgaria e Katari janë duke menduar për disa projekte investimesh të një shkalle të madhe.

Katër linja ajrore në rajon ranë dakord të dielën (20 maj) për të bashkëpunuar në një veprim që synon të përmirësojë në mënyrë të konsiderueshme lidhjet ajrore e rendimentin e tyre. Në një forum në Budva, JAT Airways e Serbisë, Croatia Airlines, Adria Airways e Sllovenisë dhe Montenegro Airlines thanë se do të përdorin së bashku aeroplanët e tyre, por theksuan se nuk do të krijojnë një kompani të vetme.

***

Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (EBRD) tha në parashikimet më të fundit të saj të premten (18 maj) se Evropa Juglindore do të regjistrojë një rritje ekonomike prej 1% këtë vit. Banka është me entuziaste në parashikimet e saj për Turqinë, ku ekonomia pritet të rritet me 2.5% këtë vit. Shpresat për Maqedoninë janë për një rritje prej 1.3%, e ndjekur nga Shqipëria, Bullgaria e Rumania me 1.2% secila. PBB pritet të rritet me 0.4% në Bosnjë dhe Hercegovinë e Malin e Zi dhe me 0.1% në Serbi. Vendi i vetëm në rajon ku banka pret zhvillim negativ është Kroacia, me -0.6%.

***

Banka austriake Hypo Alpe Adria njoftoi të hënën (21 maj) së është duke shitur një pjesë të rrjetit të saj në ish-Jugosllavi, duke shpresuar të fitojë të paktën 1.5 miliardë euro nga procesi. Institucioni pret interes nga bankat në Evropë, Rusi, Turqi, Azinë Juglindore e investitorë financiarë. Rrjeti i Hypo Alpe Adria në rajon përbëhet nga gjashtë banka në Kroaci, Serbi, Slloveni, Malin e Zi e Bosnjë dhe Hercegovinë.

***

Turqia, Bullgari e Katari janë duke menduar për një numër projektesh investimi të një shkalle të madhe, njoftuan kryeministrat e të tre vendeve pas takimit në Bullgari të premten (18 maj). Një nga projektet e mundshme të përbashkëta është një autostradë për të lidhur qytetet e Svilengradit e Rusës në Bullgari, gjë që do të sigurojë një rrugë mes Azisë e lumit Danub.

***

Më shumë se 400 kompani ndërkombëtare morën pjesë në panairin e 11-të EXPOKOS 2012 që u zhvillua në Prishtinë javën e kaluar. Ekspozita tërhoqi kompani nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Kroacia, Sllovenia, Turqia, Serbia, Bullgaria e të tjerë -- me aktivitete në inxhinierinë civile, energji, teknologji, prodhimin e mobilieve e pasurinë e patundshme.

***

Ministri turk i energjisë Taner Jilldiz tha të dielën (20 maj) se vendi i tij ka rënë dakord me Irakun për të rinovuar shkëmbimin e naftës, që u ndërpre pesë vjet më parë. Sipas planit që synon diversifikimin e furnizimeve, Turqia do të fillojë të blejë naftë bruto e të shesë prodhime të naftës në Irak. Tashmë, Turqia ble gaz natyror nga pesë vende, ndërsa furnizimet e naftës bruto të saj vijnë nga 12 shtete.

***

Nikozia është duke pritur edicionin e 37-të të Panairit Ndërkombëtar të Qipros 2012 deri të dielën (28 maj). Veprimtaria ka tërhequr 247 pjesëmarrës që përfaqësojnë mbi 1000 kompani vendase e ndërkombëtare. Bullgaria e Greqia janë mes pjesëmarrësve zyrtarë ndërkombëtarë, së bashku me SHBA-në, Hungarinë, Palestinën, Afrikën e Jugut e Kuvajtin.

(Burime të ndryshme -- 16/05/12-23/05/12)

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.